Connect with us

DOSSIER

Shtrigat e Salemit dhe historia e tyre

Në dimrin e ftohtë të vitit 1692, në Salem, Massachusetts, dy vajza, vajza e Reverend Samuel Parish, Betty, dhe reparti i tij, Abigail Williams, filluan të shfaqnin sjellje të çuditshme. Ata flisnin kot, fshiheshin poshtë gjërave dhe zvarriteshin në dysheme. Asnjë mjek nuk mundi të shpjegonte simptomat, derisa njëri prej tyre vendosi më 8 shkurt se vajzat ishin të pushtuara. Kështu At Samueli dhe bashkëqytetarët e tjerë të devotshëm filluan t’i kryenin rituale dy vajzave – dhe fëmijëve të tjerë që më vonë shfaqën sjellje të ngjashme.

Tre gratë e para që u akuzuan ishin Sarah Goode, Sarah Osborne dhe Tituba. Sarah Goode ishte një lypëse, e bija e një hoteleri francez, e cila kreu vetëvrasje kur ishte ende adoleshente. Sarah Osborne ishte një plakë, e cila mori pronën e burrit të saj të parë nga fëmijët e tij dhe ia dha burrit të dytë. Tituba ishte skllave indiane.

Këto tre gra u akuzuan për magji dhe më 1 mars u dërguan në burg. Pasuan dhjetëra të tjerë dhe ndërsa burgjet në Salem, Boston dhe zonat përreth u mbushën ngadalë, u ngrit një problem i ri: Për shkak të mungesës së ligjit për këtë “vepër penale”, të gjithë këta të burgosur nuk mund të gjykoheshin. Zgjidhja u dha në fund të majit nga guvernatori mbretëror i Massachusetts, Sir William Phipps, duke vendosur të ngrinte një gjykatë speciale për këtë çështje. Ndërkohë Sarah Osborne kishte vdekur, Sarah Goode kishte sjellë në jetë një vajzë dhe numri i të pandehurve kishte arritur në 80, shumë prej të cilëve ishin sëmurë.

Në procedurë të shkurtuar, të gjithë të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me vdekje. Vetëm ata që u deklaruan fajtorë dhe “treguan” të tjerët u kursyen nga ekzekutimi. Gjithsej 19 persona u varën gjatë verës, duke përfshirë një ministër të respektuar dhe një ish-polic që refuzoi të vazhdonte arrestimin e shtrigave të dyshuara. Prej tyre, vetëm 6 ishin burra.

Gjyqet e shtrigave patën efekte të rëndësishme në të gjithë rajonin. Të lashtat u lanë në fusha dhe bagëtitë pa mbikëqyrje, ata që kishin frikë nga kapja u larguan nga zona në Nju Jork, tregtia ra dhe pati raportime se indianët po përgatiteshin për revoltë. Gjyqet u ndërprenë më 3 tetor 1692, me vendim të guvernatorit të Masaçusetsit, pas një apeli të një grupi klerikësh nga Bostoni. Megjithatë, të burgosurit nuk u liruan deri në pranverën e ardhshme.

DOSSIER

Andi Tepelena: 2 korrik 1990, ja si hymë në Ambasadën Italiane

Andi Tepelena ishte i ftuari i mbrëmjes në Esencë. Tepelena rrëfeu për 2 korrikun 1990 dhe mënyrën e futjes së shqiptarëve në Ambasadën Italiane, në kohën kur sapo kishte nisur mësymja apo hyrja e shqiptarëve nëpër ambasadat e huaja. Emisioni Esencë shfaqet çdo të premte dhe të diel në ekranin e Report Tv, ora 21:00.

Eljan Tanini: -Kam kohë që dua të bëj këtë intervistë me ty Andi Tepelena, në lidhje me 2 korrikun 1990 të Ambasadës Italiane. Më në fund të rrëmbeva dhe ja ku jemi.

Andi Tepelena: -2 korriku 1990, është ngjarje epokale që përsëritet një herë në njëqind vite. Çabej ka disa kujtime ku shkruan se ne jemi popull shtegtar.

Eljan Tanini: -Si ishte jeta e një 18 vjeçari në Tiranën e viteve 80-90?

Andi Tepelena: -Kam qenë nxënës te Sami Frashëri dhe te Çajupi. Ka qenë kohë e zymtë, te Zëri i Amerikës rrinte gjithmonë veshi. Ushqimi në shtëpi ishte si për të gjithë shqiptarët, çohesha në 4 të mëngjesit për të marrë qumështin.

Eljan Tanini: -Ku banonit në atë kohë?

Andi Tepelena: -Banonim në një shtëpi përdhese, i ra plani, dhe nisem të banojmë te 9 katëshet, pamje shumë e bukur, kati i nëntë. Kishim shumë ëndrra si të gjithë, shikonim Elektrik Blu, filma pornografikë, bulevardi ishte bosh në atë orar dhe niste koha e kthimit të antenave. Te Saimir Maloku bënim kanoçet e famshme të televizorit, na hapi sytë. Babai ishte sizmiolog, mamaja kishte një jetë shumë të vështirë, llogaritare. Për shkak të mbiemrit Tërshana, Edip Tërshana, mamaja bëri punë shumë të keqe.

Eljan Tanini: -Edip Tërshana ka një shprehje shumë të bukur: “Përkulem por nuk thyhem”!

Andi Tepelena: -Babai ka qenë antikomunist i rrezikshëm, jemi fis me firmëtar pavarësie. Jugu nuk ka qenë gjithmonë i majtë, sepse ka një keqkuptim të thekur për këtë gjë. Babai thoshte që komunizmin e kemi të importuar nga stepat e Rusisë.

Eljan Tanini: -Kishit ashensor te 9 katëshet?

Andi Tepelena: -Po, kishim, prishej shpesh. Edhe vetë teknikët Fredi dhe Josi ikën herët nga Shqipëria.

Eljan Tanini: -Si e morët vesh lajmin që do të hapeshin ambasadat?

Andi Tepelena: -Tirana ziente nga këto lajme. Në Ambasadën Franceze u fut një djalë që për muaj me radhë i binte kitarës aty brenda saj, siç duket ajo muzikë ishte ftesë për të hyrë nëpër ambasada.

Eljan Tanini: -Nuk e kam kuptuar kurrë, përse u futën njerëz te Ambasada Kubaneze?!

Andi Tepelena: -Për mua ka qenë provokim, nuk e kam kuptuar kurrë! As te turku, bullgari, kinezi etj… Shumë futeshin nëpër ambasada se i kishin afër. Ne në lagje e kishim një vatër disidence!

Eljan Tanini: -Ku dhe si e morët vesh lajmin që po gëlonte diçka në Ambasadën Italiane?

Andi Tepelena: -Më tha një shok, fjalë pas fjale! Se kur do të hapeshin ambasadat nuk kishim informacion, por dihej tashmë që do të bëhej ky veprim. Qarkullonte në Tiranë si lajm.

Eljan Tanini: -Si u përgatitët për të shkuar në Ambasadën Italiane me nënën, babain dhe vëllain?

Andi Tepelena: -E menduam 2-3 ditë përpara të hynim në Ambasadën Gjermane. Po bënim plane, i binim rreth e përqark ambasadave, te gjermani na u duk më e mundur, ndër të tjera edhe gjermani do të na siguronte një të ardhme më të mirë. Një shok na ndaloi rrugës, nuk ishte e mundur. Ndërkohë takojmë një shok tjetër, bëjmë një takim dhe nisemi për te Ambasada Italiane. U futëm në Ambasadën Italiane rreth orës 10:00, na kënaqi fakti që kishte familjarë, jo vetëm të fortët. Unë dola nga kangjellat për të marrë prindërit.

Eljan Tanini: -Bëhet fjalë për Ambasadën Italiane atje ku është sot Ambasada Amerikane.

Andi Tepelena: -Unë gjeta një të çarë, kishin hapur kangjellat. Vajta mora prindërit në shtëpi, babain e binda kollaj, u çua menjëherë në këmbë, mamaja mezi u bind, me rroba trupi ikëm për në ambasadë. Brenda kishte romë me klarinetë, brenda në Ambasadën Italiane. Gabriela nga Ambasada Italiane ka ndihmuar shumë njerëz. Nga palët politike shqiptare dhe italiane kishte tension të madh. Ambasadat kishin nivele të ndryshme njerëzish.

Eljan Tanini: -Futeni me prindërit tuaj në Ambasadën Italiane, si shkon jeta aty brenda?

Andi Tepelena: -Gjatë ditës ishte vapë në ambasadë, natën ishte tmerrësisht ftohtë, e që të mendosh ishte korrik, lagështirë, mbase edhe nga bimësia. Kishte mikroklimë. Njerëzit u futën pa tesha, pa batanie. Ditën e tretë sollën arka me bukë dhe me qumësht, qumësht që shkaktoi edhe çudira. Kishim një banjo për 850 vetë, mund të plaste edhe kolera. Nga aspekti higjeno sanitar nuk ishte e mirë gjendja. Natën kishte provokime të ndryshme, provokatorë. Limoni ishte një personazh nga Varri i Bamit, kishte bërë burg, tallej me Enver Hoxhën, njihte tipat spiunë, ai i njihte edhe sigurimsat që ishin futur aty brenda. Kur i gjente Limoni i gjuante turma.

Kur një i ri po futej te kangjellat, diku pas orës 13:00, kur e pikasën policët, provuan ta tërhiqnin, iu futën hekurat në trup. Morëm vesh që vdiq rrugës për në spital. Unë e kam parë me sytë e mi artistin e cirkut që kapërceu policin. Policët na kthenin krahët ne. Në çastin kur një polic po bënte muhabet me Limonin, vjen një nga pas që ishte i cirikut, ai i cirkut i kërcen sipër policit, bën një saltro dhe hyn brenda në Ambasadën Italiane nga hekurat.

Eljan Tanini: -Sa ditë ndenjët aty brenda në ambasadë?

Andi Tepelena: -Jo më shumë  se 8 ditë, çasti më dramatik ishte kur u mblodh Byroja Poltike që mund të na nxirrnin me forcë nga ambasada. Byroja na akuzonte për krime dhe tradhëti ndaj vendit, në ditën e 5 ose të 6.

Kur përfaqësuesi i OKB erdhi atje për ne ishte shpëtim! Një ditë përpara se të niseshim, ishte finalja e futbollit mes Gjermanisë dhe Argjentinës. Shumë nga tifozat gjermanë, kishin frikë të mos bënin tifo ndaj Gjermanisë e cila e kishte mundur Italinë. Frika ishte të mos bënim shumë tifo ndaj Gjermanisë me shprehjen e habitur: “Aman mos na bëni shumë tifo ndaj gjermanit se nuk na lënë të ikim”!

Eljan Tanini: -Të kishe frikë të bëje tifozllik! Sa për informacion. Ambasada Italiane dikur, gjendej atje ku është sot Ambasada Amerikane, pasi kjo e fundit këtë e kishte tokë të sajën.

Andi Tepelena: -Pati një informacion për të nisur një revoltë brenda në ambasadë, u përgatit një letër nga disa intelektualë që ne nuk dalim nga këtu. Dalim vetëm të vdekur.

Eljan Tanini: -Ne 8 ditë aty brenda, a laheshin njerëzit?

