Rajon
Vuçiç fiton zgjedhjet dhe takohet me Cramon
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon në Beograd më të cilën ka biseduar për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën të dielën në Serbi.
“Kemi biseduar për zgjedhjet në Serbi, çështjet rajonale dhe rrugën evropiane të Serbisë”, ka shkruar Vuçiç në Facebook.
Në Serbi kanë përfunduar zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore dhe sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), lista e SNS-së “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar mbi 46 për qind të votave (rreth 129 mandate), bazuar në mbi 80 për qind të mostrave të përpunuara.
Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, bazuar në rezultatetet preliminare të CeSID, ka fituar rreth 23 për qind të votave (rreth 63 mandate), ndërsa Partia Socialiste e Serbisë (SPS) nën udhëheqjen e kryediplomatit serb, Ivica Daçiç, ka fituar jo më shumë se 6.9 për qind të votave (19 mandate). E djathta nacionaliste serbe ka fituar rreth 4.8 përqind.