Connect with us

Shkrime

A tremb vërtet katallani Basha?

Nga Plator Nesturi

Ka nja dy ditë që rishfaqja e fytyrës së Bashës në ekrane televizive përbën lajm dhe debat politik. Një takim i djeshëm i ish kreut të PD-së me të rinjtë kumboi si një çangë alarmi dhe mori vëmendje mediatike por dhe shumë komente pas.

Besoj që kjo është befasia e vetë personazhit në fjalë, që Basha përbën ende lajm. Por kësaj rradhe, lajmi mori flatra pse buzëqeshja e harruar e tij u shfaq në një takik electoral pikërisht kur vetë fushata zgjedhore ka mbaruar me kohë.

Vërsulja që iu bë nga pjesa e të djathtës kundërshtare me të, ish vërtet e ashpër aq sa me çudi mund të pyesësh: vërtet ngjall kaq frikë Basha në arenën e kacafytjeve brenda ish PD-së së shpërndarë?

Vërtet ky është Katallani që erdhi nga deti pas kaq kohësh e që i tremb të gjithë, përfshirë dhe Doktorin? Ridalja në skenë e Bashës vjen pas lëvizjeve sizmike në PD kur Alibeaj tërhiqet nga pozicicioni i kryetarit në detyrë dhe kur brenda Foltores froni i Berishës është i lëkundur pas humbjes së turpshme në zgjedhjet vendore. Lëvizjet e Sekretarit të PD-së për tia kaluar stafetën e kryetarit në detyrë Tabakut, për shumë kënd u pa si një manovër bosh për të krijuar spacion e duhur të rikthimit të Bashës.

Vetë nënkryetarja Tabaku duket se i rrëshkiti përgjegjësisë për tu përdorur dhe kjo e futi PD-në e vogël në cicmice e kotësira si për tia bërë peshën më të pakët se vetë votat që arriti të mbledhë. Por duket se kjo ish pjesë e skemës. Mbi këto vogëlsira mund të bënte kontrast rifutja e figurës “vigane: të Bashës. I drejtë, me buzëqeshje të pikturuar dhe shumë mbi mesataren e gjatësisë së figurave që la të drejtonin partinë pas dorëheqjes. Politikisht asgjë nuk e pengon Bashën të rikthehet në drejtimin e PD-së.

Me garë dhe me vota mund të rikthehesh e kjo të kujton të njëjtën formulë që përdori dikur vetë Berisha ku mori gjysmën më të zhurmshme të partisë.

Dhe pse nuk mund të rikthehet mbi bazën e e parametrave që ka dizenjuar lidershipi i vjetër?

Ashtu si Berisha pas humbjes së zgjedhjeve në 2013, ashtu edhe basha dha dorëheqjen pas humbës së zgjedhjeve të pjesshme në 6 mars të vitit të kaluar. Ashtu si Berisha që ndonëse kish dhënë dorëheqjen por që drejtonte de facto PD-në me kryetar delfinin Basha, po ashtu dhe Luli e drejtonte dhe e kontrollonte atë copë PD-je që i kish mbetur ndonëse kish lënë pas dorëheqjes si kryetar në detyrë Alibeajn. Ku nuk e ka ndjekur me zell në shëmbujt e tij Berishën, që mësuesi i vjetër të mos ndihet krenar e i kënaqur me të?

E vërteta është që mësuesit nuk ka çfarë i duhet më ish delfini i tij. Ai e kreu detyrën e vet, përderisa Berisha arriti të rikthehet pas goditjes që i dha Non grata, dhe kur arriti të përlajë llokmën më të madhe të PD-së së dikurshme.

Drejtimi me korrespondencë i Bashës dhe zhdukja nga jeta politike prej mëse një viti ndërsa ishte jashtë, i krijoi iluzione Doktorit se do arrinte të fusë në vathë dhe një pjesë të tjetër të PD-së e të deputetëve të saj. Dorëheqjet e lëvizhet kaotike pas largimit të Alibeajt, dhanë përshtypjen se kjo mund të realizohej.

Me pak kohë dhe me trysninë e duhur, por gjithësesi mund të realizohej. Kjo do të ish dhe fitorja e vetme që mund ti interesonte Berishës. Për të pak rëndësi kishin zgjedhjet e rezultati i tyre. Atij i duhej PD-ja për ta përdorur jo më si detashment ushtarak në betejën me maxhorancën, por si mburojë për ti rivitalizuar si faktor politik pas izolimit të plotë ndërkombëtar nga Non Grata e SHBA dhe e Britanisë së Madhe.

Rishfaqja e Bashës, nëse ka ndonjë të mirë për tu përmendur, është vetëm fakti se mund të bëhet pengesë për thithjen nga Berisha të pjesës së mbetur të PD-së.