Andi Tepelena: -Jo, fare. Nuk kishte mundësi të ndodhte kjo gjë. Aty kishte një çezmë për të larë sytë, vetëm kaq. I kemi ftuar edhe policët të hynin me ne atje brenda. Pati edhe sherre aty brenda, u rrahën të infiltiruarit. Aty ishte edhe vëllai i Josif Budos nga protesta antikomuniste e Kavajës.

Eljan Tanini: -Si e mban mend Llaskon e lotarisë së famshme?

Andi Tepelena: -Shumë person inteligjent, organizonte edhe skedinat dikur pas Pallatit të Kulturës.

Eljan Tanini: -Po motrat Belishova si i mban mend?

Andi Tepelena: -Ishin motra të bukura, mbesat e Liri Belishovës, aty e mora e vesh. Ishin gjëja më e bukur në aspektin njerëzor në atë hapësirë!

Eljan Tanini: -Kavajas interesant kishte atje brenda në ambasadë?

Andi Tepelena: -Po kishte disa, Beni sampisiti që kish dorëzuar detyrën. Pilo, ishte edhe një Besim, një me flokë të gjata, biond.

Besimi ishte futur në ambasadë për të shitur zarzavate. Ngeci atje, kish ardhur nga Kavaja. Pa njerez dhe u fut aty brenda. Rreth 18 vjeç. Donte të dilte, qante! Donte të shkonte në Luz të Kavajës. U bind, e mbajtën, e frenuan. Edhe pse shkuam në hotelin më të shrenjtë në Itali, donte të ktheheshe. U kthye në Shqipëri, më pas shkoi në Itali me anijen e famshme. Ishin personazhe të një filmi të mundshëm. Edhe Arian Kalari, skulptori ishte atje, madje edhe Fabian Kati.

Eljan Tanini: -Erdhi data 10 korrik, do të iknit. Si u bë zhvendosja?

Andi Tepelena: -Pasi na pajisën me pasaporta dhe me viza turistike, nga ora 2 e natës, erdhën autobusat për të na çuar në Durrës, autobusa transporti ku në krye rrinin përfaqësuesit e OKB me flamujt e tyre. E gjitha u bë me një shpejtësi të madhe. Në ato vite Ambasada Franceze ishte përballë Ambasadës Italiane, atje ku është sot Ambasada Amerikane. Gjithë ky karvan autobusash ndaloi në Vorë, ndaluam një orë atje. Kishte dhe plasi shumë panik. Erdhi Sigurimi nëpër autobusë.

Eljan Tanini: -Çfarë u bë me shtëpinë te 9 katëshet?

Andi Tepelena: -Pas mitingut që mbante anën e sistemit, u dha një urdhër që shtëpitë e atyre që ikën do të ziheshin. Madje ka shumë sharje kjo kohë! Kam folur me Kadarenë, dhe ai nuk e ka thënë atë frazën e “jashtëqitjeve të kombit”. Shtëpinë e mori, e zuri djali i atij që drejtonte Bashkimet Profesionale. Më pas Qeveria Meksi nxori një ligj që shtëpitë të liroheshin, ne e morëm pas shumë vitesh pas një procesi gjyqësor. Provuam me forcë ti nxirrnim, përfunduam në polici.

Eljan Tanini: -Po dokumenti yt?

Andi Tepelena: -Atë dokument ma ka nisur Kastriot Dervishi, ishin hedhur dokumenta të hedhura në cep, në një kosh. Aty në atë foto më ka kapur dielli, dukem si kurd, vesha kemishën e një shoku që të bia në sy për mirë sa për të bërë foton e ikjes.

Eljan Tanini: -Ju e ndatë rrugës se ku do të shkonit?

Andi Tepelena: -Në ambasadë na dhanë disa formularë, shumica donin të shkonin në Amerikë. Llasko, ishte ai që na frymëzoi për të shkuar në Australi, sipas tij do të merrnim toka, sipas tij do të bëheshim latifondistë etj… Në Portin e Durrësit arritëm vonë, ushtarët rrinin me shpinë nga ne. U rrëzua një person në moshë, ishte shumë i madh në moshë, ishte prift, nja 80 vjeç mos më shumë, turma e mori përpara, e ndihmoi një person nga OKB. I ndamë dilemat mes Gjermanisë dhe Italisë, ne vendosëm të qëndronim në Itali për shumë arsye. Na çuan në Sardenjë, kemi qëndruar atje për 8 muaj. Na kishin dhënë rreth 1 milion e 200 mijë lireta. Ne  i kishim të paguara të gjitha ushqim dhe fjetje. Më tha një shqiptar që paratë i kanë harxhuar pak më poshtë te një shtëpi publike! Më pas na lanë të gjenim vetë rrugën. Qeveria e Andreotit na dha abone të lëviznim nëpër Itali për 2 muaj falas. Prindërit i lamë në Sardenjë, ndërsa unë me tim vëlla morëm rrugën e flinim nëpër trena që ishte mbushur me shqiptarë. Nuk kisha para të flija nëpër hotele, më ndihmoi një Italian ku të dy ishim fansa të De André. Kam futur para në firmat piramidale, aty humbëm shumë.

Eljan Tanini: -Shpresa vazhdon sipas teje?

Andi Tepelena: -Shqiptarët ikin gati çdo ditë sot, nuk duhet të ikim më kështu, na ndjek një mallkim me aq sa duket. Dua ti rris fëmijët e mi këtu!

Continue Reading

DOSSIER

The Guardian: Futbolli në Shqipërinë staliniste! 90 minutat e vetme kur njerëzit mund të ishin vetvetja

Phil Harrison – The Guardian

Futbolli në Shqipëri është një fiksim kombëtar. Megjithatë, midis fundit të viteve 1960 dhe vdekjes së ngadaltë e të zgjatur të stalinizmit në 1991, ai u bë më shumë se një fiksim i thjeshtë. Në një vend ku rishkrimi i kushtetutës në vitin 1967 u mohoi njerëzve lirinë e besimit, futbolli u bë feja e re, me pelegrinët nga Gjirokastra në Shkodër, Lezha në Sarandë, që mbushnin stadiumet çdo të dielë pasdite në adhurim të “perëndive” të tyre të reja.

Në ato momente të kaosit të urdhëruar, shqiptarët u shfaqën të lirë nga sprovat dhe padrejtësitë e jetëve të tyre të varura, të mbytura nga regjimi, duke transportuar nëpërmjet futbollit dhe përvojës së përbashkët njerëzore, në një fushë më të lartë, atë të gjelbërt; një pamje harmonie dhe lirie.

Për tifozin e mirënjohur të futbollit që jeton në Tiranë, përgatitjet për ditën e ndeshjes nisnin pasditen e së mërkurës.

Në orën 17:00, nga e hëna në të shtunë, sheshi Skënderbej zhytej në një valë trafiku njerëzor, ndërsa punëtorët e Shqipërisë u larguan nga puna e qytetit si funksionarë të regjimit, duke bërë shëtitjet e tyre të shkurtra, ose xhirot me biçikleta nëpër bulevardet e brendshme me pemë në Tiranë, në apartamentet e tyre parafabrikate të ndërtuara nga sovjetikët në periferi të qytetit.

Në atë kohë nuk kishte makina, përveç turbullirës së automjeteve shtetërore me dritare të zeza që dërgonin personalitete në zyrat e tyre të Partisë, ose ulërima e papërmbajtura të kamionëve GAZ-69 në “vrapimet” e tyre të përditshme të municioneve. Autobusët ishin të paktë, taksitë inekzistente.

E mërkura, çdo dy javë, ishte ditë pagese. Pas marrjes së shpërblimit për orët e investuara në kryerjen e roleve të tyre të vogla në realizimin e ëndrrës socialiste të Enver Hoxhës, punëtorët e Shqipërisë, siç është ritual në të gjitha shoqëritë, do të shpenzonin.

Rrugët për shprehjen e vetë-kënaqësisë ishin të kufizuara; një paketë cigare, një revistë e zgjedhur ndoshta, por për sportdashësit e zjarrtë në qytetin më të madh të Shqipërisë, dita e pagesës zakonisht paraprihej nga një vizitë në kioskën e Gimit, pak larg nga sheshi ‘Skënderbej’, nën hijen e Ushtarit të Panjohur.

Gimi, një partizan nga ditët e revolucionit, drejtonte një kioskë metalike vertikale të zgjatur, afërsisht sa një kabinë standarde telefonike. E ngulitur me fjalët ‘Gazeta Revista’, kioska shiste gazetën kombëtare “Zëri i Popullit” dhe revista rekreative, por për sportdashësit në dijeni ajo shërbeu edhe si bileta e miratuar nga qeveria për Federatën Shqiptare të Futbollit.

Futbolli u bë një çlirim social thelbësor për meshkujt shqiptarë, veçanërisht, dhe stadiumet, pa përjashtim ishin plot, me shumicën e tifozëve që merrnin biletat nga Gimi ditë më parë. Ishte e zakonshme që një mbështetës të bllokonte blerjen, zakonisht pesë bileta në të njëjtën kohë: tre për blerësin plus miqtë, përgjithësisht me shtimin e një komisioni prej pesë lekësh. Një çmim i lirë, ndonëse ishte ndër të pakta gjëra në Shqipërinë staliniste. Thjesht duhej të siguroheshe që të mos të kapnin në stadium, ku bashkë me tifozllëkun të flisje diçka më tepër si shfryrje.

Biletat ishin përgjithësisht të disponueshme për tre seksionet e stadiumit: prapa portës dhe një tribunë karshi, ndërkohë, Tribuna, që quhej një zonë e mbuluar, ishte e rezervuar ekskluzivisht për ushtrinë, policinë dhe anëtarët e Partisë.

Tribunat me stola druri të zëna nga proletariati quheshin njëzet, 20-tshe pasi biletat kushtonin 20 lekë. Në njëzetshet, rreshtat dhe numrat e karrigeve nuk përfilleshin, përleshja para ndeshjes për ulëset më të mira, një akt javor i supozuar anarkie. Në rrethinat e regjimentuara të Shqipërisë staliniste, me të gjitha rregullat dhe kufizimet e saj, askush nuk e pranoi konceptin e radhës.

Arben Minga fiton një goditje me kokë për 17 Nëntorin (Tirana) në një ndeshje kundër Tomorit në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në vitet 1980.

Vendi i vetëm që i viheshin re numrat e vendeve ishte në Tribuna. Nga njëzetshet, punëtorët mund të shikonin të pranishmit në Tribuna: ambasadorë të virtytshëm, të nderuar të Partisë, të veshur me palltot e tyre të mira dhe këpucët italiane, të mbrojtur nga elementët natyrorë nga mbulesa e sipërme.

Për ata që ishin mjaft të pakujdesshëm për të mos blerë bileta para ndeshjes, pasonte një përleshje e detyrueshme të dielën për çfarë kishte mbetur të disponueshëm nëpërmjet kapakut të vogël në kioskën e Gimit.

Skenat i ngjanin orëve të hapjes në bursën e Nju Jorkut. Në Shqipërinë staliniste, ku mosmarrëveshjet publike thuajse mungonin, zënkat ndodhnin rregullisht në shesh, pasi mbi 1000 tifozë patën privilegjin javor për të parë heronjtë e tyre të futbollit në veprim.

Ndodhnin edhe arrestimet, Sigurimi (policia sekrete shqiptare) zgjodhi të mbyllte një sy ndaj akteve të sjelljes së këqija të turmës jo-ideologjikisht të motivuar.

