REAGIM
Blendi Fevziu: Berisha edhe me vulë nuk e mund dot Ramën
Blendi Fevziu mendon se Sali Berisha nuk e sjell dot Partinë Demokratike në pushtet edhe sikur të ketë vulën dhe logon e PD-së. Sipas gazetarit, Berisha nuk ka arritur ta hapë dhe bashkojë partinë, duke bërë aleancë edhe me faktorë të tjerë, si shoqëria civile.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Fevziu deklaroi se Berisha ka përgjegjësitë e tij për gjendjen e opozitës, duke filluar nga fakti që mbështeti Bashën në vitin 2017 edhe pasi ai humbi zgjedhjet.
PD-ja nuk duhet ta linte zgjidhjen e problemit në një vendim gjykate. Gjykatësit nuk mbajnë përgjegjësi dhe gjykata mund të gjejë një gabim procedurial, duke e kthyer sërish për rigjykim, siç ndodhi në këtë rast. Nuk mund të pretendosh që pluralizmi politik të mbetet në dorë të një gjykatësi.
E dyta, shpeshherë procedurat janë për gjënë specifike që kërkon, jo zgjidhje e përgjithshme.
PD, pas fitores së Berishës në zgjedhjet e marsit, duhet të kishte hyrë në një proces integrimi të brendshëm. Edhe ata që ishin kundër Berishës, duhet të integroheshin. Mbetej çështja “Alibeaj”, por nuk është vetëm ai problemi. Një numër deputetësh nuk janë afruar me partinë që drejtohet nga Berisha. Sali Berisha e dominon PD-në, por a i mjafton Sali Berishës kjo parti që të fitojë zgjedhjet? Jo.
Ka nevojë për një koalicion shumë të gjerë, me partitë e tjera, me shoqërinë civile, ka nevojë për një hapje të madhe. Edhe me këtë strategji nuk e di si mund të jetë rezultati.
Opozita është e pamjaftueshme për të konkuruar me mazhorancën.
Ka përgjegjësi Berisha. Mbështetja e Bashës pafund. Përgjegjësia më e madhe e Berishës nuk ishte zgjedhja e tij apo mbështetja në 2013, sepse Basha konsiderohej si figura më prominente për të ardhur në krye të PD.
Problemi më i madh i Berishës ishte mbështetja e Bashës pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2017, kur ai e kuptoi që mënyra si Basha u fut në zgjedhje ishte gabim fatal. Vetë çadra ishte një gabim fatal.
Nëse nuk do të ishte vendimi për shpalljen non-grata të Berishës nga SHBA, Basha do të ishte akoma sot kryetar i PD-së, një partie që nuk kuptonte ku po shkonte.
Berisha e mbështeti Bashën edhe pas zgjedhjeve të 25 prillit. Pra, Berisha ka përgjegjësinë e tij.
Pjesa e dytë e përgjegjësisë, është pamundësia për ta hapur Partinë Demokratike shumë më tepër se sa unë e mendoja, pasi fitoi ardhjen në krye të partisë”, deklaroi Fevziu.