Sigurisht, nëse nuk e dorëzon me ndonjë pazar, meqë vetë Berisha e të tijtë e kanë akuzuar se i ka qejf pazaret. Në të gjitha rastet, riardhja në krye e të njëjtit tip që veç ka dëgjuar Berishën dikur, që nuk e hapi dot partinë që e drejtonte dhe që i duhëshin pesë humbje rresht për të dhënë dorëheqjen, vështirë se mund ti japë ndonjë shpresë ngritjeje një partie që e ka marrë ftomën brinjë më brinjë.

Vështirë se PD mund të ringrihet me të njëjtat figura, ku dhe vetë Basha është pjesë e së shkuarës. Pak shpresë mund të ketë dhe për një organizëm politik si Foltorja që si objektiv të vetëm ka të mbajë në krye të podiumit Berishën dhe që si kor papagallësh përdorin të njëjtën alibi të liderit se zgjedhjet ua vodhën dhe aspak me një analizë për ti dhënë shpresë opozitarizmit në vend.

Në të gjitha rastet, rikthimi i katallanit në PD, veç do të ish një rivendosje e portretit në tabelën e emulacionit të politikës dhe ku figurat do të mbeten të njëjta e pa pikë ndryshueshmërie.

Rama, Meta, Berisha e Basha, ku këta të fundit me gërricjet në distancë do të mbajnë në jetë njëri tjetrin.

Shkrime

Pse i mbajmë bastardët, si “të ndershëm”?!

Nga Ben Andoni

Përgjigjja e parë është se shpesh nuk i njohim të korruptuarit, kurse në përgjithësi korrupsioni në politikë nuk perceptohet lehtë, pasi politikanët dinë ta fashisin, ta relativizojnë e ndërkohë që jo shumë individë kanë përvoja personale me këtë fenomen. Aman, korrupsioni ndihet. Dhe, ndjenja disa herë i paraprin dijes për gjithçka. Shumë shqiptarë shikojnë zyrtarë e bashkëvendas që pasurohen në mënyrë galopante dhe ndryshojnë statuset sociale dhe ekonomike brenda pak vitesh! Institucionet deri më tani, që duhet ta frenonin, kanë ndihmuar fare pak, kurse politika ka ditur ta mbrojë këtë fenomen.

Një çerek shekulli më parë, pikërisht në vitin 1999, Banka Botërore publikoi një analizë krahasuese të korrupsionit në të gjitha rajonet kryesore të botës për periudhën 1996–99 (Kaufmann et al., 1999a,b). Ajo që tronditi në gjetjet s’ishte se nuk dolën pritshmëritë normale, porse rajoni më i keq mbi dhé për korrupsion nuk perceptohej të ishte as Afrika, as Azia Jugore apo Lindore, as Amerika Latine, por Komonuelthi i Shteteve të Pavarura (Vendet, që lindën pas shpërbërjes së BRSS). E, më tej, ndër pjesët më të korruptuara të botës, ishte ajo që në kohën e Perdes së Hekurt identifikohej thjesht si Evropa Lindore.

Pothuaj 25 vjet më vonë, situata jo vetëm nuk është përmirësuar në rajon, por në rastin e Shqipërisë, situata lidhur me korrupsionin është keqësuar jashtëzakonisht. Ka një përmirësim të lehtë për Shqipërinë në indeksimin e korrupsionit falë goditjeve të Drejtësisë. Pavarësisht se kryeministri i vendit, Edi Rama, mundohet ta relativizojë si fenomen, duke i dhënë besimin SPAK-ut, qasja e tij morale lidhur me përgjegjësinë lë shumë për të dëshiruar, ashtu si edhe e shumë personazheve të tjera. Fatkeqësisht, opozita e përçarë keqazi në jo pak momente ka treguar se është pjesë e këtij realiteti jo të zakonshëm, kurse ish-kryeministri Berisha mban non-gratën amerikane dhe britanike me motivacionin e korrupsionit galopant.

Projekt-rezoluta e propozuar nga PS për luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen, që tashmë është në dyert e Kuvendit për votim dhe qëndrimi ndaj saj, nuk është se mund të ndryshojnë diçka. Kjo dihet fare qartë dhe pastër: Politika është vetë përgjegjëse.

Ndërkohë, publiku kërkon zgjidhje dhe luftë ndaj korrupsionit, kurse opozita ia var të gjithë përgjegjësinë qeverisjes së Ramës. Kryeministri e shtegton fajin, duke e bërë përgjegjëse pikërisht dezinformimin, madje në takimin e pak orëve më parë të Italisë përdori edhe një gjuhë të ashpër për kritikët, që i janë shtuar jo pak. A mund të ndryshonte një formim më i mirë arsimor për perceptimin? Po, nëse kapitali social do kishte parametrat të lartë a do ndikonin sa i përket perceptimeve për politikën e sotme?! Zor të besohet. Kemi një reformë arsimore që nuk ka dhënë asnjë efekt, për të mos thënë që e ka keqësuar edhe më shumë gjendjen e saj.