Ata që dështuan në kërkimin e biletave të ditës së ndeshjes do të duhej të provonin fatin tek shitësit e tjerë të Tiranës: vrima të vogla në mur, poshtë shkallëve në Stadiumi Dinamo ose Stadiumi Qemal Stafa.

Erdhi e diela, Tirana u gjallërua; një zhurmë e dukshme e emocioneve kolektive që përfshin qytetin. Tifozët mblidheshin në sheshin ‘Skënderbej’ disa orë para fillimit të ndeshjes në orën 15:00 për të pirë cigare dhe për të diskutuar mbi rezultatin e ndeshjes së ditës.

Por, si dukeshin lojërat gjatë këtyre kohërave të errëta e të zhdrejta? Miku im Irvin më tha: “Megjithëse fushat ishin në gjendje të mjerueshme, futbolli ishte i bukur, shumë konkurrues, plot cilësi, inteligjencë dhe aftësi. Dhe atmosfera ishte gjithmonë e mahnitshme; ne praktikisht jetuam për fundjavën. Ishin të vetmet 90 minuta të javës që njerëzit mund të ishin vetvetja; harrojnë jetën dhe gjithçka tjetër dhe bërtasin e këndojnë.”

Gëzimi, megjithatë, ishte gjithmonë i matur, pasi një koment i gabuar dhe i kundërt me sistemin, mund të kishte pasoja të tmerrshme.

“Nëse do të bënit një vërejtje negative për qeverinë, një spiun në turmë do të thërriste një agjent të Sigurimit i cili do të ndërhynte,” tha Irvin.

Golat u festuan në mënyrë euforike.

“Kafenetë dhe baret në ‘rrugën e Elbasanit’ dhuronin disa letra, ose tifozët prisnin gazetat në copëza të vogla për t’i hedhur kur skuadra e tyre shënonte. Por forma më imagjinative e festës ishin pëllumbat. Çdo familje në Shqipëri vazhdon të garojë me pëllumba edhe sot e kësaj dite dhe shumë tifozë do t’i lidhin shirita me ngjyrat e ekipit në këmbë pëllumbave dhe do t’i lëshonin në stadium. Ata do të të prisnin në kafazin e tyre të pëllumbave kur të mbërrije në shtëpi.”

Tifozët do t’i ndjenin ngjarjet në terrenet anembanë vendit duke marrë radiot e tranzistorit të prodhuar në Shqipëri, sa një tullë shtëpie, përthithës valësh primitive me antena të gjata që u montoheshin nëpër tarraca e çati jashtë si shpata duelesh. Në arkivat e videove të epokës, ju mund të shihni dukshëm një legjion thumbash të drejta që shkëlqejnë në diellin e mesditës.

Pak shqiptarë dinin për futboll jashtë kufijve të mbyllur hermetikisht të vendit. Kanë ekzistuar disa njohuri të pëshpëritura për futbollin jugosllav dhe italian, antena të bëra vetë nga konservat e sardeleve apo kanaçet me shkëlqim këpucësh që ofronin njohuri për një botë përtej bunkerëve dhe telave me gjemba. Dita e ndeshjes në Shqipëri rrëmbeu shpirtin e fshehur të një populli që ishte mësuar të bënte atë që i thuhej. Fëmijë të një republike, të cilët, një herë në javë, lejoheshin të dilnin për të luajtur, për të qenë një version i vërtetë i vetvetes. Dhe kjo ndodhte çdo të diel

 

Continue Reading

DOSSIER

Gaz Muça, historia e gangsterit të parë të Tiranës dhe vra*sja nga Naim Zyberi me urdhër të Franc Konomit

Nga Ferdinand Dervishi

Shqiptarët e interesuar janë përballur me informacione tek-tuk të historisë së Gazmend Muçës, të fortit të Tiranës, i cili u bë i njohur menjëherë pas përmbysjes së sistemit komunist. Por cila është e vërteta, ku përfundon realiteti dhe nis legjenda?

Drejtues i një grupi bashkëmoshatarësh të rrugës “Bardhyl”, fama e tij do të kapërcente kryeqytetin në gusht të vitit 1991, pas lajmeve që emetoi eksodi masiv në drejtim të brigjeve italiane.

Saktësisht fama do të vinte përmes rrëfimit gojë me gojë të disa episodeve të udhëtimit të Gaz Muçës dhe grupit të tij, me anijen “Vlora”, në drejtim të portit të Barit, në Itali, dhe sidomos pas ngjarjeve të dhunshme dhe rrëmujshme në stadiumin “Victoria” të këtij qyteti, që të gjitha të pasqyruara në televizionet kryesore italiane.

Në fillim të vitit 1992, kur Gazmend Muça ishte kthyer në Shqipëri, emri i tij, si një bandit që “vret e pret në Tiranë” do të përmendej në Parlament nga deputeti Azem Hajdari – një tjetër episod ky, që shtoi edhe më tepër shpejtësinë e ngritjes përqiell të famës.

Por kush ishte me të vërtetë Gazmend Muça?

A ishte ai një bandit apo kapobandë që vriste e priste përditë, apo gjithçka që perceptohej ishte e ekzagjeruar?

Si u mundësua që, në dy vite të vetme postdiktaturë, shqiptarët të përballeshin me një mikrokriminalitet në rritje të ethshme dhe krejt jashtë kontrollit?

Cilat ishin ngjarjet që do të thyenin ligjet e hekurta të kontrollit absolut policor të kohës së diktaturës?

Ekspertët e policisë së kësaj periudhë kohore janë të mendimit se thyerja e madhe do të ndodhte për shkak të mëkateve të politikës dhe sidomos pas vrasjeve të 4 prillit 1991 në Shkodër. Sipas tyre, pikërsht pas kësaj ngjarjeje autoriteti i policisë ra përtokë, ndërkohë që vendin e lënë bosh e mbushi me shpejtësi mikrokriminaliteti.

Gazmend Muça, i vitlindjes 1969, djali i një berberi me origjinë nga Kavaja, ishte bërë i famshëm mes bashkëmoshatarëve të vet të rrugës “Bardhyl”, qysh në vitin 1985, në moshën 16-vjeçare, pikësëpari për shkak të aftësive fizike.

Kjo sepse adoleshenti Gaz Muça i kishte injektuar vetes besimin e një njeriu fizikisht të pathyeshëm.

Ai duhet të dilte fitues me çdo kusht në ndeshjet e boksit tek e tek mes bashkëmoshatarëve. Edhe po të mundej, ai do vijonte ti ftonte të tjerët në duel derisa një ditë ti ulte në tokë. Më tej, të gjithë ata që rrihte, i bënte miq.

Atraksioni i parë i Gaz Muçës rrëfehet të kenë qenë pëllumbat. Në shtëpinë përdhese të prindërve, që gjendej diku mes zonës që quhet “Xhamlliku” dhe spitalit të fëmijëve, qëllonte që ai të kishte në pronësi edhe 300 pëllumba njëherësh.

Rregullat ishin të ashpra; “Ti s’mund të kesh pëllumba më të bukur se të mitë! Pëllumbat e tu, ose bëhen të mitë, ose do të shfarosen!”

Kënaqësia tjetër e madhe e Gazmend Muçës, sigurisht e ndikuar nga filmat e shumtë artistikë me tematikë betejat e Mesjetës, që televizioni i vetëm shqiptar transmetonte, ishte kalërimi dhe mundësisht pjesëmarrja në ndonjë garë me kuaj.

Por kishte edhe gara të rrezikshme, si për shembull; të rrëzoje kalin përtokë duke e goditur me një grush të vetëm. Si të kopjonte skenën e një filmi western, rrëfehet se Gazi e kishte bërë këtë, duke e hedhur në tokë një kalë të ndërmarrjes komunale.

Gazmend Muça do ta paguante shtrenjtë dëshirën për të kalëruar. Ngjarja kishte këtë rrjedhë: Në vitin 1988, në moshën 19-vjeçare Gazi vjedh një kalë në fermën “Gjergj Dimitrov” të Saukut, por duke zbritur në rrugën e Elbasanit, përplasen me një kamion. Gazi shpëton mrekullisht, por kali ngordh.

Gjykata e dënon Gazmend Muçën me 8 muaj burg “për dëmtim të pasurisë socialiste”. Për habi, shteti i kohës vendos ta mbyllë të fortin e rrugës “Bardhyl” në burgun e Spaçit.

Gazmend Muça kthehet në Tiranë në vitin pasardhës, 1989. Miqtë rrëfejnë se burgu, jo vetëm që e kishte pjekur, por i kishte shtuar edhe famën.

Pikërisht në këtë periudhë Gaz Muça nis të shfaqet, fillimisht në lagjen e vet, dhe më tej, në gjithë Tiranën, i shoqëruar me një grup djemsh që nuk ta përtonin grushtin turinjve, apo një majë thike.

Po kaq shpejt, grupi i Gaz Muçës i qaset edhe lekut. Dëshmohet se fillimisht të hollat i nxirnin me anë të trukimeve të lojës së bixhozit, ndërsa më pas nisnin t’i bien shkurt:

Nisin të sulmojnë pikat ku luhej bixhoz në momentin kur loja përfundonte, duke zhvatur, përmes kërcënimeve, të gjithë xhiron e të hollave.

Grupi që shfaqej me egërsinë e një tufe piranjash, përdorte thika, doreza metalike, leva hekuri. Kryesisht hanin dru vetëm ata që nuk e njihnin Gazmend Muçën.

Gjatë viteve 1990-1991 piranjat e grupit të Gazmend Muçës nisën të bëhen të famshëm edhe pas inkursioneve te tregu industrial, që njihet si “Pazari i Ri”. Si të ishin në mallin e tyre, aty ata zgjidhnin rrobat më të bukura, përlanin ndonjë manjetofon e të tjera.

Ndonjëherë ndodhte që, sapo grupi i të fortëve të shfaqej në krye të rrugës, të gjithë tregtarët të mblidhnin mallim dhe largoheshin në panik.

Largoftë që grupi i Gaz Muçës ti futej dikujt në lokal për të pirë ndonjë gotë! Nëse kjo ndodhte, fillimisht nga lokali zbohej e gjithë klientela, më pas harbimi dhe pirja e alkoolit direkt nga shishet vijonte gjithë natën.

Pikërisht kjo lloj sjelljeje, pas asnjë lloj kthimi mbrapsht, bën që grupi i Gaz Muçës të dallojë mes grupeve të tjera të Tiranës. Ata ishin absolutisht më të fortët. Në lagjen e tyre nuk guxonte të afrohej askush, ndërkohë që ata mund të futeshin në çdo cep të qytetit dhe të mbaronin punë, qoftë duke kërkuar, gjetur dhe rrahur vendçe, ndonjë që guxonte ti sfidonte.

Në këtë periudhë kohore dashuria e re e djemve të rrugës Bardhyl bëhen motocikletat.

Vetë Gazi përdorte një motocikletë SUZUKI të zezë, që nuk është ruajtur. Por aktualisht miqtë e tij, në kujtim të Gaz Muçës dhe kohëve të lavdishme të shkuara, e kanë gjetur një tjetër 100 për 100 identike, madje e kanë targuar dhe e mbajnë në gjendje pune.

