Sport
Merkato/ “Zonja e Vjetër” nxjerr 10 në shitje, për të financuar merkaton – Lista
Juventus-i është gati të bëjë një revolucion të madh në merkaton e verës. Sipas raportimeve nga “Corriere dello Sport”, drejtuesit bardhezi kanë vendosur të nxjerrin në shitje një numër të konsiderueshëm lojtarësh, me synimin për të mbledhur fonde për transferimet e reja dhe për të krijuar më shumë hapësirë në buxhet.
Klubi torinez kërkon të balancojë financat dhe njëkohësisht t’i japë trajnerit mundësinë të ndërtojë një skuadër më konkurruese për sezonin e ri. Për këtë arsye, disa emra të rëndësishëm janë konsideruar të transferueshëm nëse mbërrijnë ofertat e duhura.
Sipas raportimit, në listën e lojtarëve që Juventus-i është i gatshëm të sakrifikojë bëjnë pjesë sulmuesi Jonathan David, anësori i Kosovës Edon Zhegrova, argjentinasi Nico Gonzalez, mesfushorët Teun Koopmeiners, Fabio Miretti dhe Arthur, mbrojtësit Federico Gatti, Daniele Rugani dhe Juan Cabal, si edhe portieri Michele di Gregorio.
Largimet e mundshme të këtyre futbollistëve pritet t’i sjellin Juventus-it të ardhura të konsiderueshme, të cilat më pas do të investohen në afrime të reja. Drejtuesit bardhezi synojnë të përshpejtojnë operacionet në merkato, ndërsa shitjet konsiderohen hapi i parë për realizimin e objektivave të klubit.
Nëse ky plan realizohet, Juventus-i mund të jetë një nga skuadrat që do të ndryshojë më shumë fytyrë gjatë kësaj vere, me një merkato që pritet të jetë ndër më aktivet për klubin torinez.
Kujtojmë se Juventus-i ka qenë mjaft aktiv në këtë merkato vere. Bardhezinjtë kanë afruar deri tani Randal Kolo Muani, Kerim Alajbegovic, Zeki Çelik dhe Jeff Ekhator, edhe pse ky i fundit pritet të huazohet për të fituar më shumë minuta aktivizimi.
Në krahun e largimeve, Filip Kostic dhe Dusan Vlahovic janë larguar pas përfundimit të kontratave, ndërsa Timothy Weah është transferuar përfundimisht te Marseille. Joao Mario është huazuar te Fiorentina, Vasilije Adzic te Sassuolo, ndërsa Lois Openda ka kaluar në huazim te Lyon. Përveç tyre, Juventus-i ka finalizuar edhe disa shitje të lojtarëve të rinjë, në kuadër të ristrukturimit të skuadrës dhe balancimit të buxhetit.
Tashmë, sipas mediave italiane, Juventus-i synon të vazhdojë revolucionin në merkato duke liruar hapësira në skuadër për afrime të reja. Prioritetet e klubit janë transferimi i një portieri, një qendërmbrojtësi, një mbrojtësi krahu që do të jetë alternativa e Andrea Cambiaso-s, një mesfushori qendre dhe një qendërsulmuesi, për të kompletuar organikën për sezonin e ri.
