Presidenti rus Vladimir Putin, ka thënë të dielën se sugjerimet që Shtetet e Bashkuara duhet të përgatiten për një luftë kundër Rusisë dhe Kinës, nuk kanë kuptim, dhe e ka paralajmëruar Perëndimin se çdo luftë kundër Rusisë do të jetë në tjetër nivel, në krahasim me konfliktin në Ukrainë.
Një panel dypartiak, i emëruar nga Kongresi amerikan, ka thënë të enjten se Uashingtoni duhet të përgatitet për simulim të luftërave me Moskën dhe Pekinin, duke i zgjeruar forcat, duke i forcuar aleancat dhe duke e avancuar programin e modernizuar të armëve bërthamore.
Putin, i cili do ta vizitojë Kinën në javën që vjen, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë rritur tensionet me Pekinin përmes nënshkrimit të paktit për siguri AUKUS – bashkë me Australinë dhe Britaninë – dhe se Rusia me Kinën nuk janë duke krijuar aleanca ushtarake.
Putin i ka thën gazetarit të Kremlinit, Pavel Zarubin, në një incizim të publikuar të dielën se mendimet për luftë mes Rusisë dhe SHBA-së janë të pashëndetshme, mirëpo nëse njerëzit flasin për to publikisht, ato nuk kanë si të mos e shqetësojnë Moskën.
“Nuk mendoj se janë mendime të mendjeve të shëndosha, sepse nëse thuhet se SHBA-ja po përgatitet për luftë me Rusinë, atëherë edhe ne përgatitemi, sipas parimit të njëjtë”, ka në Putin.
“Për më shumë, lufta me Rusinë dhe Kinën s’ka kuptim, nuk mendoj se janë serioze. Mendoj se vetëm duan ta frikësojnë njëri-tjetrin”.
Thellimi i bashkëpunimit mes Kinës dhe Rusisë – vendit me më së shumti koka bërthamore – është një prej zhvillimeve gjeopolitike më intriguese të vjetëve të fundit dhe e cila vëzhgohet me ankth nga Perëndimi.
Shtetet e Bashkuara e shohin Kinën si konkurrenten më të madhe, dhe Rusinë si kërcënimin më të madh, derisa presidenti amerikan, Joe Biden, përsërit se ky shekull do të definohet nga një kontest ekzistencial në mes të demokracive dhe autokracive.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Rusia dhe Kina janë duke i modernizuar arsenalet e tyre bërthamore dhe se Kina mund t’i ketë në rezerva 1.500 koka bërthamore deri më 2035, nëse vazhdon me ritmin e njëjtë.
Putin kontrollon rreth 5.889 koka bërthamore deri më 2023, në krahasim me 5.244 që kontrollohen nga Biden.