Në hapësirën kohore të vitit 1991 fama e Gaz Muçës dhe djemve të rrugës “Bardhyl” kapërcen kufijtë e Tiranës. Pikërisht në këtë kohë, përmes miqve apo të njohurve të përbashkët, në Tiranë, me qëllim për të takuar Gazin, ndenjur pranë tij dhe mësuar prej tij, nisën të vinin dhe disa të fortë nga rrethet, emrat e të cilëve do të bëheshin të njohur, sidomos gjatë vitit 1997.

Miqtë nga rrethet, të cilët ishin të shumtë, Gazi i sistemonte për të fjetur pranë gjimnazit “Çajupi”, në një banesë bosh, që i përkiste një familjeje të larguar me eksodin e ambasadave.

Ndonjëherë, bashkë me miqtë nga rrethet, grupi, edhe 50 vetë bashkë, fiks si një pamjet e filmit “Gangsterët e Nju Jorkut”, shfaqeshin nëpër rrugët e Tiranës duke u kallur datën, së pari tregtarëve të pakicës në tregun industrial.

Në fillim të gushtit 1991, Gazmend Muça, bashkë me grupin e tij, tentojnë të emigrojnë në dejtim të Italisë.

Ata imbarkohen në anijen VLORA, të ngarkuar me sheqer, mes mijëra shqiptarëve të tjerë, që ëndërronin atë ndryshimin magjik të standartit të jetesës.

Dëshmitarët e rrëfejnë Gazmend Muçën të pranishëm në urën e komandimit të anijes, pranë kapitenit të saj, dhe sigurisht si njeriun që kishte njëfarë kontrolli mbi situatën kaotike.

Historia e ndjek pas Gaz Muçën sidomos pasi disa mijëra emigrantë shqiptarë mbyllen në brendësi të stadiumit “Victoria” të qytetit të Barit me qëllim riatdhesimin.

Situatën e ndez pikërisht lajmi për i kthimit mbrapsht në Shqipëri. Të rinjtë e mbyllur në stadium revoltohen. Reagimet, në raport me policinë, me kalimin e orëve, bëhen të dhunshme.

Ndërkohë në brendësi të stadiumit, grupi i Gaz Muçës nis të bëjë ligjin. Policia dhe asistentët e Kryqit të Kuq detyrohen të largohen. Kaosi shtrohet këmbëkryq.

Miqtë rrëfejnë se në mes të rrëmujës së krijuar, Gaz Muça arriti të vendoste të paktën një rregull, të cilin nisën ta respektonin të gjithë: Falë tij, ushqimet, që hidheshin nga ajri me helikopter, u ndaheshin së pari fëmijëve dhe grave.

Por, situata bëhet tejet e rrezikshme kur grupi i Gazit thyen dyert e një ambienti në brendësi të stadiumit duke zbuluar një depo armësh zjarri.

Ishte një arsenal i tërë, përfshirë automatikë, pistoleta deri edhe pushkë snajper.

Pak minuta më pas, krismat në ajër nisin të terrorizojnë, jo vetëm shqiptarët në brendësi të stadiumit, por edhe policinë rreth tij.

Shpejt perimetri i stadiumit rrethohet nga forca policore dhe ushtarake.

Por aventuta vazhdon. Dikur Gaz Muça me grupin, të gjithë të armatosur, hipin në një autobus dhe tentojnë të çajnë kordonet e policisë me qëllim për tu arratisur, por pengesat me blloqe betoni i ndalojnë.

Pas bllokimit nisnin tratativat oër bisedime. Të gjitha marrëveshjet duhet të bëheshin përmes Gazmend Muçës, i cili më pas intervistohet edhe nga të gjitha mediat italiane.

Por, vetë Gazmend Muça, do të ishte zot i stadiumit për pak kohë. Pas dy ditë-netësh, fshehurazi, ai arrin të largohet dhe të niset drejt Francës.

Ndërkohë grupi mbetet, duke e humbur shumë shpejt kontrollin e situatës.

Të paktën dy kaçurrelsë të tjerë, një nga të cilët Arjan Hoxha, një kushëri i Gazit nga Kavaja – nisën të hiqeshin sikur ishin Gazmend Muça. Dhuna dhe plagosjet sidomos me armë të ftohta, nisën të shtoheshin duke përplotësuar atë jehonën e revoltës së dhunshme të emigrantëve shqiptarë në stadiumin “Victoria” të Barit.

Gazmend Muça kalon pak muaj në Francë dhe Gjermani, mes miqsh, por nuk bindet që të nisë jetën e një emigranti. Duket, jeta mes aventurash dhe gjithçka e arritur në Shqipëri, e joshte më tepër, e tërhiqte pas.

Përfundimisht, pas 4-5 muajsh, në fund të vitit 1991, Gazmend Muça kthehet në Tiranë, ku krejt papritur përballet me famën e vet të shumëfishuar.

Fillimi i vitit 1992 e gjen shoqërinë e Gaz Muçës të zgjeruar.

Veç grupit të fortëve, ai kishte shoqëri edhe me pjestarë të forcave speciale të Policisë e të tjerë personazhe, që vite më vonë do tu vinte radha të bëheshin të njohur.

Ndërkohë poshtë, në qytet, partitë politike kishin nisur fushatën për  zgjedhjet e Parlamentare, që do të mbaheshin më 22 mars 1992.

Pikërisht në këtë periudhë Gazmend Muça bën një lëvizje që me gjasa do i kushtonte shumë.

Në një rast, i thirrur nga disa miq gardistë, ai ndihmon Partinë Socialiste të përmbyllë një miting të shoqëruar me antimiting, ku një grup të rinjsh i kishin sulmuar me gurë e me leva.

Pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhje, nuk dihet se pas çfarë shtyse, apo argumenti, deputeti Azem Hajdari, gjatë një fjalimi në Parlament nis të akuzojë policinë që nuk arrestonte të fortin e Tiranës – Gazmend Muçën, i cili “vriste e priste” në lagjen e tij.

Sipas miqve, Gazmend Muça ishte acaruar së tepërmi. Ai i kishte i çuar fjalë Azemit se, kur ta mbërthente, do ja qethte flokët tullë.

Policia e merr në mbrojtje deputetin Azem Hajdari deri në realizimin e një takimi mes të dyve.

Njeriu që bën bashkë dhe ul në bisedime Gazmend Muçën me Azem Hajdarin, do të ishte një tjetër i fortë i Tiranës – Nehat Kulla.

Madje edhe takimi mes të dyve realizohet diku në periferi të Tiranës, në zonën që kontrollohej nga Kulla.

Sipas dëshmitarëve, biseda kishte nisur me tone të ngitura, më pas të dy ishin shtruar, duke u ndarë si miq.

Por për Gazmend Muçën nuk kishte mbetur shumë kohë. Në fillim të prillit 1992, një incident i rëndomtë, do ti ndërpriste udhëtimin e jetës.

Shkak për incidentin do të bëhej Landi, vëllai i Gazmend Muçës.

Ngjarja nis në afërsi të stacionit të trenit, rreth orës 11:00 të datës 7 prill 1992, kur Land Muça dhe Gent Hajdari, tentojnë t’i marrin motocikletën, një VESPA të bardhë, një të njohuri të tyre.

Ngjarja zhvillohet në prezencë të Franc Konomit, një tjetër të forti të Tiranës, të cilin Gaz Muça dhe grupi i tij, nuk e konsideronin.

I ndier i fyer, Franc Konomi e zgjedh t’i japë një shpullë Land Muçës.

Ndërkohë Gazmend Muça, 7 prillin 1992, ditën e fundit të jetës, e kishte nisur me realizimin e disa fotografive, që do të ishin, po ashtu, të fundit.

Më tej, rreth orës 12:30, Gazi i hipën makinës së vet, një Opel-i me targa gjermane, dhe shkon të blejë bojë, pasi i ishte fiksuar që ta lyente me ngjyrë të bardhë.

Për fatin e keq të tij, ndërmarrja kartografike, ku u ble boja, gjendej përballë shtëpisë së Naim Zyberit.

Incidentin me Franc Konomin Gazit ja rrëfejnë orës 14:00. Ai nuk humb kohë për të marrë hak. Por Francin nuk e gjejnë as në lagje, as nëpër pikat e zakonshme të bixhozit.

Në mimutat e fundit të jetës, rreth orës 17:00, Gaz Muça gjendej te “Xhamlliku”, ku një tregtar makinash sapo kishte sjellë një “Ford Sierra”, që Gazi e kishte pëlqyer dhe po i prishej mendja ta blinte.

Pikërisht në këto çate pranë tij ndalon një autoveturë, nga ku zbret Naim Zyberi me kallashnikov në duar.

Ja dhe përshkrimi i ngjarjes sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, që dënonte të pandehurin Naim Zyberi për vrasjen e Gazmend Muçës.

“Në datën 7 prill 1992 pasdite, rreth orës 18, i pandehuri Naim Zyberi ka qenë duke udhëtuar me një automjet të tipit OPEL, makinë të cilën e drejtonte shtetasi i quajtur Franc Konomi. Me makinë ata shkojnë në rrugën “Qemal Stafa” dhe ndalojnë tek lokali i quajtur “Xhamllëku”, përballë shatërvanit, ndërkohë në krahun tjetër të rrugës, përballë automjetit me të cilin ishte i pandehuri, ndodhej viktima Gazmend Muça.

Në këtë moment, ky i fundit, viktima, niset për të dalë në krahun tjetër të rrugës. Në këtë kohë, i pandehuri Naim Zyberi zbret nga dera e dytë e makinës (e pasme) dhe me automatik model 56 qëllon dy herë me breshëri në drejtim të viktimës Gazmend Muça, duke e dëmtuar atë në pjesë të ndryshme të trupit.

Makina me vrasësit erdhi nga unaza, kaloi në vendin ku gjendej Gazi, u kthye mbrapsht rreth 100 metër me lart dhe ndaloi përballë grupit të njerëzve që rrethonin Gazmend Muçën. Dëshmitarët tregojne se Gazmend Muça edhe pse e pa Namimin me kallashnikov në duar, nuk bëri asnjë hap pas, duke i pritur plumbat ballazi, ndërkohë që gjithë të tjerët ishin larguar në panik.

Sa është kuptuar më pas, organizatori i vrasjes ishte pikërisht Franc Konomi, që ishte frikësuar nga hakmarrja e Gazit për shpullën ndaj të vëllait, Rolandit.

I njohur për veprime tinzare, ai kishte futur në lojë Naim Zyberin, duke i mbushur mendjen se Gazmend Muça kërkonte ta vriste.

Naim Zyberi besohet të jetë bindur pasi ka verifikuar se, atë ditë, vërtet Gaz Muca kishte qenë në afërsi të banesës së tij, saktësisht te ndërmarrja kartografike, ku kishte shkuar për të blerë bojë.

Naim Zyberi, ekzekutori i drejtpërdrejtë t Gazmend Muçës, u arrestua pak muaj më pas, më 10 shtator 1992.

Gjatë zhvillimit të gjyqit, që do e dënonte me 25 vite burg për vrasje, ai u mundua të luante kartën e papërgjegjshmërisë mendore, por dështon. Të dhënat janë pasqyruar në vendimin e dënimit.