“ Ndërtimi i komuniteteve të forta në të cilat qytetarët ndihen të lidhur dhe besuar ndaj njëri-tjetrit ka shumë përfitime, njëra prej tyre është se do të ndihmojë në përmirësimin e perceptimeve publike për sferën politike. Megjithatë, as arsimi dhe as kapitali social nuk janë ilaç. Të dhënat tregojnë se arsimi në përgjithësi i ndryshon qëndrimet në një farë mase, por jo plotësisht”, shkruan Clive Bean tek “Are we keeping the bastards honest? Perceptions of corruption, integrity and influence on politics” (A po i mbajmë të ndershëm bastardët? Perceptimet e korrupsionit, integritetit dhe ndikimit në politikë), që na ka ndihur për titullin.

Janë pikërisht arsimimi dhe njohuritë që gjeneron, të cilat ndihmojnë në krijimin e

sferave më të aksesueshme të politikës për individët, i referohemi studiuesit e mësipërm. Në fakt, e gjithë Lindja po vuan shkollimin dhe sidomos humbjen e kredibilitetit të arsimimit të saj, por mbi të gjitha sesi ndodh edhe që individi i shkolluar që rekrutohet në administratë e bën paq korrupsionin. Më shqetësues akoma mbetet papërgjegjshmëria e qeverive dhe sidomos në rastin e sotëm mos marrja e përgjegjësive. Kjo ndodh rëndom në maxhorancë me Ramën, pas akuzave të korrupsionit, por së fundi u pa në një rast edhe me kreun teknik të Opozitës z. Noka, kur u nis një hetim mbi pasurinë e tij. Kjo, përbën atë që më së shumti ushqen shqetësimin e qytetarëve shqiptarë: privilegjohen shumë pak individë.

Zgjidhja që i mbetet publikut është e dukshme: Ikja. Megjithëse Rama mëton se shifrat janë jo ato që jepen në media për largimin, fakt është sipas INSTAT, se çdo vit largohen nga vendi rreth 42.000 rezidentë shqiptarë, pra nga viti 2012 deri në vitin 2022, janë larguar nga Shqipëria plot 420.000 rezidentë. Me fjalë të tjera, përgjatë çdo viti të dekadës së fundit, një qytet me 40.000-42.000 banorë, fshihet nga harta e Shqipërisë, duke qenë se kjo është një shifër një popullsi demografike mesatare e qyteteve tona (Panorama, 2024). Dhe, më shqetësues ende është rasti i fundit që lidhet me Institutin Kombëtar të Statistikave, që ka shtyrë me nëntë muaj publikimin e rezultateve të Censusit 2023, që do të vërtetonin edhe më saktë e qartë braktisjen e vendit.

Po pse vendi ynë nuk reagon si duhet edhe pas raporteve, si ai i Transparency International, që i cituar në raportet e tij, mëton se: Shqipëria dallon në ligje të përgatitura mbi bazën ekskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar, ku rendit plot 9 ligje që dyshohen se janë bërë me porosi: si Ligji special për Teatrin, Ligji për Mediat Audiovizive, Ligji për Lojërat e Fatit, për Lotarinë Kombëtare, Ligji për Koncensionet dhe PPP-të, autostradën Milot-Balldre, kompania “Air Albania”, apo mbi oferta të pa kërkuara për ndërtim aeroportesh, si ai i Vlorës, etj., të cilat miratohen me shpejtësi nga një shumicë tërësisht e nënshtruar në Parlament, në mungesë të transparencës së duhur dhe konsultimeve jo të plota publike, citohet opozita (Leskaj, 2024).

Por a do të ndihmonte arsimimi dhe një kapital social më i lartë? Zor të besohet nga gjendja aktuale publike apo me politikanët që filtrohen në parlament dhe ku niveli i legjislaturave vetëm bjerret. Integriteti që beson qytetari i thjeshtë te shumë njerëz në momentet më të rëndësishme dhe ku duhet zëri qytetar nuk ndodh. Dhe, sërish fakti që sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Shqipëri kontratat koncesionare të tipit partneritet publik-privat(PPP), jo vetëm kapin mbi 16.5 për qind të prodhimit kombëtar, shifra më e lartë në krahasim me GDP-në në të gjithë Evropën, por janë të përgatitura pa konsideruar raportin kosto-përfitime (Leskaj, 2024).

A do mjaftonte arsimi, që politika të ndryshonte? Jo, sepse shumë njerëz të mirë-arsimuar mbeten të pa qartë për vlerat e mira të botës politike. Ose më keq të papërfillur prej saj. Këtë e dinë shumë prej bastardëve, që “hanë kumbullat” pas qeverisë dhe që nuk njohin fare kode morale. Realiteti i Shqipërisë po na i shfaq për ditë të panginjurit, kurse goditja e SPAK-ut mbetet e vetmja dritëz, që vjen nga një tunel që nuk mbaron dhe ku dëgjohet ende gazmimi i të korruptuarve, që fatkeqësisht nuk po mbarojnë në vendin më të varfër të Ballkanit. Po atëherë pse i mbajmë “të ndershëm”, bastardët?! (Homo Albanicus)

Continue Reading

Shkrime

Arsyet pse Spanja njohu Palestinën janë standarde edhe për njohjen e Kosovës!

