Connect with us

Shkrime

Vuçiçi i blen kohë vetes nëpërmjet zgjedhjeve

Nga Sasa Dragojlo

Kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç njoftoi mbajtjen e zgjedhjeve, ai e dinte se ylli i partisë së tij po fillonte të zbehej. Më mirë të godas tani, mendoi ai, para se të jetë tepër vonë.

Kur keni dyshime, lajmëroni mbajtje zgjedhjesh. Dhe dyshimet për Partinë Progresive në pushtet të Serbisë po rriten, thonë ekspertët.

Inflacioni i lartë, ulja e standardeve të jetesës, protestat masive dhe negociatat e pakëndshme për Kosovën, e kanë shtyrë presidentin Aleksandër Vuçiç të marrë pozicionin e tij – atë të njeriut në krye të fushatës zgjedhore.

Me sa duket, Vuçiç po i jepte opozitës atë që ajo kishte kërkuar – zgjedhjet. Por presidenti i Serbisë nuk njihet për bujari ndaj rivalëve. Në këtë lëvizje duhet të ketë diçka në dobi të Partisë Progresive Serbe.

“Ai e kuptoi se partia e tij po përjeton një rënie të konsiderueshme dhe se mbështetësit e tij nuk janë të motivuar si më parë”- tha Milos Besic, një profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, sipas te cilit Vucic vlerësoi se “Partia Progresive do të jetë e fortë për një periudhë kohe dhe se ajo forcë duhet të përdoret përpara se gjërat të përkeqësohen më tej.”

Por ndërsa partia dhe partneri i saj i vogël, socialistët, duket se kanë gjasë të fitojnë një mandat të ri në zgjedhjet e 17 dhjetorit, ata rrezikojnë të humbasin kryeqytetin – shtëpia e gati një të tretës së popullsisë serbe.

Shkencëtari politik Dusan Spasojevic tha për BIRN se kjo mund të shënojë fillimin e fundit dhe paralajmëroi, “se është një fazë që mund të zgjasë me vite”. – “Vuçiçi e dinte se do ta humbiste Beogradin”, tha Spasojevic. “Ai mendoi se është më mirë t’i mbajë tani ato zgjedhje bashkë me ato parlamentare, për sa kohë ata kanë ende njëfarë mbështetjeje dhe ndërsa opozita nuk është plotësisht e organizuar.

Vuçiçi nuk kandidon për t’u rizgjedhur dhe nuk është më kryetar i Partisë Progresive. Por ai është megjithatë, si gjithmonë, në krye dhe në qendër të fushatës elektorale të partisë. Dhe ajo fushatë ka qenë veçanërisht e pistë, thonë kritikët, me shpifje të botuara kundër kandidatëve të opozitës në tabloidet pro-qeveritare, dhënie përkrahjeje sociale që nuk kanë bazë në ligj dhe shfrytëzim të padrejtë të burimeve shtetërore.

“Është një fushatë plotësisht e personalizuar”, tha Spasojevici. “Vuçiçi mbart të gjithë popullaritetin dhe është garantuesi i premtimeve zgjedhore. Anëtarët e Partisë Progresive fokusohen te rrugët që ndërtuan, në rritjen e pretenduar ekonomike dhe te presidenti i vendit si një njeri që mund të garantojë që këto gjëra të vazhdojnë kështu.”

Dhe pastaj është edhe “diskursi populist”, tha Besic, në të cilin Partia Progresive e portretizon veten si një opozitë ndaj interesave personale dhe elitave.

“Ideologjia e vetme e Partisë Socialiste Serbe është të jetë në pushtet”, tha Besic. “Ata kanë përkrahës shumë të përkushtuar dhe besnikë dhe e lidhin atë me simbolikë. Gjithashtu, ata nuk janë të detyruar të ekuilibrohen mes Lindjes dhe Perëndimit, siç bën Partia Progresive, dhe mund të marrin pranë vetes njerëz që janë më konservatorë dhe të orientuar drejt Rusisë.

Kryetari i Partisë Socialiste Serbe, Ivica Daçiç, ministri aktual i jashtëm i Serbisë, po bën fushatë si kryeministër i mundshëm. Ndonëse kjo nuk ka gjasa, Partia Progresive ka pasur prej kohësh një pozicion kryesor në përcaktimin e përbërjes së qeverive serbe.

Pavarësisht nga roli kryesor i Millosheviçit në luftërat që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 1990, Partisë Socialiste iu deshën vetëm tre vjet nga momenti kur ai ra në vitin 2000 për të rimarrë një rol të rëndësishëm në politikën serbe duke mbështetur një kabinet pakice. Në vitin 2008, partia u kthye në pushtet, fillimisht me demokratët properëndimorë dhe më pas nga viti 2012 me Partinë Progresive.

Shumica e sondazheve sugjerojnë se së bashku Partia Progresive dhe Partia Socialiste nuk do të fitojnë shumicën në Beograd.

Besic tha se Vuçiçi dhe Progresistët e dinë se mbështetja e tyre në kryeqytet po pakësohet, por besojnë se kanë ende një shans përpara se të humbasin shumë terren.

Persa i përket të ardhmes së Partisë Progresive Serbe, Spasojevic tha se gjithçka varet nga Vuçiçi, pasi pasardhësi i zgjedhur nga ai vetë në krye të partisë, ministri i Mbrojtjes Milos Vucevic, shihet gjerësisht si një marionetë.

 

Advertisement