Aktualitet
‘Kërciti arma, u gjakosën njerëzit’, pamje nga sherri në ish-bllok
Një sherr masiv mes disa personave ka ndodhur në një nga zonat më të populluara në kryeqytet, në atë të ish-Bllokut.
Ngjarja ka ndodhur në lokalin “Check Point”, ku mësohet se disa persona janë konfliktuar duke qëlluar njëri-tjetrin me sende të forta, gota, karrige madje raportohet se pjesë e sherrit ka qenë edhe një punonjës policie i Komisariatit nr.1 në Tiranë, i identifikuar me inicialet D. D, 26 vjeç.
Sipas burimeve mediatike bëjnë me dije se efektivi i policisë i cili u përfshi në sherr mbante në brez armën e shërbimit.
- 3 të plagosur te Trauma, AMP dhe Prokuroria nisin hetimet
Ndrëkaq si pasojë e sherrit në fjalë, 3 persona kanë shkuar më dëmtime në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
Burimet mediatike pohuan se pjesë e sherrit ka qenë edhe një familjar i një prej drejtuesve të Policisë së Shtetit, i cili është shoqëruar në komisariat bashkë me dy persona të tjerë.
Po të njëjtat burime shtojnë se AMP dhe Prokuroria kanë nisur hetimet. Një prej personave të shoqëruar është shtetasi S.D, një emër i njohur për policinë, pasi më heret ka qenë shkaktar i një aksidenti të rëndë në kryeqytet.
- Denoncimi i dëshmitarit: Në “Checkpoint Club” kërciti arma si në Sinaloa, Mexico
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një mesazh, ku shkruan se pak pas mesante në një klub nate në Tiranë ka ndodhur një përplasje me armë. Me nënshtetësi italiane, shqiptari që ka ardhur në Tiranë me pushime, shkruan se në një klub nate, të quajtur “Checkpoint Club”, ka parë ngjarje makabër me sy.
Sipas qytetarit, në këtë lokal nate, ka kërcitur pistoleta, si të ishte në Sinaloa Mexico. Më tej, qytetari, i cili ka qenë dëshmitarë në vendin e ngjarjes, shkruan se gjatë konfliktit të dhunshëm në lokalin e natës, “Checkpoint Club” ka pasur edhe gjuajte me gota kokës.
I shqetësuar pas ngjarjes, qytetari kërkon të dijë se përse bodyguard-ët e lokaleve të natës, nuk bëjnë kontrollet minimale të personave që futen në klub. Ndërkohë nuk dihet nëse nga ngjarja ka të plagosur apo viktima, teksa pritet një njoftim nga policia.
Mesazhi i qytetarit: “Pershendetje joq. Jam nje qytatar shqiptar me nenshtetesi italiane erdha me pushime ne tirane dola ne nje club i cili quhet checkpoint pashe makaber me sy kerciti pistoleta si te ishim ne sinaloa mexico kerciten gotat kokes u gjakosen njerzit nuk e kuptoj kto lokalet nates me badigard te cilet nuk bejme minimale nje kontroll tek dera, mjer ne ku jetojme”.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar kamarieri i lokalit të natës. Për JOQ, punonjësi i klubit shkruan se nuk ka pasur përplasje me armë, por vetëm thjesht janë zënë me grushte.
- Pamjet VICEO nga sherri mes të rinjve:
- Reagimi i Taulant Ballës, paralajmëron ‘Vetëpastrim të Policisë’
“Vetëpastrimit të Policisë së Shtetit do t’i shkohet deri në fund dhe asnjë rast i shkeljes së ligjit dhe normave etike nuk do të tolerohet”. Kështu u shpreh sot ministri i Brendshëm, Taulant Balla në një reagim në rrjetet sociale nisur nga rasti i një punonjësi policie të përfshirë në një konflikt fizik mes palëve.
“Rikthimi i plotë i besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit është përpjekja ime kryesore si Ministër i Brendshëm dhe e drejtuesve të Policisë së Shtetit, me angazhimin për tu ofruar qytetarëve nivelin e duhur të sjelljes, profesionalizmit dhe shërbimit të sigurisë publike.
Duhet gjithashtu të jetë e qartë se kush nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë zero”, tha Balla.
Por, vijoi ministri i Brendshëm, “në rast se një punonjës i Policisë së Shtetit, siç jam informuar sot duke u gdhirë në Tiranë, bëhet palë në një konflikt fizik, ndërsa do të duhej të ndërhynte menjëherë në vendosjen e rregullit, atëherë ky individ nuk mund të qëndrojë më për asnjë çast në Policinë e Shtetit”.
“Ndërkohë AMP dhe Prokuroria të vazhdojnë verifikimet dhe hetimet e tyre ligjore”, perfundoi Balla.