Nga Enver Bytyçi

Spanja e njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës. Dekada me radhë ajo kishte refuzuar njohjen e saj, edhe pse shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë, e kishin njohur atë. Palestina ishte shtet sovran dhe i pavarur, por pas vitit 1948 ngjarjet rrodhën ndryshe e shteti palestinez u shkërmoq. Kjo ishte kostoja e asaj që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Tani, pas shumë dekadash edhe Spanja e disa vende të tjera arritën në përfundimin se shteti i Palestinës duhet njohur. Dhe qeveria spanjolle dje shpalli vendimin e saj për njohje. Pse pikërisht tani? Pse në këtë moment kur në Gaza ushtria zraelite dhe kryeministri Netanjahu po kryejnë genocid kundër popullsisë së pambrojtur të Palestinës? Pra njohja lidhet drejtpërdrejt me krimet kundër njerëzimit dhe asgjësimin e kombit palestinez nga ana e ushtrisë dhe politikës izraelite. Nuk ka asnjë argument tjetër që e interpreton ndryshe këtë njohje. Qeveria spanjolle tha edhe se kjo njohje forcon paqen e stabilitetin në rajon.

Por krimet në Gaza janë argumenti kryesor pse Spanja njohu Palestinën dhe po ky argument shërben gjithashtu edhe për njohjen e Kosovës si shtet sovran e të pavarur. Qeveria konservatore e Madridit ishte aktive në pranverën e vitit 1999 për të ndërhyrë më trupa ushtarake në Kosovë dhe për çlirimin e saj prej sundimit, dhunës dhe terrorit të shtetit, ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Spanja nuk pati asnjë dilemë për këtë, edhe pse pati vende ose politikanë nga vende të tilla si Italia, Greqia e Franca, të cilët punuan për të stopuar bombardimet e NATO-s kundër Serbisë. Të qenit aktiv i Spanjës asokohe lidhet pikërisht me gonocidin serb kundër shqiptarëve.

Edhe pas çlirimit të Kosovës, Spanja mbështeti të gjitha iniciativat që çuan në pavarësinë e Kosovës. Por papritmas, me shpalljen e pavarësisë, ajo u distancua nga qëndrimet e mëparshme dhe madje i forcoi lidhjet me Beogradin. Ka pak vite që qeveria e Madridit e ka zbutur qëndrimin e mëparshëm refraktar ndaj shtetësisë së Kosovës. Ka njohur pasaportat dhe dokumentet e tjera. Toleroi disa vendime në favor të Kosovës nga ana e BE-së. Po ashtu në KiE është treguar e matur e gati neutrale.

Qëndrimet e Spanjës ndaj Palestinës janë momenti kyç i rivlerësimit dhe rigjykimit të saj edhe për Kosovën. Spanja thotë se njohja e shtetit palestinez i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon. E njëjta gjë vlen edhe në rastin e Kosovës. Shteti i Kosovës është garanci e shtuar për stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit. Këto 25 vite, pas ndërhyrjes ushtarake të Aleancës dhe çlirimit të saj nga Serbia, e kanë dëshmuar plotësisht këtë të vërtetë. Dhe është logjike të thuhet se paqja dhe stabiliteti në Ballkan e forcimi i tij përmes njohjes së shtetit e pavarësisë së Kosoës është më jetik, sesa paqja dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme, veçmas për Europën.

Por kryesorja lidhet me atë që thashë në fillim. Kosova, ashtu si edhe Gaza sot, iu nënshtrua, sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX, një dhune e terrori të egër shtetëror, të cilin e ushtroi Serbia përmes një platforme dhe komande ushtarake e policore, me qëllim spastrimin etnik të Kosovës prej shqiptarëve dhe kolonizimit të saj me serbë. Masakrat, veprat kriminale të vrasjes së 1432 fëmijëve, vrasja e pleqve, grave, djemve dhe burrave të paarmatosur të Kosovës në turmë, përdhunimi i mbi 20 mijë vajzave dhe grave, djegja dhe shkatërrimi i objekteve të banimit, biznesit dhe të trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve në Kosovë, të gjitha këto ishin akte genocidiale dhe krime kundër njerëzimit të parashikuara në ligjet ndërkombëtare. Mbi këtë bazë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli më 22 korrik 2010 pavarësinë e Kosovës si akt të pajtueshëm me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të 10 qershorit 1999.

Atëherë pse nuk u dashka që ky precedent genocidi i Serbisë në Kosovë të shërbejë për të drejtën e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës?! Pse për Palestinën vlen një kriter si ky, ndërsa për Kosovën nuk vleka?! Standardi i dyfishtë nuk e justifikon qëndrimin e qeverisë së Spanjës kundër njohjes së pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Në rastin e njohjes së Palestinës si shtet ka rënë gjithashtu alibia e krahasueshmërisë me problemin katalonjas dhe atë bask. Shtetet serioze i bazojnë politikat e tyre në parime e standarde të caktuara, ndaj dhe marrin vendime të thelluara e të studiuara me kujdes. Vendimi për njohjen e Palestinës është natyrisht i thelluar. Një vendim tjetër për njohjen e Kosovës është e do të ishte i tillë, si në rastin e Palestinës!

