Connect with us

Politike

Rama ndez “motorët” e mandatit të katërt/ Vendimet që priten në shtator

Kryeministri Edi Rama vijon takimet e punës me strukturat drejtuese të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar. Pas takimit me drejtuesit politikë socialistë në 12 qarqet e vendit dhe krerët e komisioneve parlamentare, Rama do të mbledhë sot ministrat në Pogradec, në një takim të konceptuar si “retreat”.

Në fokus pritet të jetë bilanci i punës së deritanishme, por edhe përcaktimi i objektivave dhe prioriteteve për vitin e dytë të mandatit të katërt qeverisës. Takime të tilla pune janë zhvilluar edhe më herët nga kryeministri, veçanërisht pas përfundimit të sezonit veror, me synimin për të përcaktuar axhendën politike dhe qeverisëse për muajt në vijim.

Një ditë më parë, Rama zhvilloi në Pogradec një takim disaorësh me drejtuesit politikë të PS-së në qarqe dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare. Diskutimet u përqendruan te disa prej dokumenteve të prezantuara nga kryeministri në fund të korrikut, mes tyre edhe dokumenti “Besa”, i cili lidhet me qasjen e re të Partisë Socialiste gjatë mandatit të katërt dhe fokusin te problematikat e qytetarëve.

Në takim u diskutua edhe për platformën “Pasqyrë Albania”, përmes së cilës synohet që shqetësimet e qytetarëve të regjistrohen, të ndiqen dhe të adresohen në kohë reale.

Pas takimeve në Pogradec, vëmendja pritet të zhvendoset drejt fillimit të shtatorit, kur Partia Socialiste pritet të mbledhë Asamblenë Kombëtare. Ky forum është përdorur edhe më herët nga socialistët për njoftime të rëndësishme politike, përfshirë ndryshime në përbërjen e qeverisë.

Mbledhja e radhës zhvillohet pas një periudhe të ngarkuar në politikën shqiptare, e shoqëruar edhe me protesta disa mujore pranë Kryeministrisë. Takimet e zhvilluara këto ditë pritet të përcaktojnë drejtimet kryesore të qeverisë dhe Partisë Socialiste për fazën e ardhshme të mandatit.

Advertisement