Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës me gazetarët u pyet nëse ka propozuar Vangjel Tavon në krye të Bashkisë Himarë, ashtu siç pretendojnë mediat greke.

Kreu i qeverisë hodhi poshtë pretendimet e mediave greke, ku tha se ‘unë nuk komentoj çfarë më vënë mua në gojë apo kurriz mediat greke’.

Ndërsa në lidhje me kryebashkiakun e zgjedhur te Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhte në burg që prej muajit maj, Rama tha se pritet vendimi i formës së prerë.

Ai u përgjigj se “Vendimi i gjykatës së posaçme ishte vendim pozitiv, nuk është vendim i formës së prerë, nuk mund të veprojmë ne me një vendim të shkallës së parë. Është vendim i shkalles së parë. Këto që kanë qarkulluar kanë si burim mediat greke, e jo ato shqiptare, apo qeverinë. Kështu që unë nuk komentoj çfarë më vënë mua në gojë apo kurriz ato që më vënë mediat greke. Unë i kam parë mediat shqiptare që i kanë marrë nga ato greke, jo e kundërta. S’është pyetje për mua, pyesni autoritete greke. Unë di që presim vendimin e formës së prerë”.