Politike
Taulant Balla prezanton Prefektin e ri të Kukësit (EMRI)
Ministri i Brendshëm Taulant Balla prezantoi sot në Kukës, prefektin e ri të qarkut, Albert Halilaj.
Në ceremoninë e zhvilluar, Balla shoqërohej edhe nga deputeti Pandeli Majko e zyrtarë të lartë vendorë. Në fjalën prezantuese, Balla ka folur mbi nevojën e rishikimit dhe ridimensionimit të rolit të prefektit.
“Ka ardhur koha për të rishikuar dhe ri-dimensionuar rolin e prefektit në kuadër të reformës administrative territoriale dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore”, tha Balla, duke nënvizuar se sipas ligjit, prefekti është autoriteti më i lartë vendor.
Duke folur rreth raporteve të prefektit me të zgjedhurit lokalë, Balla tha se prefekti duhet të monitorojë vazhdimisht vendimet e marra nga këshillat bashkiake.
“Natyrshëm është dhe marrëdhënia e prefektit me të tria Bashkitë. Të gjitha vendimet e këshillave konfirmohen nga prefekti. Prandaj z. prefekt roli juaj merr një rëndësi shumë të madhe, pasi duhet vlerësuar ligjshmëria e tyre. Nëse konstatohet se vendimi i këshillit bashkiak bie ndesh me legjislacionin apo interesat publike, ju keni të drejtë t’i rikthesh për rishqyrtim”, u shpreh Balla.
Më tej Ministri i Brendshëm Balla foli rreth problemeve që kanë të bëjnë me shërbimet ndaj publikut, sidomos gjatë sezonit veror.
“Duhet të përmirësojmë shërbimet publike. Është e rëndësishme që në këtë kohë dhe në këtë pikë të pushimeve, një pjesë e motrave dhe vëllezërve që kthehen nga emigracioni, t’u krijojmë kushtet dhe shërbimet të jenë pa ndërprerje”, tha Ministri.
Prefekti i ri i qarkut Kukës Albert Halilaj u emërua në këtë detyrë nga Kryeministri Edi Rama më 19 korrik, pas lirimit nga detyra e ish-prefektit të qarkut Ali Hallaçi.