Kosova
Vorbulla e rrenave/ Rusia po synon të nxisë luftë në Kosovë
Kosova është e ekspozuar ndaj dezinformatave dhe narrativës që vjennga Rusia dhe Kina, të cilat synojnë të nxisin luftë ndëretnike dhe ndërfetare në vend, të kriminalizojnë NATO-n dhe të ulin besimin e shoqërisë në integrimet euroatlantike, si dhe ta pasqyrojnë ShBA-në si shembull të keq.
Këto ishin gjetjet kyçe të raportit “Vorbulla e rrenave” lidhur me dezinformimin, që është hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe që është mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Raporti ka gjetur narrativë, e cila synon të kriminalizojë NATO-n, duke e parë si diçka të dëmshme për Kosovën.
“Narrativa synon të nxisë luftë brenda Kosovës, kriminalizon Aleancen Veriatlantike dhe që NATO-ja dhe BE-ja përkrahin vetëm komunitetin shqiptar në Kosovë dhe jo komuniteti serb” – tha Kreshnik Gashi, kryeredaktor përgjegjës në Kallxo.com
Për synimin e Rusisë që të nxisë konflikte në rajon, foli më 19 nëntor edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se Moska dëshiron të ndezë “një vatër krize në oborrin e Bashkimit Evropian”, me qëllim që “ta shpërqendrojë NATO-n”.
Mbështetja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është përkthyer gjithashtu si tentativë për përkrahjen e një lufte të shqiptarëve kundër serbëve.
Një tjetër narrativë e cila është identifikuar në raport është ajo kundër integrimit në Bashkimin Evropian, duke synuar të portretizojë BE-në si diçka të keqe për Kosovën.