Kosova
Dialogu i ngrirë Kosovë-Serbi/ Shpresa për një takim Kurti-Vuçiç në pranverë, por jo për marrëveshje
Rikard Jozwiak, redaktor për çështjet evropiane i tha Radios Evropa e Lirë, se BE-ja po bën përpjekje aktive për një takim të ri mes Albin Kurtit dhe Aleksander Vuçiqit, i cili pritet të mbahet në fund të pranverës, por data e saktë dhe realizimi i tij do të varen nga zhvillimet në terren.
Megjithatë, ai është pesimist për ndonjë përparim thelbësor apo avancim drejt anëtarësimit në BE në një të ardhme të afërt, sepse, siç thotë, udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd përfitojnë në politikat e brendshme duke mbajtur qëndrim më të ashpër ndaj Brukselit, dhe ata nuk presin përfitime konkrete nga BE-ja gjatë karrierave të tyre politike.
Jozwiak paralajmëroi se kjo status quo mes Kosovës dhe Serbisë është e rrezikshme, por shton se Evropa është bërë indiferente ndaj këtij rreziku, ndërsa udhëheqësit në Prishtinë dhe në Beograd kanë mësuar të jetojnë me të, e madje edhe të përfitojnë prej tij.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe ish-diplomatit austriak, Wolfgang Petritsch, por ai nënvizon rëndësinë që Kosova të veprojë me urgjencë.
Në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, shtetet e vogla dhe politikisht të brishta janë “të parat që bien” kur shpërthejnë kriza, tha Petritsch duke shtuar se “Me pasiguritë mbi rolin e NATO-s dhe të ardhmen e angazhimit amerikan, Kosova “nuk mund të lejojë status quo”.
Kosova, e cila ende nuk njihet nga pesë vende të Bashkimit Evropian, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka status kandidati për anëtarësim në këtë bllok.
Serbia, e cila deri vonë konsiderohej lidere në procesin e pranimit në Bruksel, nuk ka hapur asnjë kapitull negociatash që nga viti 2021, për shkak të refuzimit për t’u përshtatur me politikën e jashtme të BE-së.
Sipas Jozwiak, i gjithë Ballkani Perëndimor zë tani një vend të ulët në agjendën e BE-së – është i rëndësishëm, por dukshëm në hije nga luftërat në Ukrainë dhe në Iran… derisa ndonjë krizë serioze të mos provokojë vëmendje.