Kosova
Bytyçi zbardh takimin sekret Rama-Vuçiç/ Ja pse ai do që KFOR të marr kontrollin në veri
Pas sulmit që ndodhi në veri të Kosovës nga grupi terrorist serb, sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, KFOR-i duhet ta marrë nën kontroll këtë pjesë të Kosovës. Por kundër kësaj kërkese të Ramës ka dalë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, sipas të cilit, Rama sulmoi përsëri kryeministrin Kurti, ndërsa qëndroi në linjë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
“Kryeministri i Shqipërisë të gjitha zhvillimet në Kosovë i ka trajtuar në favor të Serbisë. Ai ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, vazhdimisht në raportet që ka patur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçic. Nisi në qershorin e këtij viti, kur u inaguruan katër kryetarët e komunave të veriut të Kosovës. Atëherë Rama anuloi në minutën e fundit mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dhe pas tij u vendosën masat e BE-së kundër Kosovës kurse tani ndodhi terrori serb i datës 24 shtator. Por kaloi një javë dhe Edi Rama akoma nuk e ka trajtuar ende këtë ngjarje si akt terrorist, sikur ata që sulmuan policinë e Kosovës ishin trafikantët e tij të drogës”, deklaron Bytyçi.
Ai e quan të tmerrshme kërkesën e Edi Ramës që KFOR-i te marrë nën kontroll pjesën veriore të Kosovës.
“Nëse e pranojmë këtë tezë të Ramës, atëherë duhet të pranojmë se edhe Vuçic, Daçic, Gjuric e madje terroristët e datës 24 shtator si Radojeçic, na qenka pro-NATO, ndërsa unë, ju, ne, ata, ato që kritikojmë Ramën, qenkemi anti-NATO!”, shpjegoi Bytyçi.
Por pse këmbëngul kaq shumë kryeministri i Shqipërisë në kontrollin e NATO-s në veri?
Sipas Bytyçit, “Sepse për këtë plan ai ka rënë dakord me Vuçic dhe Dritan Abazoviçin në takimin sekret që kanë pasur tri ditë para aktit terrorist, në Nju Jork. Sepse Rama është aktiv në projektin serb të ndarjes së Kosovës.
Kjo do të thotë që të ridiskutohet statusi i veriut pa të drejtën e vendimmarrjes së Kosovës. Do të thotë, shkëputje plotësisht e mundshme e katër komunave nga Kosova me arsyetimin se “banorët nuk duan të jenë pjesë e shtetit të Kosovës”!” – theksoi Bytyçi, i cili gjithashtu u shpreh se
“Sjellja e Rama lidhet me faktin se akti terrorist serb dështoi. Miku i tij, Vuçic dështoi dhe u turpërua! Pozicioni i Beogradit në dialog është dobësuar, dhe si kompensim Rama projekton kontrollin e NATO-s në veri të vendit, me qëllim që Vuçic ti kapërcejë pa vështirësi këto pengesa që solli dështimi i aktit terrorist. Sepse Rama ka marrë përsipër një rol parësor prej lideri rajonal e global për ti shkuar deri në fund projektit të ndarjes së Kosovës, projekt i cili është hartuar në Beograd dhe është dakorduar midis Vuçic dhe Ramës në Nish në vjeshtën e vitit 2017.