Bota
Zhduket zogu i famshëm blu, Elon Musk i ndryshon emrin Twitter-it
Rreth një vit pasi bleu për 44 miliardë dollarë kompaninë e mediave sociale, Twitter, Elon Musk njoftoi sot një ndryshim të madh se si duket kjo platformë: Zogu i famshëm ngjyrë blu është zëvendësuar me gërmën “X”.
Ndryshimet e para në këtë platformë u vunë re nga njerëzit që përdorin versionin në kompjuter të platformës, ndërsa në aplikacionet në telefon ende nuk është bërë ndryshimi.
Zoti Musk u kishte kërkuar përdoruesve ide për këtë ndryshim dhe më pas ai zgjodhi gërmën “X”, të cilën ai e cilësoi si “Art Deco minimalist”, duke thënë se “me siguri do të rafinohet”.
Nëse dikush në internet do të kërkojë në adresën: “X.com” serverat automatikisht do ta drejtojnë drejt adresës së internetit “Twitter.com”.
Në përgjigje të pyetjeve se si do të quheshin tweet-et (postimet në këtë platformë) kur të bëhet riemërtimi, zoti Musk u përgjigj duke thënë se “ato do të quheshin Xs”.
Musk ka qenë prej kohësh një adhurues i gërmës “X”. Miliarderi zotëron gjithashtu kompaninë e raketave “Space Exploration Technologies Corp”, e njohur si SpaceX.
Në vitin 1999 ai themeloi një biznes në internet të quajtur X.com, një kompani shërbimesh financiare në internet e njohur tani si “PayPal”.
Blerja dhe riemërtimi i rrjetit social “Twitter” janë pjesë e strategjisë së zotit Musk për të krijuar atë që ai cilëson si “supër aplikacioni”, i ngjashëm me WeChat, që përdoret në Kinë, i cili kombinon bisedat me video, mesazhe, transmetim të drejpërdrejtë si dhe kryen pagesa financiare.
Ekspertët, megjithatë thonë se emri i ri do të ngatërrojë pjesën më të madhe të audiencës së medias sociale, e cila tashmë është përballur me një sërë ndryshimesh.
Kompania po ashtu përballet me konkurrenti më të ri “Threads”, aplikacioni i ri i kompanisë “Meta” që synon drejtpërdrejt përdoruesit e Twitter-it./VOA