Politike
Atentati në Don Bosko/ Berisha: Rama u ka dhënë licencë kriminelëve
Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur ditën e sotme për masakrën e ndodhur në zonën e Don Boskos në fundjavë ku persona të paidentifikuar hapën zjarr drejt një lokali duke lënë pas një të vdekur dhe disa të plagosur.
Berisha deklaroi se kryeministri Rama doli me parimin “le të hanë kokat e njërit-tjetrit”, duke shtuar se kjo do të thotë meqenëse shteti nuk ka dënimin me vdekje, ai u thotë kriminelëve të “ekzekutojnë rrugëve”.
Sipas tij në këtë mënyrë Rama u ka dhënë “licenca për të vrarë” grupeve kriminale dhe i ka autorizuar ata të “hanë kokat e njëri-tjetrit”, duke sjellë edhe raste si ngjarja në Don Bosko.
“Ky regjim mbështetet te krimi, paguajmë një polici që është e infiltruar nga krimi. Raporti i inteligjencës tregonte se 127 komisarë ishin marrë me mbjellje droge. Edi Rama doli me parimin, t’i hanë kokën njëri-tjetrit. Ne jemi vend pa dënim me vdekje dhe duhet të krenohemi. Çfarë do të thotë kjo, shteti nuk ekzekuton ndaj dilni ju dhe ekzekutoni rrugëve, ai u thotë kriminelëve rendi është në duart tuaja, nuk kamë punë unë. Nëse thotë ashtu ai jep licenca për vrasës, çfarë ndodhi parmbrëmë.
Një nënë që punonte për të mbajtur mbesën e vetë me dy punë, 4-5 qytetarë të tjerë, u bënë objekt i breshërive të palidhur me asnjë krim, për fajin e vetëm se Edi Rama autorizon vrasësit t’i hanë kokën njëri-tjetrit dhe ata arrijnë deri sa të qëllojnë pa nishan, mund të kishim 6 të vdekur, kjo është politika e tij”, deklaroi Berisha.