Politike
“Po anulohen rezervimet”, Balla ngre alarmin për pasojat e protestave në turizëm
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, ka ngritur shqetësimin për ndikimin që, sipas tij, po kanë pamjet e protestave të dhunshme në kryeqytet në imazhin e Shqipërisë dhe sektorin e turizmit.
Gjatë një takimi me gratë në Golem, të cilin e cilësoi si kryeqytetin e turizmit, Balla u ndal te shqetësimet e bizneseve turistike për pasqyrimin e përplasjeve në Tiranë dhe pasojat që ato mund të sjellin për rezervimet.
Sipas Ballës, pamjet e dhunës të transmetuara nga bulevardi i kryeqytetit po dëmtojnë imazhin turistik të vendit, ndërsa bizneset kanë raportuar shqetësime për anulimin e rezervimeve.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, përfaqësuesi i PS-së akuzoi aktorë politikë vendas dhe ndikime të huaja për nxitjen e dhunës, duke i cilësuar këto të fundit si armiqësore ndaj Shqipërisë.
“Një mesazh nga krye-Qyteti i turizmit Golem ku biznesi turizmit dënon dhunën e gatuar nga salinjtë vendas, e shtyrë edhe nga duart e huaja, armiqësore me Shqipërinë. Pamjet nga bulevardi, po dëmtojnë imazhin e turizmit shqiptar dhe po sjellin anullim të rezervimeve”, shkroi Balla.
Ai theksoi se pasojat e përplasjeve në kryeqytet nuk kufizohen vetëm në Tiranë, por mund të shtrihen edhe te sipërmarrjet turistike në zonat bregdetare, të cilat mbështeten te imazhi i vendit dhe besimi i vizitorëve vendas e të huaj.
Megjithatë, pretendimi për anulimin e rezervimeve nuk shoqërohet në deklaratën e cituar me të dhëna konkrete mbi numrin e anulimeve apo ndikimin financiar te bizneset turistike.