Të shpresojmë se qëndrimet spanjolle për shtetësinë e Kosovës do të përputhen me realitetin, me nevojën për paqe e stabilitet në Europë, me të drejtën e banorëve të Kosovës që të jenë të lirë nga dhuna e terrori serb, me nevojën e integrimeve rajonale dhe evropiane jo vetëm të Kosovës, por të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor!

 

 

 

 

Continue Reading

Shkrime

Turi patriotik i Ramës dhe urgjenca e afrimit të shqiptarëve drejt vendit të tyre

Nga Skënder Minxhozi

Pas Athinës, Milano. Siç e kishte njoftuar prej javësh Edi Rama vijon turin e tij të mirëstudiuar nëpër vendet ku jetojnë komunitete të mëdha shqiptarësh. Pas bashkësisë së rëndësishme të shqiptarëve të Greqisë, kjo e Italisë ofroi për kryeministrin shqiptar një angazhim më të relaksuar. Qeveria italiane nuk hodhi shigjeta kundër tij, shtypi italian ka më shumë hallin e Gjadrit sesa të statusit të emigrantëve shqiptarë në Itali, kurse vetë ata, shqiptarët e Italisë, janë më të qetë dhe “flegmatikë” sesa sivëllezërit e tyre të Greqisë.

Megjithatë etapa e dytë e turit të kryeministrit nëpër diasporë na jep tashmë një kontur të qartë të idesë fillestare, qëllimeve dhe synimit të Ramës për një nisëm të tillë e cila fillimisht tingëlloi si një provokacion ndaj qeverisë greke, por që sot duke shumë tepër sesa një acarim nervash për Micotaqisin, apo një akt patriotizmi propogandistik.

Tre dekada pas rënies së komunizmit Shqipëri ka pothuajse po aq banorë të saj që jetojnë brenda vendit, sa edhe ata që jetojnë kudo nëpër Evropë, SHBA e pjesë të tjera të globit. Është një komunitet me një peshë të madhe e përcaktuese në fatet e shtetit amë, në ekonominë e tij, në turizëm, kulturë, sport, arte, por edhe në sferën e afeksionit njerëzor dhe lidhjeve të ngushta shpirtërore që ka ruajtur me atdheun. Miliona shqiptarë kudo në botë janë sot një urë e rëndësishme ndërlidhëse në vende të tilla si Italia, Greqia, Gjermania, Britania e Madhe, SHBA e Kanadaja.

Me turin e tij shëtitës, Edi Rama po shkon të japë mesazhin se shteti shqiptar i sheh dhe i ndjen si të vetët shqiptarët kudo në botë. Njeh dhe ndjen sakrificat e tyre shpesh të skajshme për jetë më të mirë, integrim dhe afirmim në vendet ku jetojnë.

Ka qenë ky një gjest kaq i nevojshëm, aq sa edhe i munguar nga ata që kanë drejtuar Shqipërinë në 30 vitet e fundit. Dhe arsyeja madhore pas këtij pasiviteti të heshtur ka qenë dhe është shumë cinike: shtetarët tanë i kanë parë si shqiptarët jashtë vendit si një entitet misterioz nga pikëpamja e rreshtimit partiak e elektoral. I kanë konsideruar si një komunitet votuesish që ju dilte nga kalkulimet që bënin gjatë zgjedhjeve. Nuk kanë dashur t’ju japin të drejtën për hedhur votën, por ama kanë pritur me shumë interes remitancat që ata sillnin çdo vit.

Edhe Edi Rama nuk bën përjashtim nga kjo logjikë përjashtuese e elitës politike në vitet e shkuara. Mesa duket pasi kemi kaluar një dy dyzina procesesh elektorale, po afrohet momenti e po piqen kushtet që të konsiderojmë jo vetëm dhënien e të drejtës së votës për emigrantët, por edhe që t’u japim atyre vendin që meritojnë në atdheun e përbashkët.

Diaspora shqiptare është tashmë një fuqi e madhe në rrafshin e kapaciteteve njerëzore, forcës ekonomike dhe vullnetit për të ndryshuar rrugën plot zigzage të Shqipërisë gjatë tranzicionit. Çeshtja ka qenë dhe mbetet sesi fuqitë dhe kontributet e kësaj mase të stërmadhe shqiptarësh të përthithen sa më shumë që të jetë e mundur për t’i bërë edhe ata pjesë të projektit të Shqipërisë moderne.

