Connect with us

Rajon

Vërtetë sanksione ndaj Rusisë, apo lojë e Beogradit?

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç la të kuptohet për herë të parë të mërkurën se Beogradi mund të ndryshojë kursin dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë, teksa kjo është edhe një nga kërkesat kryesore të BE-së që Beogradi zyrtar të ketë progres në bisedimet për anëtarësim në BE. Në një intervistë për Euroactiv Serbia, Daçiç tha se nëse ekonomia e Serbisë dëmtohet, ata do t’i përshtatin interesat në bazë të rrethanave
“Nëse diçka ndryshon në dëm të interesave të Serbisë, atëherë vendimi ynë do të përshtatet në përputhje me rrethanat, sepse ne do të vlerësojmë në çdo moment se cili është vendimi më i mirë për ekonominë tonë, për pozitën tonë në botë dhe për qytetarët e Serbisë”.
Megjithatë, ai përsëriti deklaratat se Serbia ka dënuar shkeljen integritetit territorial të Ukrainës nga Rusia dhe se sanksionet janë çështje tjetër.
“Ne dënojmë shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës. Nëse ne do të vendosim sanksione ndaj Rusisë është një çështje tjetër. Nuk është çështje kohe apo afatesh, është një çështje që ka të bëjë me interesat tona politike dhe ekonomike”, tha ai.
Por Presidenti serb Aleksandar Vuçiç në vazhdimësi e ka kundërshtuar ashpër sanksionimin e Moskës për ofensivën e saj në Ukrainë, duke theksuar shpesh se Serbia importon të gjithë naftën dhe gazin e saj prej andej, por është vënë nën presion në rritje nga Perëndimi për të ndryshuar qëndrimin. Daçiç tha se që prej aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 e deri më tani, Serbia nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore “sepse ka vlerësuar se nuk do të ishte në interesin e saj”

Advertisement