Connect with us

Aktualitet

Zgjidh e merr/ Ja modelet europiane për asociacionin – Shkrim nga NTV | Editorial NTV.AL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 13 mars se është duke trajtuar 15 modelet evropiane të ofruara nga Bashkimi Evropian për krijimin në Kosovë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kurti nuk deshi të përmendte modelet që BE-ja u ka ofruar autoriteteve të Kosovës, por tha se disa janë më të hershme, e disa edhe rishtazi, që përdoren në shtetet evropiane ku jetojnë pakica kombëtare. Në fillim të marsit të vitit 2023, Bashkimi Evropian konfirmoi se i ka ofruar Kosovës 15 modele ekzistuese evropiane për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se këto modele janë në përputhje me standardet evropiane, ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se këto modele po trajtohen dhe nga to mund të merren “elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur edhe në vendin tonë”. Gjithesi deri tani, asnjë prej 15 modeleve evropiane nuk janë bërë publike as nga Kosova e as nga Brukseli. Le te shohim disa prej modeleve evropiane të përmendura në media, elementet e të cilave do të mund të aplikoheshin në rastin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Shtete të ndryshme evropiane, sikurse Zvicra, Italia, Finlanda, Spanja, Belgjika dhe të tjera, kanë rregullime të ndryshme sa i përket të drejtave të komuniteteve joshumicë.Një prej modeleve të përmendura më herët, sa i përket rregullimit të të drejtave gjuhësore, kulturore të minoriteteve është edhe ai i Finlandës. Minoriteti suedez që jeton në Finlandë, sipas Kushtetutës së këtij shteti, ka të drejtë të përdorë gjuhën amtare në shkolla, por edhe dialektet e pjesëtarëve të komunitetit suedez janë të mbrojtura. Në Itali, nga 20 rajone sa janë, pesë prej tyre kanë status autonom. Pavarësisht statusit të tillë, ajo janë ende pjesë e Italisë, por që kanë një kontroll më të madh për rregullimin e brendshëm, duke nisur nga gjuha e deri te mbledhja e taksave. Të 26 kantonet zvicerane në masë të madhe janë vetëqeverisëse, kanë përgjegjësi në fushën e shëndetësisë, atë të mirëqenies, mbledhjes së taksave dhe në fushën e edukimit. Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit dhe Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, kanë thënë se ka edhe modele të tjera që do të mund të merren si shembull për Kosovën. Ndër këto modele ata kanë përmendur edhe modelin skandinav, apo modeli i Belgjikës. Po ashtu, disa rajone spanjolle, sikurse Katalonja, kanë rregullime të ndryshme sa i përket komuniteteve. Shembull, në këtë rajon, ka forca të veçanta policore. Shumica e modeleve të përmendura në media, kanë elemente të cilat përmenden edhe në marrëveshjet që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar për Asociacionin më 2013 dhe 2015. Brukseli dhe Uashingtoni kanë thënë se janë kundër krijimit të një Republike Sërpska, teksa Serbia vazhdimisht ka insistuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

Advertisement