Shkrime
Roland Qafoku: Si zgjidhet kriza e Partisë Demokratike
Partia Demokratike i ka ikur edhe udhëkryqit. Në situatën aktuale ajo ndodhet në një rrugë pa krye. E ka humbur fare rrugën dhe nuk di as se ku është dhe as se ku do shkojë. Me pak fjalë, kjo parti është e shpartalluar. Ai që nuk e kupton këtë, ose nuk i ka dalë dehja, ose ka ndonjë interes të madh. Me humbjen e rëndë që pësoi, tashmë në opinionin publik është krijur perceptimi që Partia Socialiste dhe Edi Rama e ka të shtruar me tapet të kuq rrugën për të ecur drejt fitores në mandatin e katërt në zgjedhjet parlamenatre të vitit 2025.
Përpjekjet për tia faturuar humbjen në zgjedhjet lokale vetëm “makinerisë së tij dhe bandave” nuk ngjit më. Nuk ngjisin më as konferencat e përditshme për shtyp nga Sali Berisha i Rithemelimit, as dalja me bluzë alla Zelensky të Lulzim Bashës për “kthimin e madh” dhe as nxitimi i Gazmend Bardhit për të mbledhur grupin parlamentar dhe kryesinë që vetëm ai e di që ekziston. Por çduhet të bëjë Partia Demokratike në këtë situatë që ndodhet? Si duhet ta zgjidhë krizën, akomë më të thellë dhe akoma më të rëndë se sa ajo ishte përpara zgjedhjeve të 14 majit? Dhe, më e rëndësishmja, kush duhet ta bëjë këtë? Janë disa pyetje që shtrohen si imperative për këtë parti.
BERISHA IK, BASHA MOS U KTHE!
Nga e gjithë ajo që po ndodh aty problemi më kryesor për shumicën që e kupton por që nuk e shprehin, mbetet Sali Berisha. Ai jo vetëm nuk po jep dorëheqjen, por me kauzën e vjedhjes së zgjedhjeve, po e çon këtë parti në një situatë edhe më të rëndë. Sali Berisha ka një bilanc të pamohueshëm politik në karrierën e tij. Ai ka jo pak merita si politikan në këto 33 vjet, ashtu siç ka edhe defektet dhe gabimet përgjatë kësaj karriere. Askush nuk mund t’ia mohojë atij meritat dhe askush nuk mune t’ia hedhë poshtë ato që ai i ka dhënë PD-së por edhe vendit në këto 33 vjet. Emri i tij është futur në historinë e postkomunizmit si një nga dy-tre politikanët më të rëndësishëm dhe dominues në politikën shqiptare.
Një nga liderët e Lëvizjes së Dhjetorit 1990, një nga themeluesit dhe kryetar i Partisë Demokratike, të parës parti opozitare në historinë e Shqipërisë, president dhe kryeministër i zgjedhur në dy mandate, nuk besojmë se teprohet të themi se në vite të veçanta ai ka bërë epokë. Ashtu siç ka mbi supe edhe gabime të rënda si fajdet dhe ngjarjet e vitit 1997. Por, kaq. Në situatën e që PD ndodhet, Sali Berisha vërtetë është pengesë. Më e rënda është që askush nuk ka guximin t’ia thotë dhe askush nuk ka guximin të ndërmarrë një nismë, jo kundër emrit të Sali Berishës si person, por në interes të së ardhmes së PD. Por kjo duhet të ndodhë sepse vetëm kështu PD çlirohet dhe shton shanset të riorganizohet mbi bazën e parimeve demokratike dhe jo të diktuara.
Njëkohësisht, po aq e rëndë është edhe synimi për kthim i Lulzim Bashës, si autor direkt dhe njeriu përgjegjës për shkatërrimin e PD dhe të opozitës shqiptare. Përpjekjet për të mbështetur Berishën, por edhe përpjekje për të sjellë Bashën, janë vërtëtë disfatiste dhe shkatërruese për këtë parti. Vuajtja më e madhe e kësaj partie është se ajo duket gjithnjë e më e plakur si në moshën mesatare por edhe në mendim. Edhe nëse përjashtojmë 79-vjeçarin Sali Berisha, mosha mesatare në kupolën e kësaj partie është më e madhe se 50 vjeç, gjë që tregon shumë. Disa figura, edhe pse kanë kontribute, janë në moshë të kaluar. Tritan Shehu ka tre muaj që ka mbushur 74 vjeç dhe Edmond Spaho është 65 vjeç. Kujtojmë se edhe “i riu” Lulzim Basha pas një jave mbush 49 vjeç dhe lista mund të vijojë edhe me të tjerë duke e shndërruar këtë parti në një bashkim vullnetar pleqsh që nuk kanë kreativitet, nuk kanë energji dhe në shumë raste partia ndjehet pa rini.