“Por nga ekspertimi i fundit i bërë gjatë hetimit të çështjes penale për vrasjen e qytetarit Gazmend Muça, del që janë marrë në analizë nga një komision i gjerë eskpertësh edhe dy aktekspertizat e mëparshme dhe në përfundim, pas observimeve për një kohë të gjatë të të pandehurit, është konkluduar qartë dhe shprehimisht se ai – i pandehuri Naim Zyberi, jo vetëm në kohën e kryerjes së krimit, por edhe disa muaj përpara, ka qenë në gjendje normale mendore.

Disa vite më pas, më 1998, Franc Konomi, i akuzuari tjetër për vrasjen e Gazmend Muçës, arrin t’ja hedhë drejtësisë.

Si të ecte mbrapsht në performancën e saj, drejtësia shqiptare e kohës, dështon të gjejë prova për implikimin e tij në vrasje, duke pranuar një version, sipas të cilit, Franc Konomi ishte marrë peng nga Naim Zyberi. Argumenti lexohet në vendimin e pushimit të akuzave ndaj Konomit:

“Pas kryerjes së vrasjes nga i dënuari Naim Zyberi, ky i fundit ka hipur përsëri në sediljen e pasme të makinës së tij, që e drejtonte i pandehuri Franc Konomi dhe kur ka dëgjuar të pandehurin që po e pyeste për motivet qe e shtynë të kryente aktin dhe nuk po lëvizte mjetin, i dënuari Zyberi i ka vënë pas koke të pandehurit Franc Konomi automatikin, që ende e mbante në dorë, duke e urdhëruar atë që të ngiste mjetin me shpejtësi, ose ndryshe do e vriste edhe atë”.

Ceremonia e varrimit të Gazmend Muçës ishte madhështore. Edhe pse binte shi i fortë, për ti dhënë lamtumirën djaloshit 23 vjeçar, shkulet gjysma e Tiranës, duke realizuar një procession të ngjashëm vetëm me atë të Enver Hoxhës.

Gazmend Muça mbahet mend si gangsteri që të binte me grusht. Ai ishte pasonjësi më i denjë i brezit të vjetër të të fortëve të Tiranës që bënë emër gjatë diktaturës. “Frikacaku të vret, trimi të bie me grusht” – thoshte Gaz Muça, që duket se e kishte të vështirë të kuptonte se kohët kishin ndryshuar dhe se tashmë mund të të vriste edhe një kalama.

Ekzekutimi i Gaz Muçës do të mbyllte një epokë. Me vrasjen e tij mund të thuhet se përfundoi epoka e dominimit të të fortëve që e fitonin famën përmes guximit dhe forcës fizike, për ti hapur rrugën nisjes së një epoke të re, të një lloji tjetër të fortësh, të cilët, në vend të grushtave, do të përdorinin armët e zjarrit, në vend të burrërisë – intrigën dhe pabesinë.

Për tu habitur është se si, akoma sot, imazhi i tij, rinia e shprehur, buzëqeshja e ndrojtur, kujtohen me nostalgji, jo vetëm nga ata që e patën të afërm, mik apo shok, por edhe nga të gjithë ata që e njihnin në distancë, qoftë të konceptuar si të fortin e rrugës “Bardhyl”.

 

Continue Reading

DOSSIER

Si e ruajta për 50 vjet, dorëshkrimin e librit të spiunit rus, që e gjeta në shtëpinë e shefit të Sigurimit

Nga Alda Bardhyli

Historia e Yevno Azef, gazetarit dhe revolucionarit rus, i njohur për angazhimet e tij në fillim të viteve 1900, vazhdon të jetë një nga historitë më të lexuara në historinë e spiunazhit. Azef, i njohur si një agjent i dyfishtë dhe provokator, do të tërhiqte vëmendjen e shumë shkrimtarëve të kohës. G. Pevsner, do të hulumtonte jetën e tij për ta sjellë në një libër me titull; “Jeta e dyfishtë e Yevno Azef”, i cili është përkthyer herët në shumë gjuhë. Vitet e fundit të jetës, Azef i kaloi në Gjermani, ku investoi paratë e fituara si agjent, dhe jetoi dashurinë e fundit me një këngëtare gjermane, Nedin. Në vitet 1915-1917, gjatë Luftës së Parë Botërore, ai u internua nga Gjermania, si një armik i huaj, duke vuajtur dënimin në burg.

Pas dënimit, ai jetoi në Berlin, deri sa mbylli sytë më 1918-ën nga sëmundja e veshkave. Varri i tij ndodhet në varrezat e Wilmersdordit, pa asnjë shënim. Por, jeta e Azef, një njeri të cilit Rusia i besoi angazhime të mëdha gjatë Luftës së Parë Botërore dhe para saj, është një mënyrë për të depërtuar në kohën dhe politikën e ish-Bashkimit Sovjetik, dhe për të parë raportet me vendet ku ajo kishte interesa. Libri i G. Pevsner për jetën e Azef në italisht, ka qarkulluar në Shqipërinë e fillimit të komunizmit. Një dorëshkrim, me një kapak vishnje, që i ka mbijetuar lehtë kohës, na sjell një histori tjetër të këtij libri, në gjuhën shqipe.

Dorëshkrimi për më shumë se gjysmë shekulli (57 vjet), ka qenë i fshehur me kujdes në bibliotekën e Shefki Njumës, një qytetar autokton tiranas i pasionuar pas librave, që e ruajti me kujdesin e një njeriu që e njeh gjuhën e librit. Dorëshkrimi ka si përkthyes, Ndoc Naraçin, një personazh të njohur të kohës, sidomos për kontributet e tij, gjatë Mbretërisë së Zogut, duke mbajtur një sërë postesh, që ashtu si Azef, kishte studiuar inxhinieri. Naraçi, ka qenë në vitet 1933-1944 (me dy ndërprerje të vogla) drejtor i Postë Telegrafëve të Shqipërisë. Ka qenë ministër i Punëve Botore, në vitet 1935-1936, dhe një muaj, në vitin 1943.

Me ardhjen e komunizmit në Shqipëri, ai do të dënohej me Gjyqin Special të vitit 1945, fillimisht me vdekje dhe më pas me 30 vjet burg, por do të dilte nga burgu, në vitin 1958. Pas këtij viti, ai do të jetonte në qytetin e Shkodrës, në kushte tejet të vështira. Përkthimin e librit të Yevno Azef, ai duhet ta ketë realizuar gjatë kohës që ishte në burg.

Është shumë i njohur shfrytëzimi që regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe i pasardhësit së tij, Ramiz Alia, u bënte intelektualëve që vuanin dënimet në kampe dhe burgjet politike, për përkthimin e një sërë veprave nga letërsia e huaj, por edhe veprave apo dorëshkrimeve, që mund t’i duheshin atij regjimi. Një prej tyre, duhet të ketë qenë dhe libri mbi jetën e Azef, i cili për shkak të raporteve gjithnjë të trazuara mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, nuk kishte asnjë mundësi të botohej në atë periudhë.

Tregimi që Shefki Njuma bën mbi mënyrën sesi e gjeti këtë dorëshkrim, tregon se ky përkthim, duhet të ketë qenë një porosi për t’u lexuar, nga personazhe apo funksionarë të lartë të Sigurimit të Shtetit e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, të cilët duhet të kishin më shumë njohuri për Rusinë. Njuma ka qenë vetëm 17 vjeç, diku në vitet 1959-1960, kur duke luajtur në oborrin e shtëpisë së gjeneral-major Halim Xhelos, (ish-shef i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), me të birin e tij Vladimirin, do të pikaste një dorëshkrim, i cili rrinte prej disa ditësh diku në një cep të oborrit. Djaloshi i dhënë herët pas leximit, do ta ndiente menjëherë se kishte të bënte me një libër jo të zakonshëm, nga moria e librave që botohej në atë periudhë.

“E shfletova dorëshkrimin dhe m’u duk një libër i rrallë për kohën, dhe e mora ta ruaja në shtëpi”, tregon Njuma. Në faqen e parë të dorëshkrimit ishte shkruar; “porosi për kolonel Halim Xhelon”, çka tregon se përkthimi është realizuar gjatë kohës kur Naraçaj ka qenë në burg. Deri në vitet ’90-të, ky dorëshkrim ka qenë i fshehur me kujdes, diku në bibliotekën e familjes Njuma, për t’u shfletuar herë pas here nga Shefkiu, i cili do të “udhëtonte” shpesh në jetën e një prej personazheve më të njohur të spiunazhit rus. Por përtej jetës së Azefit, libri është dhe një leksion mbi revolucionin dhe shumë personazhe të kohës. Për ta pasur me të sigurt dorëshkrimin, ai do të griste faqen e parë ku ishte shkruar emri i gjeneral Halim Xhelos.

“E grisa faqen e parë, pasi pasja e këtij dorëshkrimi, duke pasur parasysh kohën, të bënte të kishe frikë. Por nuk ia kam dhënë njeriu për ta lexuar”, thotë ai. Pas viteve ’90-të, dorëshkrimin ia ka dhënë për lexim miqve, me të cilët ndan shpesh biseda librash. Libri duhet të jetë përkthyer diku në vitin 1945, pasi deri në vitin 1944, Naraçi nuk ishte i njohur për përkthyes, por si një nga inxhinierët e mirë të kohës. Por kultura e formimit të tij, bën që përkthimi të ketë një gjuhë dhe një shqipe të pastër.

Libri nis me lëvizjen revolucionare ruse, nga viti 1825, deri më 1894. “Shkrimtarët që janë marrë direkt, ose indirekt me këtë argument, nuk kanë nguruar të nënvizojnë karakterin e veçantë dhe të jashtëzakonshëm të terrorizmit rus. Të gjitha, ose gati të gjitha lëvizjet revolucionare, në çfarëdo vendi qoftë, përfundojnë fatalisht në shfaqje terroriste, veçanërisht në çastet e tensionit të madh”, shkruan G.Pevsner.

Por sipas tij, në të shumtën e rasteve, kemi të bëjmë me episode sporadike të shkaktuara nga niciativa personale të njerëzve ose, grupeve autonome fanatike të dhunës, të cilët nuk kanë të bëjnë fare me organizatat revolucionare, të angazhuara në luftë dhe shpeshherë as që njihen mirë. “Por në Rusi, për më se një të katërtën të shekullit, ne mund të shohim fenomenin e tmerrshëm të terrorit të përdorur në shkallë të gjerë, si mjet më i thjeshtë dhe më direkt i luftës politike dhe të aplikuar me këmbëngulje, sipas një logjike të ftohtë dhe brutale.

Për afro 30 vjet, në periudha pak a shumë të gjatë, policisë cariste, iu desh të matej për shkathtësi dhe guxim, me grupe terroriste të organizuara mbi baza të shëndosha, të pajisura gjerësisht, me mjetet e duhura të drejtuara nga njerëz metodikë dhe të vendosur, të cilët paraqesin figurën e revolucionarit siç e ka përcaktuar njëri prej tyre, Naçajevi të cilin, Dostojevski e pikturoi me mjeshtëri në romancën e tij; ‘Demonët’, nën emrin e Pjetër Verkovenskit”, shkruan G. Pevsner.

