Politike
‘Ishte kënaqësi të gatuaja për kryeministrin’/ Kuzhinieri i njohur pozon krah Ramës
Kuzhinieri i njohur Apostolos Topalli ka publikuar një foto krah kryeministrit Edi Rama, gjatë qëndrimit të këtij të fundit në Pogradec.
Në postimin e tij në Facebook, Topalli ka shprehur kënaqësinë për mundësinë për të gatuar për kryeministrin. “Ishte kënaqësi të gatuaja për Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama”, shkruan ai krahas fotografisë.
Rama ndodhet në Pogradec për takimet e punës me kabinetin qeveritar, pas takimit të zhvilluar një ditë më parë me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.
Gjatë takimit të djeshëm, kryeministri prezantoi edhe platformën e re “Pasqyra Albania”, e cila synon të modernizojë platformën “Bashkëqeverisja” dhe të fokusohet te evidentimi dhe zgjidhja e problematikave të qytetarëve.
Platforma do të ketë dy seksione. I pari, “Flamingo Mirror”, do të shërbejë për mbledhjen e sinjalizimeve dhe shqetësimeve të përditshme të qytetarëve. Ndërsa seksioni “Radar” do të grumbullojë problematikat që do të ndiqen brenda 48 orëve dhe, sipas planit të prezantuar, duhet të marrin zgjidhje brenda një afati deri në dy javë.
Sipas burimeve nga Partia Socialiste, përmes kësaj nisme synohet rritja e besimit te institucionet dhe adresimi më i shpejtë i problemeve të qytetarëve. Suksesi i platformës pritet të vihet në provë edhe në kuadër të zgjedhjeve lokale të vitit 2027.