Connect with us

Aktualitet

Bëje ose vdis, Game Over/ Shkrim nga NTV | Editorial NTV.AL

Sipas opinionistit të njohur Nazmi Elezi, epitetet “frikacak”, “mashtrues”, “lepur”, “tradhtar” nuk dëgjohen vetëm në reality show-in Big Brother Vip Albania e Kosova, por edhe nga “heronjtë” e Kuvendit të Kosovës, në adresë të kryeministrit Albin Kurti në një seancë që zgjati deri pas mesnate. Shkas për këto epitete, të përcjella me akuza të tjera të rënda, u bë marrëveshja e panënshkruar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në bazë të Propozimit evropian, apo franko-gjerman. Për planin e pranuar deklarativisht nga Kurti dhe nga presidenti serb Vuçiq, u fol në Bruksel dhe u mirëprit në Uashington e Berlin. Pavarësisht asaj ç’thanë lidhur me disa pika të marrëveshjes në Bruksel, takimi i tyre dhe dokumenti që pritet të implementohet shpejt u prit me entuziazëm nga pushtetet e dy vendeve. Por, Kurti e Vuçiç, nga opozita dhe një pjesë e analistëve në Beograd e në Prishtinë, u gozhduan deri në shkallën e akuzave për tradhti kombëtare. Deputetët opozitarë në Kosovë harruan se “Zajednica” i ka rrënjët 10 vjet të thella, kur LDK e PDK ishin në pushtet dhe kishin nënshkruar marrëveshje herë me Daçiç e herë me Vuçiç. Ata pak u morën me tekstin e marrëveshjes kurse Albinit i numëruan “heroizmat” kur ai ishte opozitar, duke e fyer si “frikacak” e madje “tradhtar”. Kryefjala e kritikave ishte se ai po pranon diçka që e ka kundërshtuar për gati dy dekada, më shumë se një dekada. “Jo negociata, Vetëvendosje” ishte motoja – platforma mbi të cilën lindi dhe u rrit Lëvizja e tij. Ne kuvend u fol përgjithcka. Për kontrabandë deputetësh e për punë të tjera të liga që veç ata dinë t’i bëjnë. Por Albini u sulmua dhe u gozhdua sepse ai, si asnjë lider tjetër, i solli në pikën më të ulët marrëdhëniet e Kosovës me aleatin e saj më të madh, Amerikën, si dhe aleatët e tjerë perëndimorë. Tani, kur Albini iu bind kërkesës së ShBA-së dhe pranoi propozimin evropian, prapë tradhtar është, sepse tradhtoi qëndrimet e Albinin opozitar për të gjitha kundërshtimet dhe kushtet që kishte parashtruar (premtuar) edhe për dialogun me Serbinë. Dialogu nuk ishte në mesin e prioriteteve të qeverisjes së tij. E vërtetë. Albini po i ha të gjitha qershitë. Por, gjithashtu shumë e vërtetë se shumë nga ata që po e kritikojnë sot, dikush duke e vënë theksin në zanore e duke i zgjatur ato e dikush duke e ngritur zërin në Kuvend, po harrojnë se janë (ose ishin paraardhësit e tyre në kampet politike) pjesë e mëkatit të madh dhe se është trashëgimi nga ata Asociacioni si dhe shumë marrëveshje të tjera. Tani eshtë koha që politikanët në Kosovë të zhvishen nga inatet dhe mendësia primitive “për inat të resë më vdektë djali”. Aleatët i kanë ofruar Kosovës një marrëveshje që nuk cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të saj dhe një model Asociacioni në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Amerikanet dhe europianet janë lodhur me inatet tona të brendshme, kush dhe kë po e shpall tjetrin më frikacak, më mashtrues e më tradhtar. Uashingtoni dhe Brukseli kanë thënë se Marrëveshja e prezantuar në Bruksel nuk negociohet. Prandaj, Kurti dhe Vuçiç do takohen më 18 shkurt në Ohër për të diskutuar planin e zbatimit të propozimit evropian. Ndonëse konteksti nuk është aspak i njëjtë, vlen të kujtohet thënia “Bëje ose vdis”, e veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, profesorit, shkrimtarit dhe publicistit, Ukshin Hoti. Kurti e Vuçiç janë vënë para aktit të kryer. Nga kjo varet jeta ose vdekja e tyre politike.

Game Over!

 

Advertisement