LAJMI I FUNDIT
Europa e vonuar dhe përparimi serbo-rus/ Serwer kritikon SHBA-BE
Daniel Serwer, specialist i fushës për menaxhimin e konfliktit dhe një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve socio-politike në Ballkanin Perëndimor, tha se vijimësia e përpjekjeve të Serbisë për destabilizimin e Kosovës duhet të jetë e dukshme për të gjithë, veçanërisht për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çështja e targave vitin e kaluar, bojkoti i zgjedhjeve komunale në komunat e banuara me shumicë serbe, trazirat në fund të muajit maj, sulmi mbi trupat paqeruajtëse të NATO-s dhe rrëmbimi i tre policëve kosovarë përgjatë vijës kufitare, sipas profesorit amerikan, ishin preludi i “kryengritjes së dështuar” të serbëve javën e kaluar.
Megjithatë, ai tha se SHBA-të dhe BE-ja deri më tani nuk kanë arritur të nxjerrin përfundimet e nevojshme, perderisa të njëjtit vazhdojnë të bëjnë thirrje për dialog bosh dhe pa pasoja për veprimet e Serbisë, posaçërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.
“Mbajtja e Serbisë përgjegjëse është e vështirë brenda Unionit Europian, sepse kërkon unanimitet. Hungaria pro-ruse e kryeministrit Viktor Orban është planprishësja e zakonshme, kurse rezultati i zgjedhjeve të para dy ditëve në Sllovaki, do ta bëjë Bratislavën miken e ardhshëm më të mirë të Moskës” – shkruan Serwer.
Por ajo që bllokon çdo rivlerësim serioz të politikës ballkanike, sipas profesorit amerikan, janë edhe përpjekjet e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për ta kthyer Serbinë në anën e Perëndimir, porse zyrtarët në Uashington duhet ta pranojnë se kjo politikë ka dështuar.
“Kjo verbëri do të ketë pasoja. Serbia, ashtu si Rusia, e sheh Perëndimin të ndarë dhe të dobët. Beogradi mund të tërhiqet përkohësisht nga Kosova për të mos provokuar një reagim serioz. Por Serbia do të vazhdojë të ndjekë synime irredentiste në Mal të Zi dhe në Bosnje-Hercegovinë”, argumentoi Serwer. Ai potencoi gjithashtu se lufta në Ukrainë do të jetë një faktor i rëndësishëm në atë që do të ndodhë më pas në Ballkanin Perëndimor, porse shtoi se shenjat nuk janë të favorshme në asnjë nga skenarët e mundshëm, dhe vlerësoi se nëse Rusia humb në Ukrainë, mund të përpiqet të marrë kompensim në rajonin e Ballkanit.
“Metoda do të ishte destabilizimi, jo agresioni i zhveshur. Serbisë mund t’i jepet drita jeshile dhe ndihma e fshehtë 1- për të krijuar kaos në veri të Kosovësër 2- per të detyruar instalimin e një qeverie pro-ruse në Malin e Zi, anëtar të NATO-s dhe 3- për të lejuar Republikën Sërpska të shpallë autonomi të plotë nëse jo pavarësi” – thekson Daniel Serwer.
“Nëse politikat aktuale në Europë do të rivlerësohen dhe në qoftë se do të fillojë një qasje shumë më e ashpër kundër irredentizmit serb, mund të parandalohen skenarët që do të sillnin humbje të mëdha për SHBA-në dhe BE-në” – Theksoi profers0ri I njohur amerikan.