Rajon
Eurodeputetët kërkojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Dodikut
Deputetët kryesorë të Parlamentit Evropian që merren me rajonin e Ballkanit Perëndimor, kanë kërkuar që të vendosen sanksione ndaj liderit serb të Bosnjë Hercegovinës, Millorad Dodik, për shkak të veprimeve të tij secesioniste që dëmtojnë sovranitetin dhe integritetit territorial të vshtetit ballkanik.
Shefi i Komisionit për politikë të jashtme, David McAllister, raportuesi për Bosnje e Hercegovinën, Paulo Rangel, dhe shefi i delegacionit për Kosovën, Romeo Franz nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë kërkuar masa urgjente nga BE-ja ndaj Millorad Dodikut.
“Nuk mund të tolerojmë më secesionistët dhe mbështetësit e tyre që në mënyrë sistematike të rrezikojnë Bosnje Hercegovinën“ – thuhet në deklaratën e tyre.
Ata dënouan gjithashtu vendimin e Asamblesë së entitetit serb në Bosnje Hercegovinë për të mos pranuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vendit, të cilin e konsiderojnë sulm direkt nja rendit Kushtetues dhe ndaj marrëveshjes së Daytonit.
Ata gjithashtu kanë tërhequr vërejtjen se kredibiliteti i Bashkimit Evropian është në pikëpyetje dhe Unioni nuk mund vetëm të kënaqet me deklarata verbale në mbështetje të veprimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje Hercegovinë, por duhet që në mënyrë aktive të ndërmarrë masa.