Connect with us

Shkrime

Profesori nga Reading: Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme mund të jetë njohje de facto e Kosovës

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Reading-ut, Marko Milanoviç, ka thënë se nuk e di saktësisht se çfarë do të thotë njohja de facto e pavarësisë së Kosovës – të cilën Perëndimi po e kërkon me ngulm nga Serbia – dhe nëse Brukseli tani po kërkon diçka nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, më shumë se sa paraparë në marrëveshjet e arritura deri më tani. Sipas Milanoviç-it, njohja de facto mund të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme, “e cila në fakt është një traktat ndërkombëtar që do të duhej të ratifikohej në parlamentet e Serbisë dhe Kosovës”. “Kjo do të ishte një njohje de facto dhe do të dërgonte një sinjal të qartë për vendet e tjera se Serbia hoqi dorë nga Kosova në çdo kuptim real, jo në kuptimin nominal” – shpjegoi Milanoviç Mirëpo, në vlerësimin e profesorit të së drejtës ndërkombëtare është “joreale” që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb Vuçiç të arrijnë një marrëveshje të tillë në afat të shkurtër apo të mesëm. Çfarë po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia ndërkombëtarët? Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në këmbim të njohjes de-facto, apo anasjelltas. Ky ishte mesazhi që liderët e tri shteteve më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian, më të angazhuar se kurrë më parë për të zgjidhur konfliktin mes dy fqinjëve ballkanas, i përcollën tek Kosova dhe Serbia. Këtë e bënë përmes një komunikate të përbashkët të lëshuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, një ditë pasi që takuan ndaras Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel. Në fakt, kjo çfarë po kërkojnë nga Serbia dhe Kosova liderët evropianë është diçka që vetë Prishtina dhe Beogradi janë dakorduar, fillimisht në Bruksel, më 27 shkurt, dhe pastaj me aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, për atë që tashmë njihet si Marrëveshja Bazë. Asociacioni ka qenë gjithmonë tema e “nxehtë” në dialogun Kosovë-Serbi. I dakorduar që nga viti 2013, zbatimi i tij nuk ka marrë epilog asnjëherë, madje në Kosovë është përdorur për qëllime politike nga partitë, e posaçërisht nga ajo që tani ka pranuar një draft të propozuar nga BE, Lëvizja Vetëvendosje. Nga ana tjetër, Serbia vazhdimisht e ka përdorur këtë si “armë” për ta akuzuar Kosovën se nuk po i zbaton marrëveshjet e nënshkruara, veçanërisht këtë, ndonëse vetë një numër të madh të tyre nuk i ka zbatuar. Liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë nënvizuan edhe një herë pritshmëritë që palët: “të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”. “Faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja palët që të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht në mënyrë hap pas hapi bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e përbashkët.

Advertisement