Aktualitet
Protesta e opozitës, 1500 efektivë në terren, ‘blindohen’ Kuvendi e Kryeministria
1500 efektivë të policisë së shtetit do të jenë në terren ditën e sotme për protestën e thirrur nga Sali Berisha. Nga ora 12:00 që nis protesta, do të jetë i bllokuar Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe të gjitha drejtimet që lidhen me bllokun e rrugës së Elbasanit. Nga ana tjetër ambasada amerikane ka këshilluar qytetarët e saj që të shmangin lëvizjet pranë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku do të zhvillohet protesta e thirrur nga Sali Berisha.
Protesta nuk ka një limit kohor se kur do të mbarojë pasi PD e Berishës thotë se do e përcaktojnë vetë qytetarët. Protestuesit fillimisht do të mblidhen tek selia e Partisë Demokratike, në sheshi ‘Skëndërbej’ dhe atë Nënë Tereza dhe më pas do të zhvendosen para kryeministrisë. Sipas organizatorëve, në shesh do të jenë rreth 100 mijë qytetarë. Ndërkohë një ditë më parë u blindua godinës së kryeministrisë, dhe Kryesia e Kuvendit.
Kjo protestë u njoftua nga Berisha pasi në akt-akuzën amerikane për agjentin e FBI, Charles McGonigal përmendej se ai ka zhvilluar takim me kryeministrin Edi Rama. Opozita e ka akuzuar kryeministrin Rama se ka paguar McGonigal për të shkatërruar PD, por nga ana tjetër kreu i qeverisë thotë se ka zhvilluar takim me agjentin në cilësinë e ish-zyrtarit të FBI dhe se nuk ka asnjë lidhje me hetimin në SHBA.