Connect with us

Aktualitet

Paguan 22.8 mld lekë, tatimi mbi pagat ‘furnizon’ buxhetin

Buxheti i shteti ka rritur ndjeshëm arkëtimet nga tatimi mbi të ardhurat që paguajnë qytetarët shqiptarë. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, nëse do të marrim në analizë periudhën Janar-Maj nga viti 2020 dhe në vijim, vihet re një rritje progresive e totalit të taksave që paguajnë qytetarët shqiptarë.

Konkretisht në 5 mujorin 2023 janë paguar 22.8 miliardë lekë, me një kapërcim prej  rreth 4.5 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2022, dhe hendeku bëhet edhe më i madh nëse do ta krahasojmë me shifrat e vitit 2021 apo 2020.  Në zërin e tatimit mbi të ardhurat personale kontributin më të lartë e jep tatimi mbi pagat e punonjësve në sektorin privat dhe publik, e ndjekur nga tatimi i paguar nga shitja e pasurive të paluajtshme i cili është në nivelin 15 për qind si dhe tatimi mbi qiratë.

Po ashtu një hapësire të konsiderueshme zë tatimi mbi të ardhurat nga dividendët dhe si dhe tatimi mbi të ardhurat nga interesat.  Tatimi mbi të ardhurat personale është zëri më i dytë  me më ndikim në buxhetin vjetor të shtetit, pas TVSH-së  dhe përbën afro 26.7% të totalit të të  ardhurave tatimore.  Ndërkohë nga 1 Qershori tatimi mbi pagat llogaritet me një formulë të re. Kështu, më shumë se 58 mijë të punësuar do të përfitojnë shtesë në pagën e muajit Qershor, për shkak të zerimit  të normës tatimore për pagat nga 0-50 mijë lekë.

Ndërkaq, me ligjin e ri përfitues do të jenë edhe të punësuarit me paga 50-60 mijë lekë. Pasi tatimi mbi pagën do të llogaritet 13 % e shumës mbi 35 mijë lekë. Ende nuk janë kalkuluar efektet në buxhet që do të ketë kjo iniciativë, por pasqyrimi do të jetë në treguesit fiskalë të 6 mujorit.  Megjithatë, rritja e pagave në sektorin publik, automatikisht do të reflektohet në rritje të tatimit, çka do të kompensojë efektin negativ që mund të sjellin ndryshimet ligjore./ SCAN

Advertisement