Kosova
Bieber paralajmëron: Brukseli ka hartua proces të ri dialogu Kosovë-Serbi
Profesori i Universitetit të Gracit, eksperti për Ballkanin Florian Bieber, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të kthehet në dinamikën që ishte para konfliktit në Banjskë më 24 shtator dhe se situata në terren, e cila është më e keqe se një vit më parë, tregon se i dërguari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak nuk është në gjendje ta shpëtojë atë proces. “Nëse dialogu çon në përkeqësim dhe jo në përmirësim të marrëdhënieve, pyetja është nëse ka akoma kuptimqë ai të vazhdojë. Duket se nuk ka, dhe zyrtarët europianë po përpiqen t’i ulin tensionet, të presin zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Parlamentin Europian dhe mbledhjen e re të Komisionit Europian, i cili do të ketë për detyrë të hartojë një proces të ri dhe ndoshta një ekip të ri” – theksoi Bieber, i cili mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Beograd. Bieber theksoi se duhet obliguar Beogradi dhe Prishtina, përmes nënshkrimit të një dokumenti, që të bëjnë atë që kanë premtuar në dialog brenda afateve të caktuara, e jo ta “kalojnë topin” dhe të hapin hapësira për keqkuptime të reja dhe përshkallëzim. Sipas tij, çdo qeveri duhet të premtojë ndryshim të komunikimit të brendshëm. “Nëse kemi një qeveri serbe që bën heronj nga ata që sulmuan Policinë e Kosovës, ky nuk është normalizim i marrëdhënieve. Normalizimi do të thotë që nuk ka gjuhë urrejtjeje, tensione të vazhdueshme dhe hendek mes komunikimit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm” – potencoi Bieber, duke shtuar se ka besim që Unioni Europian do t’u kërkojë të dyja qeverive “të komunikojnë dhe dialogojnë me qytetarët”. Bieber shtoi gjithashtu se edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka humbur rastin për t’ua shtrirë dorën serbëve në Kosovë, veçanërisht atyre në veri dhe nuk i ka marrë seriozisht edhe ata si aktor politik. “Lista Serbe nuk është një organizatë politike që vepron në mënyrë të pavarur nga Beogradi, gjë që nuk është e lehtë për Kurtin, por megjithatë ai e humbi mundësinë për ta hapur komunikimin me serbët në veri, gjë që në të kundërt, hapi derën për përshkallëzim”, tha Bieber, duke theksuar se të dyja palët janë fajtorë për përshkallëzimin dhe mungesën e komunikimit, dhe përshtypja, sipas tij, është se serbët nga Kosova nuk janë mjaftueshëm të përfshirë në proces, që zëri i tyre mezi dëgjohet dhe që shqetësimet e tyre nuk merren parasysh as në Serbi dhe as në Kosovë. Duke folur për kërkesat që Serbia të vendos sanksione kundër Rusisë, Bieber tha se nuk sheh presion nga BE-ja ndaj Beogradit për këtë cështje.