Connect with us

Aktualitet

“Game of Thrones” në Rusi, gara për pasuesin e Putinit/ Shkrim nga Roman Anin/ Editorial NTV.AL

Rusia renditet sot si ndër regjimet më të izoluara dhe më çnjerëzore në botë, dhe kjo jo vetëm për shkak të luftës por si pasojë e dy dekadave të degradimit politik dhe moral të shtetit rus. Dhe duhet të përmendim gjithashtu se klanet që rrethojnë Putinin u ngajnë grupeve të krimit të organizuar. Disa prej tyre kanë dhe komandojnë ushtritë e tyre, si përshembull lideri i ‘Grupit Vagner’ Yevgeny Prigozhin dhe kreu i ‘Rosgvardia’, Viktor Zolotov.

Edhe Nikolai Patrushev, kreu i Këshillit të Sigurimit, ka njësitë e tij të sigurisë, si dhe shumë të tjerë. Çdo klan ka burimet e tij financiare: banka, korporata shtetërore dhe kompani të mëdha. Disa prej tyre zotërojnë rajone të tëra, si Ramzan Kadyrov në Çeçeni. Dhe asnjëri prej tyre nuk i nënshtrohet asnjë ligji. Por këto klanë nuk janë bashkuar kurrë. Të paktën për 20 vite, ata kanë luftuar vazhdimisht kundër njëri-tjetrit për sferat e ndikimit dhe burimeve.

Luftërat e tyre mund të quhen konvencionalisht luftëra të ftohta. Ato u zhvilluan në hije nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe viktimat, oficerë sigurie, njerëz të biznesit dhe zyrtarë të klaneve kundërshtare kanë humbur lirinë por jo jetën e tyre (megjithëse ka pasur përjashtime). Në gjithë këto vite, Putin ka vepruar si një lloj arbitri në konfliktet e rrethit të tij të brendshëm. Ai ka siguruar një ekuilibër të pasigurt fuqie midis fraksioneve ndërluftuese, sepse secili e dinte se pa Putinin, nuk do të kishte ekuilibër, dhe do të shpërthente një luftë e të gjithëve kundër të gjithëve.

Por asgjë nuk e dobëson aq shumë fuqinë e një diktatori sa plakja dhe disfatat ushtarake. Ndërsa afrohet fundi i Vladimir Putinit, qoftë politik apo fizik, luftërat e ftohta për pushtet të klaneve rreth e rrotull tij kanë më shumë gjasa të përshkallëzohen në luftëra të nxehta. Dhe në betejën për atë që do ta pasojë, fituesi nuk do të jetë një klan, por ai që mund të krijojë koalicionin më të fuqishëm. Skicat e një koalicioni të mundshëm janë shfaqur që pas disa muajsh nga nisja e luftës në Ukrainë: një aleancë midis Prigozhin dhe Kadyrov.

Kjo dyshe mund të bashkohet me klanin e kreut të ‘Rosgvardia’, Viktor Zolotov, i cili e njeh mirë Prigozhin që nga kohët kur ai ishte “banditi i Shën Petersburgut” dhe është në kontakt të ngushtë me udhëheqësin e Çeçenisë. Le ta quajmë këtë treshe “koalicioni i gjakatarëve”. Përparësitë e të cilës janë – brutaliteti, vendosmëria dhe ushtria e tyre e fuqishme. Një tjetër koalicion që mund të shfaqet gjatë luftës për pushtet është aleanca e njerëzve më me ndikim. Miqtë e Vladimir Putin dhe anëtarët e tjerë të KGB-së. Le ta quajmë këtë “koalicion i miqve”.

Sidoqë të jenë kontradiktat që përçajnë Kovalchuk, Patrushev, Tokarev dhe Timchenko, edhe ata ndihen të kërcënuar nga “koalicioni i gjakatarëve”. Nëse do të dalë vërtet në skenë një koalicion i tillë, avantazhet e tij të pakushtëzuara do të ishin burimet e mëdha financiare (këta njerëz zotërojnë të gjithë Rusinë), dhe kontrollin mbi shërbimet speciale, që edhe pse janë inferiorë ndaj “ushtrisë së gjakatarëve” sa i përket fuqisë sulmuese, kanë një inteligjencë dhe potencial intelektual shumë më të madh.

Së fundmi , një organizatë e tretë e cila u shfaq menjëherë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, por që nuk e ka gjetur ende udhëheqësin dhe strukturën e vet përfundimtare, është “koalicioni i patriotëve”. Anëtarët e saj nuk e kanë njohur ende veten si komunitet, por lufta ka zgjuar vlerat, urrejtjen dhe aspiratat e përbashkëta. “Koalicioni i patriotëve” e urren klasën sunduese ruse për korrupsionin dhe humbjet e saj ushtarake. Por nga ana tjetër e refuzon “koalicionin e gjakatarëve” për lidhjet e tyre me qeverinë aktuale, kriminelët dhe Çeçeninë.

Advertisement