ZHGËNJYESIT E MËDHENJ
Tomorr Alizoti ngjan si një personazh i denjë i romanit “Dhe yjet rrinë e vështrojnë” të romancierit skocez Archibald Cronin. E thirri historia, por ai i tha asaj “më fal pak, se jam duke folur në telefon”. As me Bashën, e as me Berishën, por diku aty në mes, pa lënë asgjë gjurmë sacrifice, ai nuk ngjan fare me paraardhësit e vet që i dhanë kaq shumë Shqipërisë. Jorida Tabakut i del gjithnjë një punë dhe kur e kupton se humbi fare, bën një dalje televizive tek për tek me një gazetare që as e pyet dhe ajo as përgjigjet. Dhe për ters, Tirana nuk fitoi titullin kampion që ajo të mund të vishte uniformën bardh e blu dhe të bënte një status në Instagram si “tifoze tironse”. Agron Gjekmarkaj i është futur filozofisë dhe është keqardhje e madhe që një profesor i mirëformuar dhe me kapacitete, më shumë mbahet mend kur pas sulmit të 8 janarit ndaj godinës së PD tha: “Më dëgjoni mua, Lulzim Basha është trim”.
Ai nuk dëgjoi as mikun e tij Mark Marku, të cilit, për hir të vërtetës, i dolën të gjitha parashikimet dhe duke mbetur i vetëm mori padrejtësisht sa e sa sulme. Saimir Koreshi ka zgjedhur Lushnjen si kryeqytet, jo vetëm për të jetuar, por edhe për të bërë politikë, si të ishte viti 1920. Një djalë i edukuar Perëndim, me formim të mirë dhe me sens humori, nuk duhej të ishte inaktiv në të gjithë këtë situatë. Dalja me skype në ekrane bën që të kuptosh që ishte diku, por jo aty ku duhej. Këta politikanë janë ata që besohet se kanë zhgënjyer më shumë elektoratin e PD-së. Duhet të ishin këta që duhet të kishin ndërmarrë aksione politike jo për ta ndarë por për ta bashkuar PD-në. Dhe me Parti Demokratike duhet të quhen dhe vlerësohen të gjitha pjesët e saj, si Rithemelimi dhe Partia Demokratike zyrtare. Dhe që të arrihet kjo asnjëra palë dhe as pala tjetra nuk arritën as ta bashkonin dhe ta pajtonin këtë parti. Përbetimet se do realizonin pajtimin e madh tashmë janë të dështura.
BAZA MË E AVANCUAR SE SA QENDRA
Si zgjidhet kriza e Partisë Demokratike
Kur të gjithë prisnin nga qendra të niste zgjidhja për të ardhmen e kësaj partie, në fakt ajo ka nisur të vijë nga baza. Menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve të 14 majit u ndërmorën dy vendime në degë që realisht përbëjnë thelbin e të gjithë asaj që po ndodh në këtë parti. Shyqyri Dura, kryetari i degës së PD-së në Berat dhe Luigj Gjoka, kryetari i PD-së në Shënkoll dhanë dorëheqjen pas humbjes në zgjedhje duke dhënë një shembull të përgjegjësisë që ata kanë për këtë rezultat. Janë vendime të thjeshta, të sinqerta dhe demokratike të marra nga dy politikanë lokalë të panjohur, por që i kanë dhënë një leksion të madhe kupolës së partisë. Të dhënat flasin se këtë mund ta bëjnë edhe të tjerë. Dhe kjo do të thoshte se zgjidhja për riformatimin e Partisë Demokratike po vjen nga baza dhe jo nga qendra.