Nuk mund të gjykojmë sot se çfarë vendi ze në turin e Ramës ky vizion madhor. Mujnd të supozojmë pa u gabuar që ai ka dashur të tërheqë vëmendje nga ngjarjet e brendshme në vend të dominuara nga hetimet e SPAK, që ka dashur gjithashtu të krijojë një paradigmë patriotike përballë krizës Beleri me Greqinë, që ka dashur të gjenerojë vëmeëndjen e diasporës drejt PS, një vit para zgjedhjeve parlamentare, duke futur edhe më shumë në krizë kundërshtarin politik të mbyllur në klaustrofobinë e rrugicës së Doktorit. Më në fund nuk është aspak e pavend të thuhet se Edi Rama po tenton të japë një provë force të fuqisë së tij politike edhe në qendrat e mëdha evropiane, në sytë e aleatëve dhe miqve të tij jo të paktë ndërkombëtarë.

E gjitha kjo lojë taktike me qitje të shkurtër duket se është pjesë e planit të tij politik dhe këtu s’ka ndonjë surprizë. Puna është të kuptojmë nëse piskama mbarëshqiptare e Edi Ramës ka brenda vetëm të tashmen, apo e hedh vështrimin e nga e ardhmja. Nëse është e para, xhiroja e tij evropiane për të takuar shqiptarët do të jetë një flakë që do të fiket brenda verës së ardhshme. Do të jetë një gjest i gjetur politik si shumë të tjerë në ditarin e tij politik, por jo diçka më tepër se kaq.

Por nëse Rama e shfrytëzon turin e tij në diasporë për të afishuar nevojën urgjente që Shqipëria ka për gjysmën e bijëve e bijave të tij nëpër botë, atëhere ai do ta ketë hapur më në fund vizionin e mbyllur 30 vjeçar të politikës shqiptare, i cili rëndom e hidhte vështrimin vetëm tek ata që kishin mbetur brenda vendit, pa marrë ende rrugët e kurbetit, pasi ata i duheshin ditën e zgjedhjeve.

Kjo që bën sot Edi Rama është një premisë për një erë të re në raportin deri më sot spontan dhe kaotik të Shqipërisë me gjysmën e banorëve të saj. Një raport që duhet ndërtuar si një listë politikash, aktesh konkrete ligjore, komunikimi e integrimi, që deri tani ka pasur si pikëmbështetje të vetme vullnetet personale, pa shtetin amë në mes. Ka ardhur koha që Shqipëria të bëhet atdheu i të gjithë shqiptarëve, e jo vetëm toka ku zakonisht vihet për të kaluar pushimet e takuar gjyshërit.

Continue Reading

Shkrime

Përse i duhen Edi Ramës mitingje me shqiptarët nëpër disa qytete evropiane tani

Nga Artan Fuga

Për ç’arsye nuk po e kuptojnë në Shqipëri se përse kryeministri Edi Rama ka nevojë për mitingje nëpër qytete të ndryshme evropiane?

Duket vërtet si një mister. Në mos mister, duket si një gjë e pakuptueshme. Përse i duhen Edi Ramës mitingje me shqiptarë nëpër disa qytete evropiane tani?

Opozita e fut brenda përqasjes së vet prioritare. Por, nuk ka një shpjegim të qartë. Përpiqet t’a ulë rëndësinë e këtyre takimeve dhe kuptohet se nuk ka si bën ndryshe. Por, shpjegim se përse bëhen këto mitingje nuk ka.

Thuhet dhe jo pa bazë se janë qindra që udhëtojnë nga Shqipëria, militantë, të punësuar, patronazhistë, etj., që marrin pjesë në ato mitingje. Dakord. Por, nuk ka shpjegim se përse i duhet Edi Ramës të ngrejë njërëzit nga Shqipëria për të bërë takime nëpër Evropë kur mund t’i mbledhë ata ku të dojë, te Xhamlliku, te Oxhaku, te Vorri i Bomit, ku t’ja ketë qejfi! Shkojnë ata! Madje e njoftojnë edhe në rrjete sociale se po nisen me bukë me vete në miting!

Lidhet që me votën e emigrantëve? Hiç fare, hane 2025, hane qershori i 2024, aq më tepër se sikur edhe vetëm kohën të masësh, me kaq përgatitje sa janë bërë, as bëhet fjalë që emigrantët të votojnë! Por, kushedi!

Atëhere si shpjegohet që edhe analistët nuk e gjejnë dot arësyen por debatojnë për gjëra krejt sekondare, si p.sh, a ka njerëz nga Shqipëria apo jo nëpër ato mitingje!

Ky moskuptim ka një arësye se përse ndodh, dhe kjo arësye është se arësyeja e vërtetë nuk shihet dot nga Shqipëria, në fakt, nuk është një arsye por disa, flas për ato kryesore, që shpjegojnë se përse nxitohet tani për t’i nisur këto mitingje.

E para, nuk duhet harruar se në 9 qershor zhvillohen zgjedhjet për në parlamentin e Evropës. Klasa politike zjen nga tensionet, Evropa është në ethet e garës, më tepër sesa kaq segmentet e ndryshme të politikës evropiane madje po thonë se ka një ethe nëse në parlament do të shkojnë më tepër deputetë evropianistë apo deputetë të forcave nacionaliste që janë shprehur se duan ta shkërmoqin Evropën.

