Sport
Kupa e Italisë/ Lazio prek finalen mes dramës në Bergamo, penalltitë ndëshkojnë Atalantën
Një mbrëmje e pafundme në “Gewiss Stadium” ka prodhuar finalistin e dytë të Kupës së Italisë, ku Lazio ka arritur të mposhtë Atalantën pas një maratone që u zgjidh vetëm nga pika e bardhë e penalltive.
Sfida nisi më mirë për kryeqytetasit, të cilët kaluan të parët në avantazh, por festa e bardhekaltërve zgjati pak sekonda, pasi Atalanta reagoi rrufeshëm duke barazuar shifrat dhe duke ndezur atmosferën në shkallët e stadiumit. Tensioni arriti kulmin në 30 minutat e shtesës, kur bergamaskët gjetën rrugën e rrjetës për atë që dukej si goli i kualifikimit, por ndërhyrja e sistemit VAR bëri që goli të anulohej, duke i dërguar skuadrat te goditjet e penalltive.
Lazio fluturon kështu drejt finales së madhe të Romës, ku do të gjejë përballë Interin, i cili u kualifikua më herët pasi eliminoi Comon. Ky sukses i jep mundësinë Lazios të kërkojë një tjetër trofe të rëndësishëm, në një sezon ku karakteri i treguar në momente dramatike si ky i sotmi po bën diferencën.