Aktualitet
Frika e hasmit/ Gruaja mes lotësh: Burri na ruante nga dritarja me kallash
Një histori e trishtë e gjakmarrjes është publikuar sot në emisionin “Shqipëria Live”. 58-vjeçarja e cila jeton e fshehur në një vend të thellë në veri, ka treguar se kunati i saj ka vrarë dikë para 10 vitesh dhe për këtë arsye janë në gjak. Ajo ka rrëfyer se kanë rënë në gjak para 10 viteve, ku sherri mes kunatit dhe viktimës kanë nisur në ambientet e një lokali. Viktima thuhet se ka sharë kunatin e 58-vjeçares.
“Prej 10 vitesh kemi rënë në gjak, kunati im ka vrarë një njeri. Ai ka qenë në një lokal dhe kanë pirë bashkë kafe me personin dhe kanë filluar konfliktet. E ka sharë siç thotë kunati im, i ka sharë fenë, nënën, motrën dhe aty për aty e ka falur.
Pastaj ka ikur tek shtëpia, i tha t’i kërkonte falje për ofendimet që i kishte thënë më parë. I ka thënë jo dhe do të të jap ofendime të tjera. I kishte dhënë ulu në gjunjë dhe kërko falje, sepse nuk e kishte në plan për ta vrarë. Në ditën e tretë e morën vesh që ishte vrarë”, tregon 58-vjeçarja.
Gruaja kujton se ndërkohë që djemtë e saj po punonin në arë, burri i saj i ruante nga dritarja me kallash me frikën se mos i qëllonte dikush.
Pasi u larguan nga vendi ku jetonin, 58-vjeçarja shprehet se jeta e tyre nuk ka qenë aspak e lehtë, por me shumë vuajtje. Ajo dëshiron shumë që kjo hasmëri të marrë fund, por askush nuk është futur në mes për të shuar këtë konflikt mes dy familjeve.
“Kemi shumë dëshirë të pajtohemi, është gjëja më e bukur pajtimi. Në kohët që janë sot, nuk të pajton njeri. Nuk ka ndërhyrë kush dhe as nuk kemi besim se ndërhyn kush. Sepse nëse ndërhyn kush dhe i rregullon kush këto gjëra, do jetë gjëja më e bukur”, u shpreh ajo.
Në fund, 58-vjeçarja i kërkon të gjithëve që kanë mundësi, ta ndihmojnë me ushqimet, pasi jeton në kushte shumë të vështira.