Aktualitet
Tre të mbytur në plazh/ Kreu i Urgjencës: Ambulanca nuk është vonuar
Kreu i Urgjencës, Skërnder Brataj, ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë një ditë më parë ku humbën jetën në det babai së bashku me dy djemtë e tij të mitur. Ai sqaron se thirrja në urgjencë ka ardhur në orën 12:51, duke hedhur poshtë zërat se ambulanca është vonuar. Ambulanca e parë nga Rrogozhina ka mbërritur në orën 13:13, duke u vonuar 22 minuta, gjë që bie ndesh me disa pretendime nga pushuesit që deklaronin se ndihma u vonua mbi 1 orë.
Brataj bën me dije se të gjitha thirrjet e qytetarëve në urgjencë regjistrohen. Më tej shtoi se kur ka shkuar ambulanca në vendngjarje, të tre ishin të pajetë.
“Nga ajo që na rezulton në sistem kemi thirrjen në orën 12:51, ambulanca e parë nga Rrogozhina mbërriti në 13:13, ambulanca e dytë nga Kavaja shkoi në 13:27 dhe u njoftua pak më vonë. Të tre personat kishin ndërruar jetë kur shkoi ambulanca e parë në plazh. Ata janë nxjerrë pa shenja jete nga deti. Të gjitha bisedat e kërkesave për ndihmë me qytetarët ruhen në sistem”, u shpreh ai për “News 24”.
50-vjeçari Elvis Halilaj dhe dy fëmijët e tij, përkatësisht 15 dhe 13-vjeç kishin zgjedhur të pushonin në plazhin e Vilë Bashtovës. Të tre ata kishin udhëtuar nga Tirana, pa menduar se do të gjenin vdekjen në ujrat e këtij plazhi. Pushuesit tregojnë se fillimisht ka qenë 13-vjeçari që nuk po dilte dot nga uji, dhe babai me vëllain kanë shkuar për ta ndihmuar.