Aktualitet
U vra nga i ati me çekiç, 50-vjeçari baba i 3 fëmijëve
Vrasja e 50-vjeçarit, Hamdi Bylykbashit nga i ati, tronditi fshatin Zvezdë dy ditë më parë. 77-vjeçari, Shefki Bylykbashi vrau djalin e tij me çekiç pas një konflikti të fortë mes tyre. Raportohet se viktima ishte ndarë prej disa kohësh nga gruaja dhe pas kësaj ishte kthyer në përdorues të pijeve alkoolike. Banorët kanë thënë se ai jetonte në Gjermani bashkë me familjen, por ishte kthyer pak kohë më parë pas disa mosmarrëveshjeve.
“Jetonte në Gjermani bashkë me familjen dhe ka pak kohë që është kthyer. Mosmarrëveshjet me familjen e tij kanë bërë që të kthehet në vendlindje. Kishte 3 fëmijë. Nuk kishin konflikte me parë”, ka thënë një banor.
Shefki Bylykbashi ka deklaruar para policisë se nuk dnte që ta vriste, por nuk po e duronte dot sjelljen e tij. Sipas tij, djali kishte nisur që të pinte ditë për ditë dhe e bezdiste shumë të moshuarin.
“Më bezdiste shumë kohët e fundit, ai më parë nuk pinte kështu, por filloi të pinte çdo ditë. Nuk duroja dot më këtë sjellje. Nuk doja ta bëja këtë veprim, nuk doja ta vrisja, por nuk po më mbante më durimi, ma solli në atë pikë që nuk duroja dot më”, ishin fjalët që 77-vjeçari ka thënë në polici.
Krimi brenda familjes ka ndodhur në fshatin Zvezdë të Maliqit dy ditë më parë por vetëm dje u zbulua. Babai i moshuar ka vrarë djalin me çekiç pas një grindje të lindur për shkak të konsumit të alkoolit. Familja e deklaroi ngjarjen si aksidentale por ekspertiza mjeko-ligjore provoi se Hamdi Bylykbashi ishte goditur në kokë me mjete të forta dhe më pas policia arriti të zbardhte të vërtetën. 50-vjeçari Hamdi Bylykbashi në gjendje të dehur ka debatuar shumë me të dy prindërit në oborrin e banesës së tyre, në qendër të fshatit.
Në debat e sipër sipas policisë viktima ka tentuar të hedhë babanë e tij Shefkiun në pusin i cili ndodhet në oborrin e banesës. Pasi është shmangur, i moshuari ka arritur të marrë një çekiç i cili ndodhej në oborrin e shtëpisë dhe me të ka goditur disa herë në kokë djalin e tij të vetëm.