Rajon
Plagosja e shqiptarit në Greqi, hakmarrje për vrasjen e Edmond Papës?
Një 51-vjeçar shqiptar është plagosur rëndë mbrëmjen e së mërkurës në vendin e quajtur Limani i Lakës në ishullin Paksi në detin Jon.
I plagosuri quhet Andrea Kalemi, i cili dyshohet se është i implikuar me vrasjen e Edmond Papës, i vrarë në muajin dhjetor në zonën e Selitës në Tiranë. Po ashtu, ai është akuzuar se ka vrarë dy persona në Belgjikë në vitin 2001.
Sipas të dhënave, Kalemi ka hyrë në datën 5 gusht në Greqi nga Kakavija, së bashku me gruan tre fëmijët.
Në vend ngjarje u gjetën 14 gëzhoja pistolete ndërsa vijon puna për arrestimin e autorit. Policia ka emrin dhe identitetin e tij. Bëhet fjalë për shtetas shqiptar me banim në Itali.
Debati mes dy tyre degradoi në përplasje fizike, ku autori i dyshuar nxori nga xhepi një pistoletë dhe qëlloi disa herë mbi viktimën i cili mbeti i plagosur. 51-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë dhe po lufton për jetën në spitalin e Janinës.
Policia thotë se ngjarja mund të jetë larje hesapesh për borxhe të vjetra mes autorit dhe viktimës, ose edhe pista e hakmarrjes. Situata pritet të sqarohet nëse bëhet i mundur arrestimi i autorit ose pas dëshmisë së të plagosurit.
Vrasja e Edmond Papës dhe kushëririt të Andrea Kalemit
Prishja e pazareve të drogës dyshohet se fshihet pas vrasjes së Edmond Papës në Tiranë. Kjo është pista kryesore e ngritur nga policia e Tiranës e cila nga verifikimet paraprake dyshon se vrasja e Edmond Papës ka ardhur si kundërpërgjigje e një eliminimi mafioz që i është bërë një kundërshtari të tij gjatë kësaj vere në Tiranë.
Prova kryesore që e shtyn policinë të lidhë dy vrasjet është fakti se Papa dhe kundërshtari i tij janë takuar në Sarandë dy ditë para vrasjes së ndodhur në qershor të këtij viti. Ka dyshime se ky takim mes tyre nuk ka shkuar mirë dhe solli më pas ngjarjen e rëndë. 49-vjeçari u ekzekutua pasditen e së premtes së 16 dhjetorit 2022 në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. Megjithëse me profil të ulët, 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Nga verifikimet ka rezultuar se Edmond Papa në Shqipëri kryesisht gjatë verës jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit.
Andrea Kalemi është djali i dajës së Aleksandër Sadikajt, të riut të vrarë me tritol më 11 qershor në Tiranë. Kalemi rezulton të ketë lidhje të ngushta shoqërore me Velon dhe Boden. Të dy bashkë me individë të tjerë, familjarë të viktimës Aleksandër Sadikaj, dyshohet se kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e 27-vjeçarit është organizuar në qytetin e Sarandës, pikërisht në hotelin e Edmond Papës. Hoteli menaxhohej dhe nga vëllai i 49-vjeçarit Kristo Qirici. Aleksandër Sadikaj kishte fjetur në këtë hotel dy ditë para se të ekzekutohej me tritol në makinë.
Shkak për konfliktin, sipas babait të Sadikajt është bërë një borxh që Papa i kishte 27-vjeçarit. Më konkretisht, ai i kishte blerë 100 kg hashash disa vite më parë, por nuk ia kishte shlyer të gjitha paratë. Për rrjedhojë, i riu ishte konfliktuar me 49-vjeçarin./tch