Për të mbërritur në rrëfimin e jetës së Yevno Azef, ai kërkon të shpjegojë lëvizjen revolucionare, duke filozofuar se çfarë është në thelb një revolucionar. “Revolucionari është një njeri i dënuar paraprakisht. Ai nuk duhet të ketë as lidhje personale, as gjëra, as njerëz të dashur, dhe duhet të heqë dorë dhe nga emri i vetë. Ai duhet të përqendrohet krejtësisht në një pasion të vetëm, në revolucionin. Studimet e tij, duhet t’u kushtohen vetëm atyre shkencave, që mund t’i shërbejnë për veprën e tij, por mbi të gjitha, ai duhet të mësojë të njohë njerëzit, për t’i sunduar, për të shfrytëzuar në dobinë e revolucionit, dobësitë dhe sekretet e tyre, pa skrupull dhe pa mëshirë”, shkruan Pevsner.

Në fakt, kjo ishte skaleta ku do të shtrihej jeta e Azef. Ai duhet të kishte vetëm një qëllim, revolucionin, e të bënte jetën e një revolucionari, të zhveshur nga ndjesitë dhe varësitë e një njeriu të zakonshëm. Teksa flet për revolucionarët e periudhës 1870-1880, ai thotë se; ata nuk mund të pranonin pa neveritje idetë e Neçajevit.

Ai merr rastin e vrasjes së studentit Ivanov, duke thënë se ishte më tepër një hakmarrje personale; sesa ndëshkimi i një tradhtari (thuhej në mes të tjerave se Ivanov ishte eliminuar për shkak se kishte shfaqur ndonjë dyshim mbi ekzistencën e të famshmit Komitet Qendror, dhe hodhi një hije dyshimi mbi figurën morale të Neçajevit). Duke iu referuar historianëve, ai thotë se ata kanë rënë dakord që të konsiderojnë konspiracion romantik dhe aristokratik të dekabristave (1816-1825) si fillimin e kësaj lëvizjeje.

Kur përdor emrin “romantik”, ai u referohet më tepër nxitjeve të jashtme me të cilat, konspiratorët u bindeshin në mënyrë inkoshiente disa qëndrimeve të tyre dhe mbi të gjitha paaftësisë së treguar nga ana e tyre në çastin e veprimit, sesa ideve politike të tyre. Këto ishin ndër më radikalet, duke u nisur nga dëshira për të suprimuar absolutizmin carist, ose për ta zbutur duke imponuar një regjim parlamentar të tipit anglez, dekabristat, në saj të veprës së njërit prej tyre, të kolonelit Pestel, njeriu më inteligjent i epokës së tij, sipas Pushkinit, për të cilin kundërshtarët thoshin se ishte e kotë të diskutohej me të, sepse ai kishte gjithnjë të drejtë…! Interesante në libër është periudha që Azev kaloi në Gjermani. Nisja e luftës mes Gjermanisë dhe Rusisë, do t’i sillte një të papritur të papëlqyeshme edhe Azevit.

Ai kishte investuar gjithë kapitalin e tij, në titujt rusë. Shpallja e luftës, shënoi dhe kapitullimin e tij financiar. Por Azevi, nuk ishte një njeri që dorëzohej lehtë. Me paratë që mundi të shpëtonte dhe nga shitja që i bëri disa stolive, që ia kishte falur mikeshës së tij, ai hapi një atelier për korsetë, të cilit iu kushtua me të gjithë durimin dhe shpirtin e tij, të niciativës që jeta aventurore dhe e komplikuar e kishte frymëzuar. Në fillim, dyqani i shkoi shumë mirë. Goditja më e rëndë, do t’i vinte më 12 qershor 1915. Në mbrëmjen e ditës së mëparshme, në një kafe të Fridrihshtrasen, kishte hasur një funksionar të policisë sekrete, i cili e njihte emrin e tij të vërtetë dhe e kishte parë.

Azevi ishte kthyer në shtëpi tepër i tronditur dhe plot parandjenja të errëta, rreth pasojave që mund të kishte nga kjo rastësi. “Ai më ka njohur, çështja do të përfundojë keq”, i kishte thënë mikeshës së tij, kur hyri në shtëpi. Natën e kishte kaluar duke rregulluar shkresat dhe zhdukur letra e dokumente të panumërta. Ishte kohë lufte, gjermanët nuk talleshin dhe këtë ai e dinte.

Frika e tij, u vërtetua menjëherë. Të nesërmen në mëngjes, ndërsa po dilte nga stacioni i hekurudhës nëntokësore, një i panjohur iu afrua dhe iu paraqit si agjent i policisë sekrete. Pasi shkëmbyen disa fjalë, Azevit iu desh të shkonte me të. Pasi u mor në pyetje për herë të parë dhe shkurtimisht në polici, ai u dërgua në burgun e Moabitit dhe u mbyll në një birucë të izoluar, të lagur dhe të errët.

Përse e kishin arrestuar? Ai nuk arrinte ta shpjegonte dhe askush nuk ia thoshte. E vetmja gjë që kuptoi ishte se ai nuk do të lirohej. Pas një sërë peripecish në burg, shqetësimi i vetëm në këtë pjesë të jetës së tij ishte Nedi, e dashura e tij gjermane. Pas burgosjes së tij ajo detyrohet të shesë të gjitha stolitë, pasi lufta për mbijetesë ishte e ashpër. Dhjetëra letra ai i shkroi asaj duke dashur t’i lehtësonte me fjalë mungesën. “Unë kam pasur fatkeqësinë më të madhe që mund t’i vijnë një njeriu të pafajshëm”, i shkruante ai në një letër.

“Fatkeqësia ime nuk gjen krahasim, veçse me atë të kapitenit Draifus”. Dhe në një tjetër letër ai i shkruan: “Ti je nga të gjithë njerëzit, personi i vetëm që qëndron afër meje, aq afër, sa që nuk ndjenjë asnjë ndarje mes nesh. Aty ku je ti jam edhe unë e këtu nuk janë fjalë boshe”. “Ti je e dashura ime”, i thotë në një tjetër letër, “je i vetmi person që interesohet për mua, rreth e përqark meje është shkretëtirë. Ti mund ta përfytyrosh se sa më dhimbset. Zoti duhet të më japë forcën që mund të ndihmoj”.

Sipas G. Pevsner, Azev nuk ka besuar kurrë në Zotin, por tani që fatkeqësia e ka goditur, ai lutet për vete dhe mikeshën e tij. “Lotët e tu më shkyejnë zemrën”, shkruan ai në një çast të trishtuar. “Nuk mund t’i shoh lotët e tu. Mos u trishto për mua. Me ndihmën e Zotit do të durojë gjithçka. Mjaft që ti të jesh mirë. Unë lus Zotin vetëm për ty. Më brengos fakti që ti vuan aq shumë për mua, që nga ky shkak, nervat e tua janë të shkatërruara. O e dashura ime, ti nuk duhesh të bëhesh merak për mua. Zoti do më japë forcën, për t’u qëndruar të gjitha fatkeqësive. Mjaft që ti të jesh e qetë dhe e shëndoshë”.

Janë tepër të ndjera ngjarjet vitet e fundit të jetës së tij. Sesi një njeri që i kishte prirë revolucionit, tashmë shqetësohet për zemrën e brishtë të një gruaje. “Pas lutjes sime’, – thotë ai në një tjetër letër – ‘shpirti im është gjithmonë i kënaqur dhe i fortë. Nga ndonjëherë bile edhe vuajtjet e bëjnë më të fortë.

Por edhe në vuajtjet njeriu gjen lumturinë, kontaktin me Zotin”. Janë interesante këshillat që ai i jep asaj…; ”Fol vetëm për çfarë është e nevojshme. Mos harro se të tjerët bazohen mbi ty, por ti mos u bazo kurrë mbi të tjerët. Kurseji të hollat, as më tepër as më pak sesa meritojnë; këto janë një shërbëtor i mirë, por një zotëri i keq. Mos i përbuz njerëzit, mos i urre. Mejtoje vdekjen çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje…”!

Ai do të lirohej nga burgu natën e Krishtlindjeve më 1917-ën. Në vazhdim të revolucionit dhe të paqes së Brest-Litovskit, duhej të bëhej shkëmbimi i robëve rusë dhe atyre gjermanë, për këtë arsye ai u lirua. Rusia e vjetër ishte shembur. Qeveria jetëshkurtër e Kerenskut, në të cilën disa social-revolucionarë kishin pasur pozita të rëndësishme, kishte kaluar për së shpejti. Revolucioni rus, zhvillohej me shpejtësi të madhe. Para portës së burgut, e priste Nedi. Por burgu i gjatë, ia kishte rrënuar shëndetin dhe ashpërsuar karakterin e tij. Në shtëpinë e mikeshës, ai nisi të hakmerrej kundër gjermanëve, që e kishin mbajtur në burg padrejtësisht, për një kohë të gjatë.

Nga frika se mund të dërgohej në Rusi, ai mendonte se do të ishte më e arsyeshme, ta linte Gjermaninë dhe të vendosej në Zvicër. Por Gjermania ishte akoma në luftë me fuqitë e Antantës dhe kalimi në tokën zvicerane, nuk ishte i lejuar. Atij iu desh t’i nënshtrohej fatit dhe të qëndronte në Berlin, ku lufta për jetesën bëhej gjithnjë më e ashpër. Por sëmundja nuk do ta linte të shpresonte gjatë, pasi më 24 prill 1918, ai do të mbyllte sytë në moshën 49-vjeçare. Mikesha e tij, Nedi, do t’i bënte një funeral madhështor, duke e shoqëruar e vetme për në banesën e fundit. Mbi varrin e tij, nuk pati asnjë gur, asnjë mbishkrim, por vetëm lulet, që Nedi linte për të.

Historia e këtij personazhi, është historia e të gjithë atyre njerëzve që besojnë në një ideal, dhe vendosin jetën në qëllim të një kauze. Një libër frymëzues, shkruar me stilin e një biografi, që ka ditur të gjejë të gjitha faktet dhe detajet që do ta bënin të plotë jetën e Azev. Një libër që u përkthye në burgjet e komunizmit, nga një njeri që ashtu si Azev, kaloi një pjesë të jetës në burg, e më pas vdiq në internim. Ka shumë histori që shoqërojnë jetën e një libri, i cili duket se nuk përfundon asnjëherë me faqen e fundit, por çdo faqe e re lind, pas takimeve që libri ka me lexues, apo përkthyes, që i japin një tjetër dimension atij.

Ashtu si dorëshkrimi vishnjë, që Shefki Njuma e deshi më shumë, mes qindra librave që kishte në bibliotekë. Sipas autorit të librit, fati i “disa personazheve të përmendura në këtë histori është i çuditshëm dhe plot aventura shpesh herë tragjike”. “Boris Davinkovi përpara luftës, qëndroi për disa kohë në Itali, pastaj u transferua në jugun e Francës , ku u mor me punime letrare të tija dhe qëndroi gjatë gjithë kohës së luftës. Pas shembjes së regjimit carist, u kthye në Rusi. Mori pjesë në qeverinë e përkohshme, e formuar nga Kerenski, si guvernator i Petërsburgut, komisar i luftës, nënsekretar shteti dhe ministër. Pas ardhjes në fuqi të bolshevikëve, iku nga Petërburgu dhe hyri në radhët e ushtrisë anti-bolshevike.

