Connect with us

OPINION

Dhuna në Krujë/ Dervishi: Kushdo që përpiqet të fshehë armët e dhunës pas flamurit socialist…

Analisti Lutfi Dervishi, në një shkrim në “Facebook” me tone ironizuese ka reaguar për situatën e rëndë të ndodhur në Krujë, pas dhunës barbare të anëtarëve të fisit Rraja, ku pjesë ishte edhe vëllai dhe djali i deputetit të PS, Rrahman Rraja.

“Votëbesimi popullor që u konfirmua edhe në zgjedhjet e 14 majit na bën më të përkushtuar për t’i shërbyer të gjithëve pa dallim si atyre që na votuan ashtu edhe atyre që nuk votuan për ne. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe çdokush që përpiqet të fshehë armët e dhunës pas flamurit të Partisë Socialiste nuk do të përkrahet”, shkruan analisti.

Me nota ironie, analisti Dervishi i referohet deklaratave të mëparshme të kryeministrit Edi Rama që në ngjarja të ngjashme në situatat e mëparshme shprehet se përgjegjësitë janë individuale, ndërsa për situatën në fjala ende nuk ka pasur një reagim nga qeveria.

Në reagimin e tij analisti Dervishi me tone ironike shkruan:

 

 

Deklaratë e Grupi Parlamentar të PS-së lidhur me ngjarjen në Fushë Krujë.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Ne, deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste përmes kësaj deklarate dëshirojmë t’i shprehim ndjesën më të sinqertë publikut për incidentin e fundit në të cilën janë përfshirë familjarët e një deputeti të grupit tonë parlamentar, forcës me progresiste në Shqipëri që është lokomotiva e modeleve më të mira të shoqërisë.

Veprimet e kryera nga ky grup ndaj dy qytetarëve dhe postimi i videos së dhunës po prej tyre në rrjetet sociale, janë krejtësisht të papranueshme dhe nuk pasqyrojnë vlerat apo parimet e partisë sonë. Ne distancohemi nga çdo akt dhune dhe i urojmë shërim të shpejtë viktimave të ngjarjes.

Po ritheksojmë me forcë qëndrimin e palëkundur që kemi mbajtur në raste të tilla: përgjegjësia është PERSONALE!

Ne e kuptojmë dhe bashkë ndajmë zemërimin dhe zhgënjimin që ndjen publiku në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Është thellësisht për të ardhur keq që ka ndodhur një akt i tillë, i cili është jo vetëm i qortueshëm, e i pa denjë, por edhe tërësisht i papranueshëm.

Akti i dhunës së verbër ndaj dy qytetarëve që po ushtronin të drejtën e tyre për të raportuar një ankesë në polici duhet të marrë përgjigjen e merituar ligjore.

Me keqardhje konstatojmë se reagimi i policisë në adresimin e kësaj situate ishte i pamjaftueshëm dhe shprehim zhgënjimin që drejtësia nuk veproi me shpejtësi ashtu siç ne u kemi premtuar qytetarëve.

Ne kërkojmë një hetim të plotë, të thellë dhe të shpejtë mbi këtë ngjarje dhe u bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë të përshpejtojnë përpjekjet e tyre për kapjen e personave që janë ende në kërkim dhe vendosjen e tyre para drejtësisë.

Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk i shpëton forcës së ligjit.

Si parti qeverisëse, ne jemi të përkushtuar të respektojmë parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies. Për ne siguria dhe mirëqenia e qytetarëve është prioritet mbi prioritetet, pasi rendi publik është kryefjala e një vendi që do të jetojë në paqe.

Ne i kërkojmë autoriteteve ligjzbatuese që të ndërmarrin të gjitha hapat dhe të marrin të gjitha masat që në të ardhmen incidente si këto të parandalohen dhe të ndërmerren veprime të menjëhershme kurdo dhe kudo që ato të ndodhin.

Edhe një herë ju kërkojmë ndjesë më të thellë dy qytetarëve që iu nënshtruan këtij akti dhune barbare dhe urojmë shërimin e tyre sa më të shpejtë.

Ne do të angazhohemi dhe do të punojmë pa u lodhur për të forcuar më tej besimin e publikut tek institucionet tona.

Votëbesimi popullor që u konfirmua edhe në zgjedhjet e 14 majit na bën më të përkushtuar për t’i shërbyer të gjithëve pa dallim si atyre që na votuan ashtu edhe atyre që nuk votuan për ne.

Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe çdokush që përpiqet të fshehë armët e dhunës pas flamurit të Partisë Socialiste nuk do të përkrahet.

Si grup deputetësh, kemi vendosur që gjysma e pagave tona të këtij muaji të shkojnë për kurimin e personit të lënduar dhe rehabilitimin e familjarëve të tij që kanë pësuar trauma nga pamjet.

Me shpresë që këto akte nuk do të përsëriten më dhe ligji do flasë vetëm gjuhën e së vërtetës, ne sigurojmë se do punojmë me ju dhe për ju për forcimin e mëtejshëm të Kodit Penal.

Advertisement