KËSHILLI I TË URTËVE
Por çfarë duhet të bëjë PD? Modestisht e them dhe e kam përsëritur që ka një zgjidhje që mund të arrijë një bashkim të madh. Ngritja urgjente e një këshilli të urtësh që të marrin në dorë fatet e kësaj partie do ishte me shumë rëndësi e dorës së parë. Krijimi i këtij këshilli duhet të bëhet me personalitete të PD që nuk kanë as interesa adhe as aspirata për karrierë dhe emrat e tyre janë të shumtë. Unë po rendis disa si: Aleksandër Meksi, Mark Marku, Albina Karamitro, Fatos Beja, Alfred Serreqi, Dylber Vrioni, Rexhep Uka, etj. Mund të jenë edhe të tjerë që do përbëjnë një institucion për ta zgjidhur këtë krizë. Veprimi i dytë duhet të ishte shkrirja dhe zerimi i të gjitha strukturave dhe ndarjeve si në PD-në zyrtare dhe në Rithemelim duke deklaruar një riorganizim total të partisë. Pas kësaj duhet që partia të kalonte një proces strukturimi nëpërmjet votës për të arritur në një parti mbi bazën e parimeve më demokratike. Më pas të hartohet një platformë e qartë për përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 që do përbënte edhe stradegjinë e të gjithë opozitës.
KUSH JANË ATA QË DUHET TË BËJNË NDRYSHIMIN E MADH?
Po kush duhet ta bëjë revolucionin brenda PD-së? Sigurisht që nuk mund ta bëjnë pleqtë. Me shumë respekt për atë që kanë kontribuar në këtë parti por falë jo vetëm moshës, një pjesë aty nuk japin më, por ata janë dhe po bëhen pengesë. Ata vazhdojnë të marrin dhe të mos japin asgjë. U del imperative atyre që janë në moshë të re të bëhen iniciatorë e të gjithë asaj që duhet të trondisë këtë parti për ta ringritur.
Sigurisht që revolucionet i bëjnë 18-20 vjeçarët dhe më e mira do ishte që edhe në PD zgjidhja të vinte nga Forumi Rinor i kësaj partie. Por me përjashtime të vogla, ky forum më shumë është i gatshëm vetëm për të organizuar protesta se sa të jetë pjesë e aksioneve politike brenda partisë. Kujtojmë se kur u themelua në 1990 të rinjtë ishin baza e kësaj partie me 20-vjeçarë, shumica studentë. Kështu, zgjidhja mund të vijë vetëm nga të rinjtë e grupit parlamentar, ose të rinjtë e strukturave që janë në qendër.
Një nga politikanë të rinj që kanë premisë për ta aritur këtë është Ina Zhupa, e cila ka treguar më shumë karakter se sa interesa. Ka moshë të re dhe vizioni i saj kanë qenë shumë i qartë. Aksionet dhe betejat në të cilat është përfshirë në politikë kanë ngjitur aq shumë sa janë bërë kauza për të gjithë opozitën. Çështja e Butrintit dhe e Akademisë së Shkencave mbeten jo vetëm beteja të saj politike por edhe nga më interesantët e PD dhe të gjithë opozitës.
Belind Këlliçi është nga të vetmit që ka fituar nga humbja në zgjedhjet e 14 majit. Formati i tij politik është rritur shuëm dhe ndonëse nuk është deputet ka shumë të dhëna për tu ngjitur akoma më shumë në politikë. I duhet vetëm të punojë që përuljen ta kthej në një cilësi natyrale. Ai ka të dhëna për të inicuar një lëvizje brenda PD-së dhe ky është momenti i tij.
Luçiano Boçi ndonëse është në moshë të mesme për natyrën dhe energjitë që ka duket shumë më i ri. I pakonsumuar politikisht ai ka premisa për të qenë promotor i shumë zhvillimeve në PD. Mbi të gjitha ka edhe ekperiencën. Të tre këta duhet të afrojnë rreth vetes edhe politikanë të tjerë për të nisur një proces riformatimi të kësaj paertie që nis me krijimin e Këshilli të të Urtëve, te pajtimi i madh i të gjitha pjesëve e deri te ringritja e strukurave të reja. Ky do ishte shansi i madh por edhe i fundit i kësaj partie, ndryshe nëse vijohet me vazhdimin e punëve atje ku janë lënë, kjo parti destinohet të shkatërrohet edhe më shumë. Dhe tapeti i kuq për Ramën dhe PS-së do fillojë të shtrohet që tani. Viti elektoral 2025 vjen shumë shpejt.