Edi Rama, me ambiciet e tij e kupton se pushteti në Shqipëri nuk luhet dhe ruhet me lojën politike nga Restorant Era afër RTSh te Kali i Skënderbeut; e kupton më mirë se kushdo nga klasa politike e sotme se pushteti në Shqipëri është një instrument që influencon dhe ndikohet përtej shteteve kombëtare sot. Koncepti i shtetit sovran në kuptimin absolut të fjalës ka përfunduar që me rënien e komunizmit.

Edhe në Athinë dhe në Milano ai luajti kartën e Bashkimit Evropian edhe duke ekzagjeruar rolin e Shqipërisë periferike që është si ai që edhe nuk e pranojnë në fshat, edhe dëshiron të marrë për grua vajzën e priftit. Por, ç’rëndësi ka realiteti, rëndësi ka propaganda.

Klasa politike në Evropë sot po mundohet të mbledhë çdo votë, sigurisht ka nevojë edhe për votën e çdo shqiptari që voton atje. Edi Rama kur u bën thirrje shqiptarëve për Evropën e Bashkuar, ndonëse nuk është se e ha shumë meraku nëse Shqipëria është apo jo brenda saj, sigurisht mbështet segmentet politike proevropiane në Evropë.

Me këtë ai tregon dy gjëra. E para, që ndikimi i tij mbi klasën politike evropiane i kalon kufijtë e ngushtë të Shqipërisë. E dyta që ai e zotëron këtë influencë. E ka apo nuk e ka në të vërtetë, kjo pak rëndësi ka. Kjo ka nevojë të matet. Rëndësi për të ka të tregojë se ai mbledh në mitingje, me flamuj shqiptarë, emigrantë nga vendi i tij, dhe u bën thirrje direkte ose me nënkuptim se atyre dhe Shqipërisë, si edhe qeverive aktuale evropiane, u intereson ruajtja e Bashkimit të Evropës.

Integrimi evropian i Shqipërisë, për çdo njeri që e njeh çështjet nga brenda, e di se është një tren i humbur dhe që nuk do të rikthehet në stacion veçse ndoshta pas shumë dekadash. Për të mos thënë se në botën e sotme është i pamundur.

Por edhe kjo pak rëndësi ka për folësin kryesor në këto mitingje. Ai po e luan kartën e tij për t’u perceptuar se është i vetmi politikan që mbledh dhe u flet për Evropën shqiptarëve në Evropë. Këtë ai ka nevojë ta perceptojë klasa politike në qeverisje në vende të ndryshme të Evropës!

Shqiptarët të votojnë si proevropianistë!

Edi Rama ka kuptuar gjithashtu edhe diçka tjetër, e cila nga Shqipëria, sidomos për politikën mbyllur brenda ose përreth bulevardit Dëshmorët e Kombit – Zogu i Parë, është vështirë të perceptohet. Ai e di se vota e emigrantëve shqiptarë është ndoshta e rëndësishme, por është e rëndësishme në vendet ku emigrantët jetojnë nëpër Evropë dhe jo edhe aq në Shqipëri. Në Shqipëri ai nuk do që t’i ngatërrohen nëpër këmbë, sikurse nuk besoj se i duan edhe shumë parti politike opozitare. Përse t’i shkartisin kot kartat!!!

Por vota e shqiptarit paska rëndësi në vendet evropiane ku ata jetojnë për zgjedhjet e brendshme atje, por edhe për politikat evropiane. Madje edhe po votuan për zgjedhjet në Shqipëri, emigrantët nuk do të votojnë nëse u bë ose jo ndonjë urë fshati. Aq u bën për këto vogëlima. Ata do të votojnë në funksion të marrëdhënieve të bashkëpunimit që forcat politike shqiptare realizojnë me qeveritë perëndimore. Aty luhen interesat e tyre për pensione, punësime, arsim në shqip, etj. Dhe Rama e ka kuptuar këtë duke u paraqitur si garanti i këtij bashkëpunimi, ndërkohë që segmentet e tjera të politikës shqiptare janë disa kilometra larg së kuptuari statusin dhe interesat e mirëfillta, disi të çuditshme të emigrantëve shqiptarë në Evropë.

Më tepër akoma, Edi Rama e ka kuptuar se ka mundësi që markës së tij t’i shtojë vlera përtej kufijve shumë të ngushtë të Shqipërisë. Ai dëshëron të bëjë atë që në marketing quhet “brand expand”. Pra, të perceptohet nga Amerika dhe Evropa se ai i konsideron shqiptarët si instrumente politike për të ndikuar forcat, pushtetet dhe qeverisjet jo vetëm në Ballkan, në Kosovë, (ku Kurti nuk i le asnjë hapësirë dhe merr mbi vete inate dhe presione), por edhe në Maqedoni (ku realisht nuk duket se pyesin për propagandën që vjen nga Shqipëria), por edhe më tej, pra që ka flukse votash që mund të orientojë edhe në Gjermani, Angli, (ku ka edhe zgjedhje), në Greqi, Itali, nesër pasnesër edhe në Boston a gjetiu.

