Kosova
5 muaj me ATO/ Selimi: Tregon nivelin e mosbesimit të BE-së ndaj Kosovës
Në 5-mujorin e vendimit të Bashkimit Evropian për vendosjen e “masave ndëshkuese” ndaj Kosovës, ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi, nëpërmjet një postimi në platformën “X” ka thënë se fakti që “sanksionet” e vendosura në qershor janë akoma në fuqi, tregon për nivelin e mosbesimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.
Kjo tregon edhe diçka tjetër përsa i përket Serbisë, ka pohuar ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, duke kujtuar se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së mendojnë njësoj kur bëhet fjalë për ndërmarrjen e sanksioneve ndaj Serbisë, përkundër serisë së akteve destruktive të palës serbe në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
“Kanë kaluar saktësisht 5 muaj që kur BE-ja ka vendosur sanksione ndaj Kosovës. Qindra miliona euro janë bllokuar. Fakti që këto sanksione janë ende në fuqi ndaj Kosovës por jo ndaj Serbisë, tregon për nivelin e mosbesimit ndaj Kosovës, ashtu edhe për mungesën e konsensusit për Serbinë” – ka shkruar Selimi.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian, Tomas Szunyog, ka thënë para një jave se “masat ndëshkuese” ndaj Kosovës janë implementuar bazuar në deklaratën e 27 vendeve anëtare, porse Qeveria e Kosovës duhet të bëjë hapa të tjerë në drejtim të heqjes së tyre, përfshirë hapjen e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Deklarata e 3 qershorit 2023, fokusohej në de-përshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok – dhe rikthimin në tryezën e dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së.