Connect with us

Rajon

Samiti në Shkup/ Kush bllokon fqinjët do ketë pasoja, paralajmëron O’Brien

“Në këtë proces askush nuk do të bllokojë tjetrin për avancim, pra nuk ka të drejtë veto. Kush e bën këtë do të ballafaqohet me pasoja”.
Ky ishte mesazhi i ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, James O’Brien gjatë fjalës së tij në tryezën e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të Bashkimit Evropian ku theksoi se vendet duhet të punojnë dhe të bashkëpunojnë për të krijuar mundësi më të mira për qytetarët e tyre.

“Ne mund t’i bëjmë gjërat me mirë. Ne i mbështesim aspiratat dhe këtë e kemi diskutuar. Asnjëherë nuk keni qenë më afër. Kjo është një çështje shprese sepse dallon nga ofertat e tjera. Çdo shtet duhet të bëjë punën praktike dhe qytetarët duhet të ndjejë leverditë. Këtu flasim për liritë që t’i lejojnë njerëzve dhe mallrave të lëvizin lirshëm dhe kjo po ndodh. SHBA e mbështet idenë”.

Ai shtoi se “ne kemi dhënë një ndihmë për këtë rajon dhe do të mbetemi të përkushtuar, por jemi të fokusuar që vendin ta përfshijmë në tregun duke specifikuar nisma që janë të rëndësishme për biznese të qytetarëve në rajon”.

“Pra çdo individ kursen rreth 5 % çdoherë kur dhe transferon para në dhe jashtë rajonit dhe këtë njerëzit do ta ndjejnë. Duhet të zhvillojmë edhe mekanizma për zbatim, pasi shumë nga këto procese apo takime të tilla për njerëzit, tingëllojnë në një mënyrë abstrakte”.

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur këtë të hënë në kryeqytetin maqedonas për të diskutuar mbi të ardhmen e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) dhe planin e rritjes ekonomike prej 6 miliardë euro të Komisionit Evropian (KE) për vendet e Ballkanit Perëndimor – një paketë madhore e asistencës financiare për periudhën 2024-2027.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski,është nikoqir i takimit, ndërsa përveç kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në Shkup janë ftuar edhe përfaqësues të organizatave rajonale (RCC) dhe institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare për bashkëpunim, përfshirë përfaqësues të Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Gjashtë vendet e rajonit – Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë euro dhe akses në tregun e brendshëm të bllokut evropian në fusha të caktuara.

E krahas Shqipërisë, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Turqisë, për herë të parë, paketa investuese e BE-së do të përfshijë gjithashtu dy vende të reja – Ukrainën dhe Moldavinë. Plani do të ekzekutohet pas përmbushjes së reformave të kërkura, kryesisht sa i përket përshtatjes së kornizës ligjore të BE-së dhe aspekteve të sundimit të ligjit.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, në fund të tetorit të vitit të kaluar qëndroi për vizitë në Kosovë, në kuadër të një udhëtimi katërditor në rajon, gjatë së cilës vizitoi edhe Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, për të diskutuar për bashkëpunimin dypalësh me liderët rajonalë dhe reformat në procesin e integrimeve evropiane.

Në shoqërinë e drejtorit të Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të KE-së, Gert Jan Koopman, presidentja Leyen prezantoi detaje të hollësishme për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor në procesin e zgjerimit të BE-së, derisa përmendi edhe hapat dhe planet për përparim të shpejtë të rajonit drejt anëtarësimit të plotë në bllokun e 27 shteteve.

Vizita e presidentes së KE-së erdhi pas takimeve me liderët rajonalë në Tiranë të Shqipërisë në fillim të tetorit në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili për herë të parë u mbajt jashtë kufijve të BE-së, duke përcjellur një mesazh të fuqishëm për zgjerimin e unionit evropian, pas stagnimit dhe sfidave në procesin e integrimit të mëtejmë të Ballkanit Perëndimor.

Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sepse as Kosova e as Serbia nuk do të mund të përfitojnë nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor në rast se nuk do të ketë përparim konkret në përmbushjen e obligimeve që burojnë nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023 dhe Ohër, 18 mars 2023).

Advertisement