Connect with us

Sport

Kristjan Asllani ende pa një destinacion të ri, mesfushori kuqezi pritet të largohet në formë huazimi

E ardhmja e Kristjan Asllanit mbetet ende e paqartë, teksa merkatoja e verës po hyn në fazën vendimtare. Mesfushori shqiptar nuk duket se bën pjesë në planet e trajnerit të Interit, Kristian Kivu, dhe klubi zikaltër po punon për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme për të ardhmen e 24-vjeçarit.

Interi është i gatshëm të shqyrtojë shitjen e Asllanit për një shumë rreth 10 milionë euro, ndërsa një tjetër alternativë mbetet huazimi me të drejtë blerjeje.

Interesi për mesfushorin shqiptar nuk mungon dhe pista më e fundit vjen sërish nga Seria A. Sasuolo është një nga klubet që po monitoron situatën e Asllanit, ndërsa më herët në garë ishte përmendur edhe Kaljari.

Klubi sard ka pasur kontakte me Interin për të mësuar më shumë rreth situatës së shqiptarit, por kërkesa prej rreth 10 milionë eurosh është konsideruar e lartë.

Ndërkohë, emri i Asllanit është lidhur edhe me një transferim jashtë Italisë. Në janar, Xhirona kishte kërkuar informacion për mesfushorin, duke e konsideruar një alternativë për repartin e mesfushës. Së fundmi, interes për të ka shfaqur edhe Hall Siti në Angli.

Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka asnjë marrëveshje konkrete. Interi po shqyrton ofertat dhe formulat e ndryshme të transferimit, ndërsa Asllani duhet të presë ende për të mësuar se ku do të vijojë karrierën e tij.

Advertisement