Aktualitet
SPECIALE | Vuçiç, Al Capone i Ballkanit
Në Serbi, disa nga opinionet më të ashpra për Aleksandar Vuçiqin, presidentin e vendit, vijnë nga ata që e kanë njohur më gjatë. “Ai është Al Capone që takon Vito Corleone”, tha Serdan Milivojeviq, një deputet i Partisë Demokratike të opozitës, i cili e njeh Vuçiqin për 30 vjet. “Vuçiq nuk është patriot, as nacionalist dhe as demokrat, ai është i interesuar vetëm për pushtet të pakufizuar dhe të pakontrolluar”. Megjithatë, ndërsa Vuçiq akuzohet nga kritikët për vrasjen e demokracisë serbe dhe bashkëpunimin me kriminelët, ai shihet gjithashtu – shpesh nga të njëjtët skeptikë – si e vetmja shpresë për stabilitet në Ballkan. Diplomatët amerikanë dhe europianë, të cilët e shohin atë si figurën e vetme që mund t’i bindë serbët të bashkëjetojnë me ish-krahinën e Kosovës, e duruan atë duke fyer Perëndimin, duke nxitur shovinizmin serb dhe duke u rehatuar me Presidentin Putin. Por shumë pyesin: a do të blinit një marrëveshje paqeje në Ballkan nga ky njeri? Vuçiq gjithmonë ka refuzuar të njohë pavarësinë e Kosovës, duke këmbëngulur se ajo mbetet zemra e Serbisë dhe ka premtuar se do të mbrojë serbët etnikë që jetojnë atje. Tensionet e zhurmshme shpërthyen këtë vit pas zgjedhjeve komunale në Kosovë, disa prej të cilave u bojkotuan nga serbët etnikë. Kur Kosova vendosi kryebashkiakë shqiptarë etnikë, shpërthyen telashet dhe paqeruajtësit e OKB-së u vendosën [në atë zonë]. Mosbesimi i ndërsjellë i dy fqinjëve ndaj njëri-tjetrit nuk është vetëm një vështirësi lokale në Ballkan. Serbia është mbështetur prej kohësh në aleatin e saj në Moskë dhe pavarësia e Kosovës është përkrahur nga SHBA-ja dhe BE-ja, duke i bërë tensionet një tjetër shprehje të një konflikti ndërmjetësues midis Rusisë dhe Perëndimit.