Bota
A ekzistojnë alienët? NASA jep rezultatin përfundimtar të studimit
Një hetim i NASA-s që mori në studim qindra UFO zbuloi se nuk kishte prova që alienët të qëndronin pas fenomeneve të pashpjegueshme, por agjencia hapësinore tha se as nuk mund ta përjashtonte këtë si mundësi. Ishte një raport që pritej me shumë interes, por që në fund nuk dha një përgjigje përfundimtare, shkruan BBC.
E vetmja gjë e sigurt është se NASA tashmë do të hetojë ato që i quan FAP (Fenomene Anormale të Paidentifikuara) duke përdorur teknologji moderne dhe inteligjencë artificiale. Administratori i NASA-s, Bill Nelson tha se agjencia hapësinore amerikane jo vetëm që do të marrë drejtimin në hulumtimin e UFO-ve, por do të ndajë të dhënat me më shumë transparencë. Raporti i fundit ka 36 faqe me vëzhgime mjaft teknike dhe shkencore.
Ka apo nuk ka alienë?
Faqja e fundit e raportit thoshte se “nuk ka asnjë arsye për të konkluduar” se janë jashtëtokësorë pamjet e pashpjegueshme. “Megjithatë… ato objekte duhet të kenë udhëtuar nëpër sistemin tonë diellor për të arritur këtu”, – thuhet në raport. Megjithëse raporti nuk arriti në përfundimin nëse ekziston jeta jashtëtokësore, NASA nuk e mohoi mundësinë e “teknologjisë së panjohur të alienëve që mund të veprojë në atmosferën e Tokës”.
Nicola Fox, administratore e asociuar në Drejtorinë e Misionit Shkencës në NASA tha: “FAP janë një nga misteret më të mëdha të planetit tonë” dhe kjo është kryesisht për shkak të mungesës së të dhënave me cilësi të lartë. Pavarësisht pamjeve të shumta të UAP, zonja Fox tha se zakonisht nuk ka të dhëna të mjaftueshme që “mund të përdoren për të nxjerrë përfundime përfundimtare shkencore rreth natyrës dhe origjinës së FAP”. Fox njoftoi se NASA ka emëruar një drejtor të ri të kërkimit të FAP. Ai do të përdorë AI në procesin e mbledhjes dhe analizës së të dhënave.
NASA dyshon për fotot virale të “alienëve” nga Meksika
Gazetari i BBC-së, Sam Cabral, pyeti panelin e NASA-s për një seri fotografish të supozuara jashtëtokësore që iu prezantuan autoriteteve meksikane në fillim të kësaj jave. Një ekspert i vetëshpallur i UFO-ve, Jaime Maussan, solli në atë seancë ato që ai paraqiti si dy kufoma të lashta “jo-njerëzore” të alienëve. Ai pretendoi se trupat ishin gjetur në Cusco të Perusë, në vitin 2017 dhe se testimi i radiokarbonit daton që objektet ishin deri në 1800-vjeçare.