Connect with us

Aktualitet

Nga “fantazma” te “piloti”, kush janë 9 shqiptarët më të rrezikshëm që nuk janë arrestuar

Kapja e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore e atyre të shpallur në kërkim ndërkombëtar vijon të jetë një shqetësim për Shqipërinë pasi shumica prej tyre nuk janë kapur brenda territorit të vendit ndërsa ata që dyshohet se janë në Shqipëri, fotot e tyre thjesht vijojnë të jenë të afishuara në rastin më të mirë e në atë më të keq nuk janë të publikuara sepse faqja e policisë së shtetit nuk punon.

Behar Bajri është vetëm një i ekstraduar pas arrestimit në Francë. Dosja metamorfoza nxori se si grupet kriminale bashkëpunojnë me drejtësinë dhe përfitojnë prej saj e jo vetëm. Por mes të arrestuarve ka dhe nga ata të cilët nuk janë ekstraduar ende por dhe nga ata të cilët kanë përfituar nga mungesa e marrëveshjeve mes Shqipërisë për këtë çështje.

Laert Haxhiu i prangosur në Greqi e Gramoz Rexhepi në Turqi janë dy të shumëkërkuar të tjerë për të cilët Shqipëria shpresat i ka varur tek suksesi i procedurave të ekstradimit.

Ngritja e njësisë Fast me aq bujë në vitin 2019 thuajse nuk çoi asnjërin prej kësaj liste në pranga, edhe pse krimet ndodhnin brenda territorit Shqiptar.

Bledar Jambelli ishte porositës i vrasjes së ish-oficerit të policisë Artan Cuku në vitin 2017. Por edhe pse ndodhej në Shqipëri edhe pse krijoi kushtet për marrjen e jetës së Cukut ai sërish arriti të largohej në Greqi. Në shtetin fqinj u arrestua, por ekstradimi i tij dështoi.

E njëjta histori për një tjetër të shumëkërkuar si Jani Aliaj. Pasi kreu vrasjen në një nga zonat e frekuentuara të Tiranës u largua drejt Greqisë.

Altin Hajri është një tjetër emër i cili vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar lidhur me  rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës. Bashkëpunëtori tjetër i tij, Gentian Funiqi edhe pse i arrestuar në Spanjë në vitin 2022 ende nuk ka shkelur tokën shqiptare për t’u përballur me drejtësinë.

Për Talo Çelën, grabitësin e miliona eurove në Rinas e të akuzuar për më shumë se 10 ngjarje kriminale, vijon një tymnajë informacionesh. Ajo që dihet, “piloti” siç e quanin një pjesë e të arrestuarve të parave të Rinasit, është në kërkim.

Si Talo Çela edhe për Ervis Martinajn, i kërkuar nga drejtësia për operacionin “Plumbi i Artë” ende nuk dihet asgjë. Mediat vazhdojnë të hedhin pikëpyetje në lidhje me të nëse është vrarë zhdukur apo ka inskenuar gjithçka, pasi përplasja me grupet rivale po i eliminonte shokët dhe të afërmit njëri pas tjetrit.

Erjon Llapushi është një tjetër emër që renditet në listën e personave që Policia e Shtetit i konsideron si të kërkuarit më të rrezikshëm. Tetorin e vitit 2021 ai dhunoi për vdekje një kamerier në Elbasan. Gazmend Kurmaku, i tha se tavolina ku ishte ulur ishte e rezervuar e Llapushi pas kërcënimeve e shtyu, ndërsa 50-vjeçari u përplas me kokë në një pjesë betoni e humbi jetën dy ditë më pas në Spitalin e Traumës.

Emri i Gëzim Çelës si baroni i drogës u përmend sërish këtë vit në operacionin e policisë së shtetit të koduar si “Flakë në Det” ku u kapën lëndë narkotike, por jo ai që organizon trafikun.

I quajtur “fantazma”, për shkak se askush nuk binte në gjurmët e tij, 30-vjeçari Ibrahim Lici, prej kohësh vijon të jetë në arrati dhe duke iu shmangur drejtësisë që e akuzon për vrasje. Njësia Fast edhe pse kishte informacione se Lici mund të kishte udhëtuar drejt Turqisë nëpërmjet Kosovës sërish nuk mundi ta arrestojë deri kur humbi gjurmët në Stamboll./A2

Advertisement