Aktualitet
Pse digjen më shumë makina gjatë verës? Ja si ta parandaloni
Me ardhjen e ditëve të nxehta të verës, në vendin tonë kanë nisur të shtohen rastet e incidenteve me makinat të cilat marrin flakë.
Të paktën tre të tilla janë regjistruar gjatë javës së fundit, fatmirësisht pa viktima.
Ka disa arsye se përse makinat shpërthejnë në flakë gjatë ditëve me temperatura të larta. Por një prej më kryesoreve është moskujdesja për gjendjen e mjetit.
Materialet që marrin lehtësisht zjarr janë të rrezikshme dhe nuk duhet të mbahen brenda makinës gjatë verës. Sende të tilla janë çakmakët, shishet sprajt të parfumit, aromatizues apo dezinfektues duarsh. Kujdesuni që makinën ta parkoni në hije.
Një tjetër arsye është frenimi i fortë. Duke frenuar me forcë, por edhe në rastin kur frenat janë të konsumuara, ushtrohet presion ndaj pjesëve të ndryshme të sistemit të frenimit, duke gjeneruar nxehtësi të madhe dhe si rrjedhojë flakë.
Një motor që nxehet. Ndonëse temperatura e lartë e motorit mbi normalen në vetvete nuk shkakton zjarr, mund të bëhet shkak për shpërthimin e zjarrit në pjesë të tjera të motorit. Për shembull, një motor që nxehet më tepër se norma, mund të shkaktojë nxehjen e madhe të antifrizit apo vajit, duke bërë që të shpërthejnë dhe të lagin pajisje të tjera elektronike.
Niveli i ulët i ujit në radiator. Sistemi i ftohjes së radiatorit është vital për funksionimin e rregullt të makinës. Niveli i ulët i ujit mund të çojë në rritjen e temperaturave dhe për rrjedhojë në zjarr.
Një shkëndijë elektrike. Edhe një fije elektrike mund të shkaktoj një zjarr të madh në makinë, nëse nuk vërehet në kohë. Çdo makinë ka nj sistem të komplikuar elektrik që është mirë të kontrollohet herë pas here.
Kështu që përpara se të niseni për pushime apo për rrugë të gjatë, sigurohuni për disa gjëra. Niveli i vajit dhe antifizit duhet të jetë optimal. Në asnjë mënyrë makina nuk duhet të ketë rrjedhje të vajit apo ujit. Rrugët e gjata dhe maloret e forta janë forcuese për një motor të vjetër apo që nuk është mirëmbajtur. Lereni makinën të pushojë nëse ndodheni në një situatë të tillë.