Kosova
Vuçiç me Bocan-Harçenkon: Prishtina vazhdon persekutimin
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në bisedën e tij me ambasadorin rus, Aleksandar Bocan-Harchenko, theksoi se kur është fjala për Kosovën, “Serbia mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, ndërsa autoritetet në Prishtinë vazhdojnë persekutimin e përditshëm të popullatës serbe, veçanërisht në veri, gjë që çon në spastrim etnik të popullit serb”, thuhet në deklaratën e kabinetit të Vuçiçit.
Ai ka ripërsëritur se çdo njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës nuk është e pranueshme për Serbinë, sepse ajo është e vendosur fort në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe ruajtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore.
“Bashkëbiseduesit u pajtuan se është e një rëndësie thelbësore që të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, të cilin Prishtina me këmbëngulje i shmanget. Presidenti Vuçiç falënderoi Federatën Ruse për mbështetjen e vazhdueshme që i jep integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Serbisë, si në Kombet e Bashkuara ashtu edhe në forumet e tjera ndërkombëtare” – thuhet në deklaratë.
Një muaj më pare, Ambasadori rus në Beograd, duke folur me gjuhën e presidentit serb, tha se operacioni policor në fshatin Banjskë “tregon qartë dëshirën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të pushtuar veriun e Kosovës, por edhe “përkrahjen e Perëndimit për këto plane”.
“Është absolutisht e qartë se dialogu në Bruksel po përdoret si mbulesë për atë që realisht po ndodh në Kosovë. Dialogu nuk jep absolutisht asnjë rezultat, as kontaktet diplomatike me përfaqësuesit e vendeve kryesore perëndimore,” – tha Bocan-Harchenko.
Ai tha gjithashtu se vendet perëndimore “nuk janë të interesuara” që me kërkesë të Beogradit të mbahet një seancë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë dhe vlerësoi se ata duan të “pengojnë kolektivisht” mbledhjen e saj. Harchenko deklaroi gjithashtu se vendet e Perendimit e interpretojnë Kartën e OKB-së në përputhje me interesat e tyre.