Në vitin 1918, u dërgua në Paris si shef i misionit ushtarak i qeverisë së re të formuar në Omsk, e cila u zëvendësua menjëherë nga ajo e admiralit Kollçak, dhe bëri pjesë në misionin e ambasadorëve, në të njëjtën kohë, hapi në Paris një zyrë propagande anti-bolshevike. Në vitin 1921, vajti në Poloni ku organizoi reparte të reja anti-bolshevike, por tentativa për të kaluar kufirin së bashku me këto reparte, dështoi”…! Por në thelb të revolucionit është Azevi, një personazh që teksa e sheh përmes fjalësh në dorëshkrimin e zverdhur nga koha, të sjell aromën e një kohe të cilën, ende se kemi lexuar siç duhet, në librat e historisë. Memorie.al

Continue Reading

DOSSIER

Koçi Xoxe, nuk ishte një injorant apo teneqexhi, siç e ka paraqitur Enveri, ai kishte…

Nga Gjergj Titani

Për herë të parë, kemi mundur të sigurojmë rrëfimin e dëshmitarit të shumë ngjarjeve historike. Bashkëbisedimi me Pandi Kriston, personalitet i lartë i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, u zhvillua në Tiranë, në shtëpinë e dhëndrit të tij, Robert Vullkani, ku ishte i detyruar të banonte, kur u lirua nga internimi, pasi shteti demokratik shqiptar, nuk i dha kurrë shtëpi. Regjimi, për të cilin luftoi, e vuri në shënjestër, për ta likuiduar Pandi Kriston, duke e radhitur atë në grupin e Koçi Xoxes, dënuar për “veprimtari armiqësore”. Për 42 vjet me radhë, do të endej burgjeve të diktaturës komuniste dhe internimeve të njëpasnjëshme, deri kur u rrëzua përgjithmonë komunizmi, në fillimin e viteve ´90-të. Intervista është realizuar në vitet 1992 – 1993 dhe me kalimin e viteve, është plotësuar, sipas kujtimeve dhe arkivit familjar të vajzës së Pandit, Asamble Kristo (Vullkani), motrës, veterane e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhëndrit të tij, Robert Vullkani dhe kujtimeve të bashkëkohësve të shumtë. Ja rrëfimi i Pandi Kristos.

Zoti Pandi, cilat ishin përshtypjet tuaja për organizimin dhe zhvillimin e Konferencës së Parë të vendit?

Kishte hyrë viti 1943, lufta po merrte përmasa gjithnjë e më të gjera. Nga muaji në muaj, po formoheshin çetat e armatosura partizane dhe ato nacionaliste. Ne, komunistët, numëronim rreth 2000-3000 partizanë dhe rreth 6000-7000 mijë anëtarë të njësiteve guerile e çetave territoriale dhe nëpër fshatra. Në Qarkun e Korçës, ishin zhvilluar, përveç luftimeve të shkëputura dhe goditjeve që i’u bëheshin garnizoneve të vogla ushtarake të armikut, edhe beteja për çlirimin e zonës së Voskopojës, Leskovikut, Barmashit, Përmetit dhe Këlcyrës.

Po luftohej për krijimin e një zone të gjerë të çliruar, nën drejtimin e një shtabi operativ të përkohshëm, ku spikasnin komandantët, Nexhip Vinçani e Gjin Marku. Pikërisht në këto luftime, pati të plagosur, dhe shumë pak të vrarë, midis tyre Asim Zeneli, (“Hero i Popullit”). Të zhvillosh luftime të suksesshme, me sa më pak humbje, ky ishte parimi logjik i Nexhip Vinçanit.

Mbaj mend, se ai dhe komisari i tij, Pëllumb Dishnica, nuk mburreshin kurrë për këtë. Ata të dy, pas çdo aktiviteti luftarak, do të raportonin në qendër: “Operacioni u krye me sukses. Të vrarë s’ka, të plagosur shumë pak”. Aktiviteti luftarak i forcave partizane, po rritej. Në këto kushte edhe Partia Komuniste Shqiptare, po rritej e zgjerohej, jo vetëm në qytetet kryesore e qendrat e banuara, por edhe në forcat e armatosura. Tashmë, PKSH-ja, kishte rreth 600-700 anëtarë, dhe organizatat bazë të të cilëve, duhet të dërgonin në konferencë, 65-70 delegatë e të ftuar.

Më kujtohet se u mbajtën pesë referate; për çështjet organizative, politike, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Ushtrinë dhe për bashkimin luftarak të punëtorëve dhe fshatarëve. Përveç kësaj, u mbajtën edhe disa nën referate, si: “Për organizatën antifashiste të gruas shqiptare”, “për rininë komuniste”, “për çështjet e financave të partisë”, etj. Më në fund, Konferenca e Parë e vendit e PKSH-së, do të kryente zgjedhjet e Komitetit Qendror të përhershëm të PKSH-së. Dua të them se, asnjë aktivitet, përveç këtij që po flasim, nuk është kryer me kaq rregull partiak.

Nga Qarku i Korçës, i cili mbledhjen e tij, e organizoi në fshatin Polenë, dhe punimet e saj, i drejtoi Dr. Ymer Dishnica, i kooptuar në Komitetin Qendror të PKSH-së, u zgjodhën gjashtë delegatë dhe dy të ftuar. Nuk mund t´i harroj emrat e tyre kurrsesi. Pra: Naxhije Dume, unë, Petro Papi, Nesti Kerenxhi, Pëllumb Dishnica, Nexhip Vinçani dhe të ftuarit, Miha Lako dhe Pilo Peristeri, ishim plot shtatë përfaqësuesit e këtij Qarku, dhe u nisëm për në Konferencën e Parë të vendit të PKSH-së, e cila u mblodh nga 17-22 mars 1943, në Labinot të Elbasanit.

Cilat ishin disa nga pikat më të diskutueshme të kësaj Konference me përmasa të gjera, e cila zhvillohej një vit e gjysëm, pas formimit të PKSH-së?

Së pari, dua të theksoj një fakt, që është i njohur nga të gjithë. Partia jonë, në mbledhjen e saj themeluese, nuk zgjodhi Sekretar të Përgjithshëm, madje as Sekretar Organizativ, por ndau detyra për të shtatë anëtarët e Komitetit Qendror të përkohshëm. Nuk do të ishte e tepërt të përmendnim që, detyrat që iu ngarkuan Enver Hoxhës, nuk ishin as më shumë dhe as më pak, veçse thjesht, mbajtja e protokollit të mbledhjes dhe detyrat për mbledhjen e kuotave të partisë, si dhe adjutantllëku hap pas hapi, dhe pas kurrizit të Miladin Popoviçit. Ajo që është më e habitshmja dhe më e papranueshmja, në punimet e kësaj konference, është se kur u procedua për të kaluar në zgjedhjet e reja të Komitetit Qendror të përhershëm, Enver Hoxha bëri një propozim, që “i mahniti të gjithë”, sepse ai propozoi, që në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PKSH-së, të ishte Josif Broz Tito.

Sado i çuditshëm duket ky propozim, ky është një fakt, i cili ngjalli diskutime midis delegatëve të konferencës. Reagimi ishte i menjëhershëm dhe shokët me radhë thanë: “Ç´thua more Enver. Ç’është ky propozim që bënë ti?! Ne, nuk po zgjedhim Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste Jugosllave, por po zgjedhim sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare”. Gjithsesi, nga dokumentet arkivore shqiptare, por edhe nga ato zyrtare jugosllave, që kam patur mundësinë t´i lexoj kohët e fundit, del se për t’u zgjedhur Enveri, Sekretar i Përgjithshëm, ishte insistimi dhe këmbëngulja e Miladinit. Fatalisht, në këtë kohë, Koçi Xoxe, ishte i burgosur në Tiranë, ndaj u zgjodh në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PKSH-së, Enver Hoxha.

Kjo përzgjedhje ishte gabimi më shkatërrimtar dhe këtu nis uzurpimi që do t’i bënte më vonë PKSH-së, të themeluar me aq mund e sakrifica, nga përfaqësuesit e klasës punëtore shqiptare. Si rezultat i ndërhyrjeve brutale, të Miladin Popoviçit dhe përfaqësuesve të tjerë të Partisë Komuniste Jugosllave, të cilët e quanin veten të plotfuqishëm; mungesës së përvojës, kompleksit të theksuar e naiv të udhëheqësve të kësaj klase punëtore të brishtë, të nënshtruar ndaj përfaqësuesve të huaj, ky bandit politik dhe lakenjtë e tij, siç i ka cilësuar më pas i mençuri dhe guximtari, Sejfulla Meleshova, arriti të bëhej i pushtetshëm. Sekretar Organizativ i Komitetit Qendror të PKSH-së, ndonëse në mungesë, u zgjodh Koçi Xoxe, për të cilin nuk mund të themi kurrë, se u zgjodh si rezultat i përkrahjes së ndokujt.

Arsyet që Koçi u zgjodh në këtë funksion të rëndësishëm, ishin se ai, si askush, organizoi dhe çoi përpara aktivitetin e Grupit Komunist të Korçës, dha ndihmesë të veçantë për themelimin, organizimin dhe zgjerimin e PKSH-së, drejtoi një luftë heroike brenda në burg. Kam dëgjuar të thuhet, se; Koçi Xoxe, ishte një teneqexhi injorant, i pakulturë, që nuk njihte asgjë nga lëvizja komuniste kombëtare dhe ndërkombëtare, se ishte arrogant e të tjera gënjeshtra si këto.

Nuk dua gjithsesi të jem taksativ. Koha do ta tregojë se kush ishte Koçi Xoxe, por dua të them shkurt, tre-katër konsiderata personale për të. Ai ishte me origjinë punëtore dhe teneqexhi apo llamarinist i nderuar, ishte babai i tij, Dhimitri, të cilin e nderonin të gjithë si në Negovan të Follorinës, ashtu edhe në Korçë, Tiranë, Berat, Vlorë e të tjerë. Koçi, nuk ishte injorant, por siç kam dëgjuar, një nxënës i shkëlqyer dhe që në regjistrat e shkollës, nuk kishte nota, veç cilësimin “shkëlqyeshëm”.

Ai nuk mund të ishte injorant, kur rridhte nga një rreth familjar i përsosur. Gjyshi i tij, bashkë me Petro Nini Luarasin, patriotin, dëshmorin e arsimit kombëtar kolonjar, drejtonin shkollën e Negovanit, përkrahën, mbështetën dhe ishin delegatë të dy Kongreseve të Manastirit. Koçi, njihte përsosmërish disa gjuhë të huaja, të rajonit dhe perëndimore, dhe për gjashtë-shtatë vjet rresht, bashkë me një grup komunistësh, perfeksionuan gjuhën frënge te profesor Spiro Xega, të cilin, ne anëtarët e vjetër të Grupit Komunist të Korçës, e kishim njeriun tonë deri vonë.

Lidhjet me profesor Xegën dhe qarkorin e Korçës, janë mbajtur nëpërmjet aktivistit të shquar e, më pas dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, shokut tonë, Gaqo Korroveshi, të cilin e kisha shumë shok. Ata, që duan ta njollosin personalisht Koçin, me epitete të tilla, ose nuk e kanë njohur nga afër aktivitetin e shquar të tij, kanë komplekse me të, ose mbajnë ison e Enver Hoxhës, për shumë arsye.