A i ka vërtet këto influenca apo jo? Kjo është çështje krejt tjetër. Rëndësi ka që ai kërkon t’i ketë dhe edhe ato që ka kërkon t’i paraqesë se janë shumë më të fuqishme sesa janë realisht.

Por, ai e luan lojën, luan me “mass – gjeopolitikën” fuqishëm, kupton se gjeopolitika është më e rëndësishme shpesh sesa loja e brendshme politike, kupton se transferimi i influencave është për votat shqiptare në Evropë dhe jo për votat e emigrantëve shqiptarë – qytetarë evropianë – në Shqipëri, kupton se vullnetet elektorale luhen përtej, brenda dhe jashtë territorit të shtetit, e di se ato janë aksione që investohen sot, për të marrë interesat nesër.

Nuk ka rëndësi fare a është mirë a është keq. Gjykimi moral le të jepet nga moralistët. Por, nga pikëpamja e racionalitetit politik këto mitingje nuk janë thjesht propagandë boshe. Kush nuk e kupton e ka lënë jeta pas. Ato janë njëherësh edhe realitete të reja politike, edhe një lojë e re për të mbajtur pushtetin mbi shqiptarët në Shqipëri duke luajtur me vullnetin elektoral të shqiptarëve në Evropë.

Nuk përjashtoj që një ditë do të kemi të tilla mitingje edhe në kantone zviceriane, edhe në Bruksel, edhe në Boston, edhe gjetiu.

Continue Reading

OPINION

Vendimet e gjykatës si letra që s’thuhet

Nga Lutfi Dervishi

Dy raste flagrante!

Parlamenti shperfill vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Komisioni Pavarur i Kualifikimit nuk zbaton vendimin e Gjykatës Apelit administrativ për të bërë transparent emrin e një sponsori të një aktiviteti!

E pamendueshme!

Njerëzit që vetojne faturat e prokurorëve dhe gjyqtarëve edhe të vitit 1991 jo vetëm nuk zbatojnë ligjin 119/2014 per te drejtën e informimit, por kanë guximin të mos zbatojnë vendimin e gjykatës!? Dhe gjykatës se reformuar prej tyre!

Çfarë ndodh kur nuk zbatohen vendimet e gjykatave?

Themelet e sistemit juridik hidhen në erë dhe besimi publikut te gjykata kthehet në shaka.

1. Minohet sundimi ligjit

Moszbatimi i vendimeve gjyqësore dobëson sundimin e ligjit, pasi u lejon individëve, subjekteve, apo institucioneve të shpërfillin vendimet pa e vrarë mendjen. Për pasojë rritet paligjshmëria dhe mosndëshkimi. Kushdo bëhet “trim” duke shpërfillur ligjin. Dhe vjen dita dhe hapim gojën me guximin që kanë për të grabitur prona dhe fonde publike.

2. Humbja e besimit tek gjyqësori: Kur vendimet e gjykatës nuk respektohen, besimi publikut te gjykata shkon në zero.

3. Rritja e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve:

Vendimet e gjykatës që mbesin në letër shtojnë mosmarrëveshjet mes palëve në konflikt. Kjo situatë sjell konflikte të mëtejshme, juridike dhe sociale, pasi palët e dëmtuara i drejtohen mjeteve alternative për të zgjidhur hallin. Dhe pyesim pse janë rritur aktet e vetëgjyqësisë dhe referencat në Kanun.

4. Demokracia si farsë

Respektimi i vendimeve gjyqësore është thelbësor për ruajtjen e ndarjes së pushteteve dhe sigurimin e kontrolleve dhe ekuilibrave brenda një sistemi demokratik. Kur vendimet e gjykatave shpërfillen, minohet parimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe demokracia kthehet në parodi.

5. Ndikimet në investime dhe stabilitet ekonomik:

Zbatimi sipas dëshirës i vendimeve gjyqësore shkurajon investimet vendase dhe të huaja. Kush do të punojë dhe jetojë në një vend ku nuk sundon ligji?

Kur nuk zbatohen vendimet e gjykatës nuk ka më kuptim të flitet per shtet të se drejtes, por për xhungel.
Qershia mbi torte një ngjarje në polici:

Nje oficer policie fiton gjyqin në të dy shkallët e gjyqësorit për njohje e grades në bazë të karrieres. Me vendimin e gjykatës në dorë shkon te (ish) drejtori i përgjithshëm i policisë i cili pasi lexon vendimin në konfidencë i thotë:

“ke të drejtë, por kam vendosur të mos zbatoj asnjë vendim gjykatash për gradat”
Çfarë të thuash?

Mbetet të pyesim nëse ligjet janë për t’u zbatuar apo janë thjesht çështje interpretimi?

Continue Reading
Advertisement

TRENDING