Rajon
Ambasadori rus sulmon Kosovën/ Rusia do të mbështesë vetëm atë që do Beogradi
Rusia vazhdon të jetë përkrah Serbisë, teksa kjo e fundit, pavarësisht kërkesave të Bashkimit Europian, nuk po vendos sanksione ndaj shtetit që drejtohet nga Vladimir Putin.
Kështu dhe ambasadori i Kremlinit në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko vazhdon mbrojtjen e Serbisë duke u përzier në punët e Kosovës, teksa deklaroi dje se Kosova nuk është e pavarur dhe nuk do të jetë kurrë.
Gjatë komentimit për armatimin që Kosova ka kërkuar të ketë nga SHBA, ambasadori pyeti duke u vetpërgjigjur-
“Në fund të fundit, a mund të besojë dikush se është e mundur një zgjidhje konstruktive për Kosovën? A mund të kontribuojë ndërmjetësimi i Perëndimit në këtë pike, teksa janë vet ata mbështesin Ushtrinë e Kosovës dhe Kosovën e pavarur. Armët kanë mbërritur dhe shumë më tepër se kaq, janë duke ardhur”.
Harchenko theksoi se Rusia nuk do të mbështesë kurrë një zgjidhje të njëanshme të imponuar nga Perëndimi dhe do të mbështesë vetëm atë që Beogradi bie dakord.
Ai shtoi gjithashtu se pavarësia e Kosovës ka qenë gjithmonë e rëndësishme për Perëndimin dhe se bisedimet e ndërmjetësuara nga ata në dialog, janë vetëm për qëllimin e pavarësisë.
Sipas tij, situata mund të krahasohet me Ukrainën, dhe kur është fjala për Kosovën, gjithmonë ka pasur një koncept anti-serb, ashtu si në lidhje me Ukrainën – koncepti antirus.
Duke komentuar deklaratën e presidentit Vladimir Putin se serbët nuk janë një komb që Perëndimi mund ta shtypë dhe nënshtrojë, ambasadori rus tha se arsyeja kryesore e sulmit ndaj serbëve është përpjekje për të shkatërruar politikën e saj të pavarur.
“Bëhet fjalë për ortodoksinë, vlerat ortodokse që Perëndimi po i shkatërron” – tha Bocan-Kharchenko.
I pyetur se si e komenton opinionin se Rusia nuk e ka ndihmuar sa duhet Serbinë, sidomos duke kujtuar kohën kur ajo u bombardua nga NATO, ai tha se në atë kohë shteti rus mund të bënte vetëm atë që bëri, duke pasur parasysh kontekstin që ekzistonte.