Bota
Erdogan: Turqia s’ka probleme me fqinjët e saj
Drejtimet kryesore të politikës së jashtme turke dhe rolin e vendit të tyre në zhvillimet ndërkombëtare i ka analizuar sot presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, duke folur në Konferencën e 14-të të Ambasadorëve të mbajtur në pallatin presidencial në Ankara.
“Turqia është bërë një vend krijues, i cili ka lënë gjurmë në marrëdhëniet ndërkombëtare, kërkon përfshirjen e saj në shumë çështje kritike dhe qëndrimi i saj monitorohet nga afër”, tha presidenti turk, duke iu drejtuar ambasadorëve turq, duke pretenduar se Ankaraja tani po luan një rol aktiv në terren por edhe në tryezën e bisedimeve…
“Turqia nuk po shikon nga tribuna”
“Turqia, e vendosur në zemër të tre kontinenteve, nuk mund të shikojë ngjarjet nga tribuna. Është detyrimi ynë të jemi në fushë. Ne ndërhyjmë në ngjarjet e rajonit tonë, me fokus Turqinë. Ne po përpiqemi të mbrojmë interesat e Turqisë duke përdorur të gjitha mjetet e diplomacisë. Të qenit aktiv në fushë dhe në tavolinë nuk është zgjedhje për ne, por detyrim. Ashtu siç nuk kërkojmë tension, nuk i dorëzohemi presionit, me durim dhe ndershmëri. Ne jemi të interesuar për mbrojtjen e interesave të Turqisë”, tha ai në fjalën e tij.
Marrëdhëniet me fqinjët: Dialog dhe diplomaci
Presidenti turk iu referua edhe marrëdhënieve të Turqisë me vendet fqinje. Pa përmendur Greqinë apo vende të tjera, ai tha se “veçanërisht me fqinjët tanë, ne jemi gati të gjejmë një pikë të përbashkët mirëkuptimi”.
“Po mundohemi të rrisim edhe më shumë numrin e miqve. Ne nuk kemi asnjë problem që nuk mund të zgjidhet me askënd, veçanërisht me fqinjët tanë. Jemi gati të gjejmë një bazë të përbashkët. Qëllimi ynë është të krijojmë një zonë paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti rreth vendit tonë. Dialogu dhe diplomacia do të jenë dy mjetet tona më të rëndësishme për të arritur këtë qëllim”, tha presidenti turk.
Presidenti turk kujtoi se qëndrimi i Turqisë ndaj Ukrainës është vlerësuar shumë në mbarë botën.
“Që nga 17 korriku, ne kemi vazhduar punën për nismën e drithit të Detit të Zi, e cila ishte pezulluar. Javën e kaluar fola me Putinin dhe diskutuam këtë çështje. Besoj se mund të gjejmë gjuhën e përbashkët për këtë çështje. Atmosfera pozitive që nisi me nismën e Detit të Zi nuk u prit mirë nga disa vende. Në vend të kësaj, ata i hodhën benzinë zjarrit. Ne nuk duam që ky tension të vazhdojë më tej. Ne do të vazhdojmë të punojmë sinqerisht me të gjitha palët. Sidomos nëse lufta përhapet në Detin e Zi, do të jetë një fatkeqësi”.