Bota
Nga do lëvizin kartat/ Takimi i rëndësishëm në Berlin, para Brukselit
Takimi i ardhshëm mes Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë është një nga më të rëndësishmit që është zhvilluar ndonjëherë, sepse do të qartësohet përfundimisht nëse ngërçi për Veriun (katër komunat veriore të Kosovës) do të tejkalohet, apo do shënojë vetëm ngecjen e radhës për të mundësuar një ri-esklaim të situatës, prandaj Miroslav Lajçak, i është futur një angazhimi special për të takuar të gjithë aktorët e rëndësishëm para takimit.
I fundit ishte ai në kancelarinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, takim që i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun e njoftoi përmes një shkrimi të shkurtër në platformën “X”.
Për të biseduar për “gjendjen e situatës aktuale”, ai pati takim me dikë që e njeh shumë mirë atë brenda kabinetit të kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe për më tepër, dikë që ka kontribuar direkt në këtë “gjendje”, këshilltarin Jens Plotner.
Ky i fundit, bashkë me homologun e tij francez, Emmanuel Bonne, ishin dy personat kyçë në hartimin e Marrëveshjes Bazë, të njohur si propozimi franko-gjerman, i cila u nënshkrua nga Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç me 27 shkurt në Bruksel dhe u përcoll me aneksin në Ohër me 18 mars.
Lajçak e di se situata është delikate, prandaj ndau në “X” se fokusi i bisedës ishte “nevoja për progres në implementimin e Marrëveshjes në Rrugën drejt Normalizimit” dhe është shprehur falënderues ndaj Gjermanisë, “për mbështetjen e fuqishme”.
Gjermania e Franca si dy shtete më të fuqishme të Bashkimit Evropian treguan se e kanë shumë seriozisht me gjetjen e një zgjidhje kur vetë presidenti Emmanuel Macronn dhe kancelari Olaf Scholz, dërguan letër të hapur për Kurtin e Vuçiç-in duke theksuar urgjencën e një zgjidhje.