Aktualitet
Kriza ekonomike/ Pensionistët: Pensioni s’na del as për të ngrënë bukë thatë
Situata ekonomike në vendin tonë ka prekur më së shumti pensionistët. Pensionet e tyre variojnë nga 100-200 mijë lekë (të vjetra) dhe kjo gjendje ua ka vështirësuar mjaft jetesën. Pensionistët beratas ankohen se pensioni që ata marrin nuk u del as për të ngrënë bukë thatë.
Sipas tyre, pensionet që ata marrin janë qesharakë, ndërkohë që çmimet rriten nga dita në ditë.
“Ne marrim një pension qesharak, me të cilin e kemi të pamundur të ushqehemi dhe jo më të paguajmë faturat e ujit dhe të dritave. Pensionet janë shumë të ulëta, ne 100…150 mijë lekë (të vjetra) marrim edhe pse kemi punuar një jetë të tërë, ndërkohë që çmimet janë në stratosferë. Mezi arrijmë të blejmë ushqimet e shportës, mishit ia kemi harruar erën dhe shijen, mezi marrim ndonjë pulë të therur dhe me atë shtyhemi 2 javë duke gatuar. Qeveria nuk ka menduar asnjëherë për ne pensionistët, pasi pensionet tona nuk janë rritur asnjëherë. Si mund të ushqehemi ne çdo muaj kur një bukë ka shkuar 1200 lekë?”, shprehen të indinjuar pensionistët beratas.
Ata deklarojnëse nuk kanë asnjë shpresë se mund të ndryshojë ndonjë gjë në këtë vend pa u ndryshuar më parë qeveria.