Aktualitet
PAMJET/ Shqiptari nga Kosova tentoi të përplaste dy punonjësit me makinë
Një sherr për motive banale që ndodhi dje në një pikë karburanti në Lezhë, përfundoi me dy të lënduar. Shqiptari nga Kosova, Migjen Mulaj, në gjendje të dehur ka shkuar pranë biznesit ku punonin Nikoll Sokoli e Kujtim Rusi për të kryer nevojat personale. Policia njoftoi se rasti është shënuar rreth orës 18:30 në një karburant në afërsi të Kryqëzimit të Tales, në aksin rrugor Lezhë- Milot. Pas këtij veprimi të Migjen Mulajt, dy punonjësit kanë shkuar për t’u konflikuar me të me fjalë, ndërkohë 37-vjeçari është futur në makinë dhe i ka sharë. Teksa dy punëtorët po ktheheshin tek vendi ku punonin, 37-vjeçari i ka dhënë gaz makinës për të përplasur dy punonjësit.
Në tentativë e sipër ai është përplasur me zyrën e rojës së karburantit. Dy punonjësit kanë ndërhyrë dhe e kanë dhunuar me shkop. Për pasojë ndodhen në spital Migjen Mulaj dhe Nikoll Sokoli, të dy jashtë rrezikut për jetën.
Migjen Mulaj akuzohet për “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “shkatërrim prone”. Ndërsa Nikoll Sokoli dhe Kujtim Rusi akuzohen për “plagosje e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”.
https://www.youtube.com/shorts/-xnbGHCuOIo?t=9&feature=share
Njoftimi
“Rreth orës 18:30 të ditës së djeshme, në ambientet e një karburanti në aksin rrugor Lezhë-Milot, shtetasi kosovar M. M. pas një konflikti të çastit për motive të dobëta që ka patur me dy shtetasit shqiptarë N. S. dhe K. R. (punonjës pranë këtij karburanti), i ka goditur fillimisht fizikisht dhe më pas me automjetin e tij ka tentuar që ti përplasë duke u rrezikuar jetën. Si pasojë e tentativa me automjet, shtetasi M. M. është përplasur me ambientet e brendshme të karburantit, duke i dëmtuar.”
“Në vijim të konfliktit, dy punonjësit e karburantit e kanë goditur shtetasin M. M. me mjete të forta në trup (shkopinj) duke i shkaktuar dëmtime fizike, i cili aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Në spital për ndihmë mjekësore, ndodhet edhe shtetasi N. S. i cili ka marrë gjithashtu dëmtime fizike, por jashtë rrezikut për jetën.”
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit M. M. 37 vjeç, banues në Kosovë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Shkatërrim prone”. – N. S. 61 vjeç dhe K. R. 52 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim”.