Aktualitet
SPECIALE | “Kurti tregon parimet, jo-kokëfortësinë”
Qeveria e Kosovës veç se ka ndërmarrë tani disa hapa për deeskalimin e situatës në veri, sipas asaj që u arrit në Bratisllavë. Megjithatë, Bashkimi Evropian s’i ka larguar ende masat, dhe pikërisht këtë, po e kërkon kryeministri Kurti. Çka deklaroi ai? Para pak muajve, 27 vendeve të BE-së morën vendimin për prezantimin e disa masave ndëshkuese, politike e financiare, ndaj Kosovës. Krejt kjo, si pasojë e situatës së shkaktuar në veri nga fundi i muajit maj të këtij viti. Dhe këto masa, siç deklaroi zëdhënësi Peter Stano para dy ditësh, u vendosën pasi pati mungesë të sjelljes “në mënyrë evropiane”. “E kemi thënë disa herë, BE-ja është ndërmjetësues që po ndihmon të dy palët që të arrijnë kompromisin për të normalizuar marrëdhëniet. Çfarë kemi bërë pas eskalimit, kemi vendosur masa për shkak të mungesës së tyre për të filluar që të sillen në mënyrë evropiane.” – deklaroi ai para gazetarëve. Kurti kërkoi heqjen e masave Të enjten, derisa po fliste para gazetarëve Kurti edhe një herë kërkoi largimin e këtyre masave të cilat i konsideroi si të padrejta. Madje, ai para mediave u shpreh se “sa më herët që të përfundojnë këto masa, aq më mirë”. “Sa i përket masave, konsiderojmë se nuk janë të drejta. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që përfundojnë, aq më mirë, ne po bëjmë krejt çka mundemi e dijmë, por do të duhej që edhe partnerët e aleatët tanë evropianë sa më parë ta përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës, sepse një Republikë demokratike si Kosova, meriton të ndihmohet e jo të ketë masa.” – tha kryeministri Kurti.