Connect with us

Shkrime

Biserko zbulon prapaskenat e trazirave në Veri, tregon emrat…

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka kritikuar ndërkombëtarët që sipas saj, po tolerojnë Serbinë që të mos respektojë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, me Kosovën.

Sipas saj, komuniteti ndërkombëtar nuk ka një politikë konsistente ndaj Kosovës, sepse udhëhiqet nga interesi parësor për ta kaluar Serbinë drejt Perëndimit.

Biserko ka deklaruar se burimi i gjithë tensioneve të fundit në veri të Kosovës, është që Beogradi nuk dëshiron të njohë Kosovën.

Ajo ka akuzuar Serbinë se po shantazhon komunitetin serb në Kosovë, përmes vendimit për të mos marrë në zgjedhje. Duke folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në komunat veriore të Kosovës, Biserko ka inkurajuar serbët të votojnë në ato zgjedhje dhe të kthehen në institucione.

E pyetur se çfarë mund të bëjë Prishtina tani për t’ia ndryshuar mendjen amerikanëve dhe evropianëve, që paralajmëruan pasoja për Kosovën, Biserko ka këshilluar kryeministrin Albin Kurti, që të pajtohet për lëvizjet e tij me BE-në, SHBA-në dhe KFOR-in, sepse prej tyre varet siguria e Kosovës.

“Pikëpamjet e tij janë të sakta, por ai duhet të marrë parasysh realitetin dhe faktin që Beogradi përdor çdo situatë për të akuzuar Prishtinën se dëshiron luftë”, ka deklaruar Sonja Biserko

Sipas saj, trazirat në Kosovë janë iniciuar nga Milun Milenkoviq dhe arrestimi i tij nga Kosova, është një lehtësim i madh për serbët në Kosovë, “sepse nuk do të ekspozohen ndaj presioneve fizike nga Beogradi dhe Lista Serbe”.

E pyetur a mendonte se SHBA dhe BE nuk janë treguar të ashpra ndaj Beogradit dhe Vuçiçit, Biserko u shpreh:

“Perëndimi është i rezervuar kur është fjala për të kritikuar hapur Beogradin për situatën aktuale në Kosovë. Nuk e di nëse po e paralajmërojnë Beogradin në një mënyrë tjetër për nxitje të tensioneve në veri. Duhet pasur parasysh se për herë të parë presidenti Vuçiq nuk ka kontroll mbi ngjarjet në vetë Serbinë. Protestat “kundër dhunës në Serbi” bartin një energji të re, do të thosha para së gjithash çlirim nga frika” .

 

Advertisement