Dua të dëshmoj se, përpara se të mblidhej Konferenca e Parë e vendit, u informuam nga Blazho Jovanoviç, se Partia Komuniste Shqiptare ishte njohur nga Partia Komuniste Jugosllave dhe Kominterni, që jo shumë vonë do të ngrinte aktivitetin e tij, sipas kërkesave dhe këmbënguljes të udhëheqësve perëndimorë antifashistë, e kryesisht, presidentit amerikan, Rusvelt dhe Kryeministrit britanik, Çurçill. Në Konferencën e Parë të vendit, u hodh ideja që së shpejti, të bëhej një mbledhje më e ngushtë, për të zgjedhur Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Shqiptare, e cila e kishte mëse të domosdoshëm drejtimin e saj të centralizuar, sepse tashmë, ushtria partizane po kalonte nga faza e krijimit masiv, të batalioneve partizane dhe territorial, në fazën e krijimit të brigadave. Ne, në Korçë, do të kishim nderin të përgatitnim, inaugurimin e Brigadës së Parë Sulmuese partizane, e cila u themelua më 15 gusht të vitit 1943, në Vithkuq të Korçës.

Ju ishit komisar i shtabit të Qarkut të Korçës, mund të na thoni përpjekjet që u bënë për formimin e Shtabit të Përgjithshëm më 10 korrik të vitit 1943 dhe influenca që pati ai në çlirimin e vendit?

Nga 4-10 korrik të vitit 1943, në Labinot, të Elbasanit, u mblodh Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili vendosi, formimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Domosdoshmërinë e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në mënyrë që organizimi dhe drejtimi i veprimeve luftarake, organizimi i operacioneve të mëdha dhe krijimi tashmë të brigadave partizane, si fazë e re e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e kërkonte koha dhe faza e re, në të cilën ishte ngritur lufta.

Ndarja, e drejtimit të luftës së armatosur, nga drejtimi politik me dy shtabe të specializuara, siç ishin; Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe Komiteti Qendror i PKSH-së, përsëri ishte i domosdoshëm, në mënyrë që drejtimi i luftës së armatosur, të bëhej me organizmat e vet të specializuar, si; Komanda e Përgjithshme, Shtabi i Përgjithshëm, Shtabet e Qarqeve dhe të Zonave, Shtabet e Brigadave, e kështu me radhë.

Në përbërjen e Shtabit të Përgjithshëm, përveç anëtarëve të Komitetit Qendror dhe të Byrosë Politike, ishin kuadro të tjerë me prirje dhe aftësi ushtarake. Me sa më kujtohet, Shtabi i Përgjithshëm, përbëhej nga 12 anëtarë, që ishin: Spiro Moisiu, Enver Hoxha, Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Baba Faja (Mustafa Xhani), Dali Ndreu, Bedri Spahiu, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica dhe Sejfulla Maleshova. Komandant i këtij shtabi, u zgjodh 40-vjeçari Spiro Moisiu, i cili, vinte në këtë detyrë, me bagazhin e një karriere të gjatë e të respektuar, ku spikatnin jo vetëm aftësitë e profesionalizmit ushtarak, por edhe dinjiteti i tij vetjak, e atdhedashuria. Komisar Politik i Shtabit u zgjodh Enver Hoxha, i cili i jepte autoritet edhe më të madh këtij organi të specializuar ushtarak, duke qenë edhe Sekretar i Përgjithshëm i PKSH-së.

Nuk marr përsipër dhe nuk pretendoj të japë një portret të plotë të Enver Hoxhës, në këtë fushë, sepse personaliteti i tij kompleks, që sundoi me grusht të hekurt skenën politike e shtetërore shqiptare, nuk mund të jepet në një intervistë si kjo dhe me shënimet që kam nxjerrë unë nga përvoja ime. Mendimet e mia, janë thellësisht mendimet e një njeriu dhe doemos, ato mbajnë në vetvete subjektivizmin e tij.

E kam njohur Enverin, që në rininë e hershme të tij, dhe në shumë raste nga ato që pretendon ky njeri, për Grupin Komunist të Korçës e, personalitete të shquara të Lëvizjes Komuniste e Punëtore shqiptare, themelimin e PKSH-së, ngjarje madhore të historisë së saj dhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, aktivitete të ndryshme si Plenume të Komitetit Qendror, mbledhje të Byrosë Politike, Konferenca dhe mbledhje të rëndësishme kombëtare, unë do të përpiqem të jem i hapur dhe të them mendimin tim, si komunist dhe antifashist i vjetër, si anëtar i Komitetit Qendror dhe Byrosë, e si anëtar i Qeverisë.

Këtij njeriu, në shumë raste, ia ka dashur puna, interesi dhe situatat politike, të shtrembërojë të vërtetat, çka unë sot, që po bisedojmë bashkë, nuk mund të pajtohem me të. Në të njëjtën kohë, do të pres me qetësi vërejtjet dhe kritikat e kundërshtarëve të mi, ashtu si do të pres me dashuri, sugjerimet dhe mendimet e shokëve të mi të luftës dhe të punës.

Duke pasur parasysh përbërjen heterogjene të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL, a pati mendime alternative dhe mospajtime në marrjen e vendimeve?

Sigurisht që po. Aq më tepër që, ende pushteti personal i personaliteteve të ndryshme të LANÇ-it, nuk ishte kristalizuar. Në përbërjen e Shtabit, siç shihet edhe nga emrat që përmenda, të cilët iu përkasin bindjeve dhe krahëve të ndryshëm politikë, si për shembull; Abaz Kupi, ishte përfaqësues i forcave të armatosure të Legalitetit, Haxhi Lleshi, Baba Faja, Myslim Peza e Mustafa Gjinishi, personalitete me prirje të theksuara nacionaliste, si Spiro Moisiu, Bedri Spahiu e Dali Ndreu, personalitete me prirje thelbësisht ushtarake si Sejfulla Maleshova, Ymer Dishnica, Ramadan Çitaku, përfshi këtu edhe siç jam shprehur më lart, prezencën e Enver Hoxhës, të përkëdhelurin e Miladin Popoviçit, ishin personalitete që vinin nga radhët e inteligjencës. Në këto kushte, nuk kishte se si të mos shpreheshin nga ky grupim heterogjen, mendime alternative, ndryshe nga vendimet e Komitetit Qendror të PKSH-së, apo trojkës Miladin, Enver, Dushan, kur ata vendosnin apriori, pa pyetur për mendimin kolegjial të Shtabit të Përgjithshëm.

Me këtë arsyetim, shpjegohet edhe ftohja e më pas largimi i Abaz Kupit, apo armiqësimi i Myslim Pezës me Enver Hoxhën, pas vrasjes së Mustafa Gjinishit, të cilin e kishte jo vetëm mikun e familjes së tij, dhe e konsideronte si djalë, por kishte kaluar së bashku me të dhe Kajo Karafilin, ditët e vështira të emigracionit politik. Pas formimit të Shtabit të Përgjithshëm, i cili u bë i njohur në të gjithë vendin, me anën e një proklamate, do të vinte faza e krijimit të njësive të mëdha taktiko-operative, brigadat dhe më pas divizionet.

Duke iu kthyer edhe njëherë ndodhive të asaj kohe, unë them sinqerisht, se Shtabi i Përgjithshëm, puna e të cilit u përqendrua në dorën e tre-katër vetave, përveç fakteve të njohura pozitive të drejtimit të luftës, ka përgjegjësi edhe për mjaft gabime të rënda. Një nga këto gabime, është ai i Operacionit armik të Dimrit, ku fati i luftës, qëndroi varur në fije të perit, si rezultat i shkëputjes së Shtabit të Përgjithshëm, nga drejtimi i forcave kryesore.

Drejtimin e luftimeve në Jug të vendit, e mori në dorë Grupi Operativ i Shtabit të Përgjithshëm, në përbërje të të cilit ishin: Liri Gega, Haxhi Lleshi, Ramadan Çitaku, Koçi Xoxe, që e kryesonte këtë grup. Nuk mund të harrohet edhe ndihma e vyer e drejtuesve me përvojë, Nexhip Vinçani, Pëllumb Dishnica, Teki Kolaneci. Për më tepër, akoma paaftësia ushtarake e Enver Hoxhës dhe e anëtarëve të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, ishte mos vendosja e kontakteve, me njësinë më të madhe operative që kishte Ushtria Nacionalçlirimtare, deri atëherë, Brigadën e Parë Sulmuese, e komanduar me mjeshtëri nga Mehmet Shehu e Tuk Jakova, që ndërmori një inkursion heroik, për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm. Mua më vjen keq të them, se më pas në varësi të situatave politike, Enveri, e ka quajtur këtë veprim të jashtëzakonshëm të Brigadës së I-rë Sulmuese dhe të Mehmet Shehut, si tradhti të qëllimshme të tij! Ky rast, do të befasonte çdo njeri me logjikë të ftohtë, e të kthjellët.

Disa muaj pas kësaj ngjarjeje, Qarku i Korçës, organizoi një demonstrim antifashist dhe në krye të demonstruesve, qëndronte nëna juaj Polikseni Kristo, që ra heroikisht. A mund të na tregoni diçka më tepër për këtë ngjarje?

Nëna ime, u lidh ngushtë me ne fëmijët e saj. Ajo u përfshi në aksionet e luftës, së bashku me njerëzit e saj, duke shpërndarë komunikata, ilaçe dhe materiale të tjera luftarake. Nëna dhe motra ime, shoqëronin shokët ilegalë nga më të ndryshmit, që strehoheshin në shtëpinë time, si për shembull: Miladin Popoviçin, Dushan Mugoshën, Nako Spirun, Naxhije Dumen, Vasil Shanton, Misto Mamen, S.V.Tempon me Milicën, gruan e tij, Mihal Durin, Tuk Jakovën, Fiqret Shehun, Ramadan Çitakun, Pëllumb Dishnicen, Llambi Dishnicen, Pilo Peristerin, Fuat Babanin, Taqi Skendin, Kleopatra Maliqin, Kasiani Paskalin, Vasilika Boboshticën, e të tjerë.

Midis gëzimit të fitores së madhe, te kapitullimit të Italisë Fashiste, me 8 shtator 1943, mësova me hidhërim të madh se, nëna u vra në demonstratën e madhe, të 9 shtatorit 1943. Kjo demonstratë u zhvillua në Korçë, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, pikërisht atë ditë, kur kapitulloi Italia fashiste.

Qarkori i PKSH-së së Korçës, u bëri thirrje trupave të divizionit Italian, të dislokuar në Korçë dhe në qytetet e tjera të Qarkut, që të bashkoheshin me popullin shqiptar, kundër pushtuesit të ri, nazistëve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, që ishin edhe armiq të popullit italian. Por, komanda e divizionit, urdhëroi të hapej zjarr çnjerëzor, kundër popullit të paarmatosur të Korçës, pikërisht te sheshi përpara monumentit të “Luftëtarit Kombëtar”, në qendër të qytetit, i cili u la me gjakun e 59 të vrarëve dhe 93 të plagosurve, kryesisht gra.

Kjo demonstratë, ishte një nga më të mëdhatë dhe më të përgjakshmet, në të gjithë Shqipërinë, por çuditërisht, me kalimin e viteve, është lënë në një harresë të pafalshme. Në Shqipëri, kapitulluan pjesë-pjesë, forcat e Armatës së IX-të të Ushtrisë Italiane dhe shume prej tyre, rreth 15.000 ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, luftuan së bashku me forcat antifashiste shqiptare. Ndërkohë, ndodhesha në Komandën e Qarkut, e cila ishte instaluar përkohësisht në Vithkuq të Korçës…!

Continue Reading
Advertisement

TRENDING